"> Pakica kombëtare Hani dhe orizoret e famshme Honghe<IMG border=0 align=absMiddle src=" /mmsource/images/2004/06/29/litsen1.gif">
Pakica kombëtare Hani dhe orizoret e famshme Honghe
  2015-10-08 16:27:11

Orizoret Honghe Hani në provincën jugperëndimore kineze Yunnan janë përfshirë në listën e UNESCO-s për Trashëgiminë Kulturore gjatë takimit që u zhvillua në kryeqytetin e Kamboxhias, Pnom Pen.

Orizoret e Honghe janë zona e 45-të e trashëgimisë kulturore në Kinë dhe e para që ka lidhje me pakicën kombëtare Hani.

Orizoret janë shembulli më i mirë i procesit unik të prodhimit bujqësor dhe trashëgimisë, traditave e besimeve të minoritetit Hani

Orizoret, që ndodhen në zonën Yuanyang, të prefekturës autonome të Honghe Hani dhe Yi në Yunnan zënë një hapësirë prej 461 kilometrash katrorë. Zona e trashëgimisë, shtrihet në 166 kilometra katrorë dhe aty gjenden orizoret më mirë të zhvilluara në tre lëndina, ku jetojnë 80 mijë persona të minoritetit Hani dhe gjashtë grupeve të tjera etnike, që banojnë në 82 fshatra. Vizitorët shpesh mahniten nga orizoret e krijuara nga dora e njeriut pranë maleve të thepisura.

Gjatë dekadës së fundit, bukuria idilike e kësaj zone është zbuluar nga shumë persona nga e mbarë bota. Veçanërisht orizoret e Honghe Hani ofrojnë një gërshetim të procesit të kultivimit të orzit dhe bukurisë natyrore. Kjo gjë u prezantua edhe në një dokumentar të titulluar "Kina e egër", i prodhuar nga BBC-ja në bashkëpunim me CCTV-në në vitin 2008.

Siç theksohet në të, kinezët kanë kultivuar oriz për të paktën tetë mijë vjet. Ndërsa tani e kanë ndryshuar panoramën e prodhimit.

Orizoret e pakicës kombëtare Hani prezantojnë një libër historie të gjallë të kultivimit të orizit. Sipas të dhënave historike, orizoret e Honghe Hani datojnë që prej mbi 1300 vjetësh.

Orizoret e Yunnan-it janë nga strukturat më të vjetra në Kinë. Gjatë 1300 viteve të kaluara banorët e minoritetit Hani e kanë kthyer këtë zonë në një sistem ekologjik harmonik, që përbëhet nga pyjet, fshatrat, taracat dhe uji.

Pyjet në majë të maleve luajnë një rol të rëndësishëm në këtë sistem, duke shërbyer edhe si rezervuarë të ujit të grumbulluar nga shirat dhe duke e shndërruar atë në burime natyrore e lumenj. Banorët ndërtuan një sistem kompleks tubacionesh për të sjellë ujin nga maja e malit në orizore. Në fund të luginave, uji avullon në atmosferë, duke u ftohur dhe duke rënë në formën e shiut. Ky është një cikël ekologjik, thonë ekspertët.

Banorët Hani historikisht kanë besuar se zonat pyjore janë shtëpia e perëndeshës Angma, emri i të cilës përkthehen Shpirti i Fshatit dhe perëndeshës së mbrojtjes së tokës Misong, që i ka bekuar duke iu dhënë paqe e prosperitet.

Zona ofron kushtet ideale për kultivimin e orizit. Hapësira është një nga krijimet më të mrekullueshme inxhinerike të periudhës paraindustriale të Kinës. Duket sikur çdo metër toke shfrytëzohet për kultivim. Sistemi i integruar i bujqësisë gjithashtu përfshin demat, patat, peshqit, ngjalat dhe shumë kafshë.

Banorët e minoritetit Hani adhurojnë diellin, hënën, malet, lumenjtë, pyjet dhe zjarret. Për më tepër, sistemi i menaxhimit të orizoreve tregon harmoninë mes njerëzve dhe mjedisit, si vizualisht ashtu edhe ekologjikisht. Kjo duke u bazuar në strukturat e hershme sociale e fetare.

Përsa i përket prodhimit bujqësor, fermerët besojn se të gjitha burimet janë dhurata të Nënës Natyrë. Ekonomia e bazuar në forcat e veta është thelbësore për stilin e jetesës tradicional vendor. Banorët mundohen të shmangin përdorimin e produkteve industriale, si kimikatet, plehu, apo traktorët.

Kështu, nga fundi i prillit deri në fund të shtatorit, banorët e minoritetit Hani kultivojnë oriz të kuq, që është dominant në këto orizore. Ata përdorin parmendat e tërhequra nga demat për të punuar tokën. Peshqit dhe patat ushqehen rregullisht, për të përmirësuar fertilitetin e për të siguruar ushqim për fshatarët. Uji i burimeve e i shiut grumbullohet nga pyjet e shpërndahet nëpërmjet sistemit të gropave, kanaleve dhe tubacioneve prej bambuje.

Banorët Hani gjithashtu preferojnë të përdorin materiale vendore për të ndërtuar shtëpitë. Zonat e banimit përbëhen nga shtëpi si kërpudha të ndërtuara nga balta, gurët dhe me çati kashte në formën e çadrës.

Zakonisht, shtëpitë kanë tre kate. Në të parin vendoset bagëtia, në të dytin banohet, ndërsa i treti përdoret si magazinë për drithërat.

Për të mbrojtur këtë trashëgimi të kulturës botërore, autoritetet dhe banorët kanë ndërmarrë nisma të qendrueshme. Qeveria lokale po bashkëpunon me Fakultetin e Arkitekturës së Universitetit Tsinghua për të krijuar guidat për mirëmbajtjen e pjesës së jashtme të shtëpive "kërpudha".

Autoritetet kanë menduar edhe për turizmin, duke iu ofruar fermerëve subvencione për t'i nxitur të vijojnë kultivimin e orizit. Kjo pasi ekziston frika se banorët lokale mund t'i braktisin orizoret për të punuar në industrinë e turizmit. Duke nisur nga tetori, vetëm makinat elektrike do të lejohen të qarkullojnë në këtë zonë të trashëgimisë.

Përfaqësuesit e pushtetit vendor thonë se pritet të rritet numri i turistëve, por pavarësisht kësaj nuk do të dëmtohen zona. Ndaj ekspertët kërkojnë që autoritetet të vendosin rregulla të rrepta për vizitorët aty.

Pritet që të ardhurat nga turizmi në prefekturën Yuanyang të trefishohen, tani që zona është pjesë e listës së trashëgimive botërore. Në vitet e ardhshme numri i turistëve pritet të arrijë në 1.5 milionë.

Por rregullat dhe kufizimet nuk janë të mjaftueshme. Ekspertët sugjerojnë që autoritetet t'i kushtojnë vëmendje përmirësimit të infrastrukturës së fshatrave dhe qyteteve e të vendosin një sistem menaxhues për të ofruar shërbime për turistët. Kështu, vizitorët mund të shijojnë jetën tradicionale të fshatit dhe të relaksohen pa dëmtuar mjedisin.

Banorët kanë filluar të hapin hane në zonën e orizoreve të famshme dhe vizitorët kanë nisur të shtohen. Ata thonë se kultivimi i orizit është një traditë e shtrenjtë e minoritetit Hani dhe se sado të pasur të jenë, nuk do të braktisin tokën që e kanë trashëguar nga paraardhësit.