">Sezoni kulturor i vjeshtës në Kinë<IMG border=0 align=absMiddle src=" /mmsource/images/2004/06/29/litsen1.gif">
Sezoni kulturor i vjeshtës në Kinë
  2015-08-27 17:00:16

Sezoni dimëror i Baletit në Pekin

Baleti kinez dhe trupa të huaja baleti do të jenë të pranishme në programin dimëror të shfaqjeve në Pekin. Mediat vendëse njoftojnë se nga 6 nëntor deri më 26 dhjetor do të zhvillohet Sezoni Ndërkombëtar i Baletit, edicioni i dytë i të cilit do të paraqesë shfaqjet në Teatrin Tianqiao në Pekin.

Me mbështetjen e Baletit Kombëtar të Kinës dhe Trupës së Baletit të Pekinit, pjesë e Kompanisë së Performimit Artistik në këtë sezon të ri baleti janë ftuar të marrin pjesë dhe shumë trupa të huaja por edhe solistë të baletit.

Ndër trupat pjesëmarrëse janë ajo e Bolshoi Teatrit të Rusisë, Trupa e Operas dhe Baletit të Parisit, Trupa Mbretërore e Baletit nga Birmingami, si dhe 16 trupa të tjera kineze dhe të huaja. Publiku i kryeqytetit është admirues i baletit jo vetëm vendës por edhe të huaj. Për këtë mjafton të kujtojmë se sezonin dimëror të trupës së baletit në vitin 2013 e ndoqën 60 mijë spektatorë.

Festivali i Muzikës i Pekinit në tetor

Edicioni i 18-të i Festivalit të Muzikës së Pekinit do të ngrejë siparin më 8 tetor në Sallën e Koncerteve të Qytetit të Ndaluar, njoftuan këto ditë organizatorët e tij.Festivali do të hapet me shfaqjen "When East Meets West" me dirigjent Yu Long në drejtimin e Orkestrës Filarmonike të Kinës, por në edicionin e këtij festivali do të prezantohen arie të operave të njohura vendëse dhe botërore, koncerte në piano dhe pjesë të tjera muzikore. Mësohet se Festivali do të zhvillohet për 16 ditë në teatro të ndryshme të Pekinit. Në konferencën për shtyp dirigjenti Yu, njëherësh drejtor artistik i Festivalit tha se çdo vit ka festival sjell për publikun vepra të reja të muzikës klasike. Ai bëri të ditur se gjatë këtij edicioni do të shfaqen dhe prodhime të reja të "Tristanit dhe Izoltës" si dhe krijime të Richard Wagnerit.

Ndërsa e reja e edicionit të sivjetëm të Festivalit të Muzikës së Pekinit është Melodia unike "Ping Pong Match" e cila do të shfaqet si një performancë krejt e re dhe e jashtëzakonëshme më 22 tetor. Drejtori artistik Yu tha se dy pingpongistë do të luajnë në skenë këtë sport tepër popullor në Kinë, ndërsa Orkestra Filarmonike e Kinës do të shoqërojë me melodi lëvizjet e tyre.

Mbrojtja e dialekteve

Si pasojë e urbanizimit të shpejtë të Kinës shumë njerëz kanë lëvizur nga një krahinë e vendit në tjetrën. Për këtë arsye shumë dialekte rrezikojnë të zhduken. Edhe në Kinë si kudo ku zhvillimet demografike janë të vrullshme, një pjesë e fshatrave banohen nga të moshuarit pasi të rinjtë kryesisht u janë drejtuar qyteteve të mëdha.

Sipas një vëzhgimi të botuar këto ditë nga China Youth Daily 22.1 % e 2,003 të anketuarve janë shprehur se gjithnjë e më rrallë ata përdorin dialektet e tyre të vendlindjes, për shkak të punës dhe të ambjentit shoqëror. Të anketuarit i përkasin moshës nga 16 deri në 25 vjeç.

Putonghua ose Mandarin, përdoren në mbarë Kinën dhe këto kanë nëndialektet e tyre. Por Kina ka 59 minoritete të cilat përdorin dialektet e tyre.

Shen Yuan, është student nga provinca Zhejiang i cili studjon në Pekin dhe ai thotë se sa të vështirë e ka në kryeqytet të mund të përdorë në bashkëbisedim dialektin e tij të vendlidjes.

i shqetësuar se një ditë ky dialekt i trashëguar brez pas brezi do të humbë Shen thotë se në vendlindjen e tij fëmijët në kopësht dhe shkollë mësojnë dhe flasin Mandarin, ndërsa të rinjtë priren të përdorin në komunimim Putonghua .

Zhu Zhenmiao, është Ph.D. në Gjuhësi dhe punon pranë Universitetit të Shangait. Duke folur për divestitetin e madh gjuhësor në Kinë, krahas diversitetit etnik dhe kulturor, ai vëren se dialekti Mandarin ka shërbyer me mjaft sukses të lehtësojë komunikimin në të gjithë popullsinë e Kinës, ku zotërojnë shumë dialekte, gjuhë dhe zhargone. Sipas tij në botë ka 6 500 gjuhë, ndërsa dialektet e Kinës përbëjnë një trashëgimi të çmuar kombëtare.

Ministria e Arsimit e Kinës dhe komisioni shtetëror i gjuhës po kryejnë studime për dialektet e pakicave kombëtare me synim ruajtjen e tyre. Studjuesit e gjuhës janë të mendimit se roli i internetit mund të ndikojë pozitivisht në ruajtjen e dialekteve. Interneti ruan artikuj,video, muzikë dhe të gjitha këto janë të lidhura me gjuhën dhe përhapen kudo. Pikërisht këtu qëndron mundësia e ruajtjes dhe e përhapjes së dialekteve nga ata që i flasin.(Eda Merepeza)