">"Qytet sfungjeri" kundër përmbytjeve<IMG border=0 align=absMiddle src=" /mmsource/images/2004/06/29/litsen1.gif">
"Qytet sfungjeri" kundër përmbytjeve
  2015-08-10 15:43:08

Reshjet e dendura kanë shkaktuar përmbytje në shumë krahina të Kinës, vetëm shirat në fillim të korrikut kanë prekur mbi 4 milionë banorë në provincën jugperëndimore Sichuan, mbi 1 mijë banorë në provincën jugore Hu'nan, dhe 1.3 milonë banorë në provincën qendrore Anhui.

Jo vetëm fshatrat e largët, por edhe qytetet e mëdha të vendit përballen çdo verë me përmbytje. Për metropolet jugore me miliona banorë pranë lumit Jance si Shangai, Nankini, Wuhani etj., stuhitë e shiut shkaktojnë gjithmonë rritjen e nivelit të ujrave të lumit, vështirësi në qarkullimin rrugor dhe transport të bllokuar.

Reshjet e rëna natën e 16 qershorit prekën rëndë distriktet veriore të Shangait. Në mëngjesin e ditës tjetër, shumë makina ishin mbuluar nga uji dhe kalimtarët kalonin me vështirësi nëpër rrugë të përmbytura. Studentët e dy universiteteve më të njohura Fudan dhe Tongji u detyruan të qëndronin në konvikte, ndërsa panë të notonin në rrugë, peshqit e kuq të rezervuarit të shkollës.

Sipas z. Yang Zhenghong, punonjës i Deptartamentit të Pronësisë të Universitetit Tongji, kantierët që janë në ndërtim e sipër afër shkollës kanë ulur aftësinë e sistemit kullues. "Krahas ndërtimit të linjës së metrosë, rrugët e reja ndërtohen në nivel të lartë, duke krijuar disnivele në këtë distrikt", tha z. Yang.

Por, Tongji nuk është i vetmi i prekur nga përmbytjet. Vitet e fundit shumë korpuse universitare në Wuhan, Nankin dhe Xiamen janë prekur rëndë nga përmbytjet në verë.

Shangai, Nankini apo Wuhani janë vetëm disa shembuj ndër më shumë se 100 qytete të Kinës që preken çdo vit prej përmbytjeve. Sipas Qendrës Kombëtare kundër Përmbytjeve dhe Thatësirave pranë Këshillit të Shtetit të Kinës, në vitin 2012, "përmbytjet urbane" sulmuan 184 qytete dhe në vitin 2013 e 2014, numri i tyre ishte përkatësisht 234 dhe 125.

Sipas z. Zhang Jiatuan, një nga zëdhënësit e Qendrës, shumë qeveri vendore nuk kanë treguar kujdes të mjaftueshëm për sistemin e kullimit të ujrave në qytet, gjë që shkakton rregullisht përmbytje. "Për një kohë të gjatë, autoritetet vendore i kanë kushtuar vëmendje të madhe 'projekteve mbi tokë' që pasqyrojnë dukshëm arritjet e tyre, duke injoruar ato nëntokësore, që mund të sjellin pasoja të paparashikuara", tha z. Zhang.

Sipas të dhënave, ndër 657 qytete të Kinës, mbi 300 prej tyre nuk arrijnë standardet kombëtare për parandalimin e përmbytjeve urbane.

Liu Bo, nga Zyra e Higjenës Publike e Mjedisit e qytetit Chang'de të provincës Hu'nan është edhe një ndër ekspertët më të njohur në Kinë për "zhvillimin me ndikim të vogël(low-impact development)" ndaj mjedisit. Sipas tij për shkak të sistemit të vjetër dhe mungesës së mirëmbajtjes së sistemit të kullimit të ujrave, shumë qytete në vend për përballimin e përmbytjeve mbështeten te stacionet e pompimit. "Procesi i urbanizimit, sidomos zgjerimi i sipërfaqes së ndërtimeve vështirëson kullimin e ujrave. Uji i mbetur në sipërfaqe shkakton përmbytje ", tha z. Liu.

