">Feng shui tradicional dhe ai modern<IMG border=0 align=absMiddle src=" /mmsource/images/2004/06/29/litsen1.gif">
Feng shui tradicional dhe ai modern
  2015-10-15 17:02:13

Feng shui është një sistem filozofik kinez i harmonisë midis njeriut dhe ambjentit që e rrethon. Shumë kinezë por edhe njerëz nga vende të tjera e konsiderojnë Feng Shuin si të mbushur me mister, intriga, legjenda dhe bestytni të ndryshme. Por kjo nuk ndodh me mjeshtren e Feng Shuit, kinezen Wang Rong e cila me një kompas feng shui tradicional përpiqet të gjejë vend-ndodhjen e feng-shuit në Xi an të provincës veriperëndimore kineze Shaanxi.

 

Sipas kësaj mjeshtre feng shui, kjo disiplinë e lashtë filozofike kineze në ditët tona duhet të jetë më praktike.

Arkitektja Wang Rong, mjeshtre e feng shuit

Wang Rong është diplomuar për arkitekturë dhe e specializuar në feng shui. Ndryshe nga filozofia e lashtë tradicionale, feng shui modern përpiqet të zgjidhë çeshtjet e harmonisë së individit me mjedisin që e rrethon. Filozofia e lashtë e feng shuit përqëndrohej kryesisht në ndërtimin e vendbanimeve, në përdorimin e spiritualizmit në ndërtime strukturore si varre. Interpretimet e feng shuit janë të mbushura me misticizëm dhe fuqi mbinatyrore. Ndërsa feng shui modern bazohet në zbatimin arkitekturor për të sjellë harmoni në banesat e njerëzve, në ambjentet ku ata jetojnë apo punojnë.

Arkitektja Wang përdor njohuritë e saj në feng shui për projekte ndërtesash, por ka raste kur ajo jep mendim edhe për ndërtimin e një apartamenti apo një dyqani të thjeshtë. Ka raste kur mendimi i saj si mjeshtre e feng shuit kërkohet për pasuri të paluajtëshme në sipërfaqe të mëdha. Ajo bashkëpunon me departamentet e projektimit apo të dizenjimit,pjesë e kompanive të ndërtimit duke u dhënë atyre orientimit e filozofisë së feng shuit për harmoninë.Një nga punët e fundit të mjeshtres së feng shuit Wang është këshilla e saj për ndërtimin e një kompanie që ofron shërbime për nëna dhe foshnje. Kur e pyesin se çfarë idesh i ka dhënë projektuesve dhe ndërtuesve të këtyre ambjenteve, Wang thotë se ato lidhen me paraqitjen e dhomave, përdorimin e hapësirave, këshilla për ngjyrat e ambjenteve apo të materialeve që duheshin përdorur për pajisjen e tyre.

Duke dhënë një shpjegim më të detajuar lidhur me feng shuin, mjeshtrja Wang thotë se bimët e gjelbra i përkasin njërit nga të 5 elementet kinezë (wu-hsing) atij të "drurit", duke simbolizuar forcën e jetës. Kjo forcë nënkupton lindjen, ndaj ajo ka këshilluar që në këtë institucion të ketë bimë të gjelbërta.

Studimi i feng shuit është një shkencë praktike që ndërthuret me vendodhjen e ndërtesës, dizenjimin arkitekturor, paraqitjen estetike, shijen kulturore, dhe nuk duhet ngatërruar me supersticionet, thotë Wang.

Filozofia e lashtë Feng Shui

Profesori Zhang Jingju i Akademisë Inxhinierike të Kinës thotë se Feng shui është një trashëgimi e lashtë e kinezëve aë lidh njeriun me natyrën. Një ndër parimet bazë të feng shuit është siguria e ndërtesës. Për këtë arsye një shtëpi, sipas këtij parimi duhet ndërtuar përballë një kodre, që të mund të shmangë goditjen nga era. Uji është një tjetër element i rëndësishëmë ndaj sipas feng shuit shtëpia duhet të ketë pranë një burim uji, ndoshta një lumë apo një pishinë. Drita apo ndriçimi është një element shumë i rëndësishëm për projektimin e një ndërtese, pasi ajo duhet patjetër të ndriçohet sa më shumë nga dielli.

Parimi bazë i feng shuit për ndërtimin e një banese është që të zgjidhet një vend sa më i përshtatshëm për të jetuar. Mjeshtrja Wang thotë se feng shui mund të udhëzojë njerëzit të jetojnë në harmoni me natyrën që i rrethon.

 

Shumë njerëz kërkojnë ndihmën e mjeshtrave të feng shuit për të patur sa më shumë arritje pozitive në jetën e tyre. Kryesisht ata kërkojnë rritje të marrëdhënieve dashurore në çift, rritje të të ardhurave, të harmonisë dhe mirëqenies familjare. Për këtë ata nisin të interesohen për dizenjimin e shtëpisë ku jetojnë në mënyrë që ambjenti i tyre të jetë sa më harmonic. Ja disa nga parimet e feng shuit që mjeshtrat këshillojnë më shpesh për dizenjimin e një banese.

Për të tërhequr sa më shumë lekë këshillohet që kuzhina të jetë e organizuar sa më mirë dhe në frigorifer të ketë ushqime të freskëta, kryesisht fruta dhe perime.

Për të patur qetësi dhe harmoni në familje këshillohet që muret e shtëpisë të lyhen kryesisht me ngjyrë të kuqe, rozë dhe të gjelbër. Sipas feng shuit çdo ngjyrë ka ndikim në gjendjen shpirtërore të njeriut.

Hyrja e shtëpisë apo e apartamentit duhet të jetë sa më e dukshme dhe mikpritëse sepse kështu hyn energjia pozitive, lumturia dhe rriten të ardhurat. Shtimi i luleve në apartament apo në kopësht dhe rritja e tyre me kujdes ndikon në shtimin e mundësive të reja dhe të të ardhurave. Edhe vendosja e një shatërvani në kopësht, sipas feng shuit ndikon në rritjen e begatisë në familje. Në dhomën e gjumit sipas feng shuit duhet të vendosni objekte që ju sjellin kënaqësi dhe shprehin personalitetin tuaj, ato mund të jenë vepra arti, tapiceri të ndryshme, ndriçues etj.

Sipas feng shuit dy kënde të shtëpisë apo të dhomës së ndjenjes që tërheqin fatin e mirë dhe dashurinë janë jugperëndimi dhe veriperëndimi. Këshillohet që në këndin jugperëndimor të vendoset një abazhur i kuq apo i verdhë, që ndikon në marrëdhënie të mira mes partnerëve.

E thënë thjesht Feng Shui, me origjinë nga lashtësia kineze do të thotë "erë dhe ujë". Tashmë në jetën e përditëshme thuajse në mbarë botën kjo filozofi është popullarizuar kryesisht në projektimin dhe dizenjimin e banesave, me qëllim që të jenë fatsjellëse për banorët e tyre.

Këshilla të Feng Shuit në jetën e përditëshme

-Mos vendosni më shumë se një palë këpucë afër derës kryesore të shtëpisë

-Dhoma e gjumit duhet të jetë çdo ditë e ajrisur dhe me dritë

-Mos mbani elemente elektrike në anë të shtratit tuaj

-Nëse mundeni në anë të shtratit tuaj mbani gurë me energji Zen, të cilat do ju japin energji pozitive dhe qetësi.

-Shmangni mbajtjen e kompjuterit në dhomën e gjumit apo në shtrat, pasi largon qetësinë dhe dëmton cilësinë e gjumit.

-Në të djathtë të murit përballë derës hyrëse të apartamentit vendosni një pasqyrë, një tavolinë të vogël apo një pikturë.

Gjithsesi këto mbeten vetëm këshilla, pasi çdo individ e zgjedh vetë se si duhet pajisur banesa.

(Eda Merepeza)