Por, vitet e fundit, një numër i konsiderueshëm qytetesh, duke përfshirë kryeqytetin Pekin janë prekur shpesh nga përmbytjet, ndaj po nxjerrin mësimet e duhura nga fatkeqësitë natyrore. Më 21 korrikt të vitit 2012, Pekini u përball nga stuhitë më të mëdha të shiut në 60 vitet e fundit. Reshjet shkaktuan 79 viktima, si dhe rreth1.61 miliardë dollarë amerikanë dëme ekonomike. Për shkak të përmbytjeve, shumë rrugë u dëmtuan dhe mijëra banesa u zhytën në ujë.

Përveç përmirësimit të sistemit nëntokësor të kullimit, bashkia e Pekinit nisi të përdorë median sociale për paralajmërim në rast stuhie shiu, edhe mbikëqyrjen e rrugëve, që mund të preken nga përmbytjet. Sipas z. Zhang Jiatuan, ky sistem i reagimit të shpejtë, me dërgimin e njoftimit për përmbytje të mundshëm mund të luajë një rol kyç në pakësimin e dëmeve në zonat e prekura.

"Ndër to, bashkërenditja midis departamenteve të bashkisë është faktor kyç. Përhapja e shpejtë e informacioneve konsiderohet e vlefshme edhe për shmangien e aksidenteve me njerëz ", thotë z. Zhang.

Ekspertët vënë në dukje se masa më efektive për të parandaluar përmbytjet urbane është ndalimi i depërtimit të ujit. Për të zgjidhur këtë problem, qeveria kineze ka nisur nxitjen e programit "qytet sfungjeri", në bazë të eksperiencave të ShBA-së dhe të Kanada-së në "zhvillimin me ndikim të vogël" ndaj mjedisit.

16 qytete dhe distrikte, përfshirë Xia'men-in, Wuhan-in dhe zonën Gui'an të provincës Guizhou u zgjodhën si vende eksperimentale për këtë program, që zbatohet nga Ministria e Ndërtimit dhe e Zhvillimit Urban-Rural dhe Ministria e Burimeve Ujore të Kinës.

Sipas programit, në këto zona, mbi 60% e reshjeve do të kullohen. Kurse krahinat me aftësi të pakta të sistemeve të kullimit do të merren me shfrytëzimin e ujit të mbledhur. Projektet konkrete përfshijnë ndërtimin e rezervuarëve, bazeneve të filtrimit të ujrave dhe kanaleve të kullimit për "thithjen" e sa më shumë ujrave.

"Kjo kërkon ndryshimin e konceptit të ndërtimit urban, ku reshjet konsiderohen si një burim natyror që mund të shfrytëzohet, dhe jo si një pengesë. Ndërtimi i qytetit nuk duhet të prishë sistemin ekologjik, por duhet të kontribuojë në përtëritjen e tij", tha z. Chen Zhenggao, ministër i Ndërtimit dhe i Zhvillimit Urban-Rural.

Su Yonghong, specialist pranë Komitetit Administrativ të Zonës Gui'an të provincës Guizhou, një ndër 16 vendet e zgjedhura për projektin pilot "qytet sfungjeri" tha se projekte të tilla mund të kenë efekt më të dukshëm për krahina të vjetra,pasi aty nuk ka shumë mundësi dhe hapësira për riprojektim ose rindërtim në përmasa të mëdha.

Megjithatë, ai shpreh shqetësimin për financim sepse një program i tillë kërkon investime të mëdha infrastrukturore. Sipas ministrit Chen, zbatimi i programit në çdo kilometër katror tokë kushton 100 millionë deri në 150 milionë juanë(16ml$-24mln$).

Një fond kaq i madh do të përbëjë sfidë të madhe për qeveritë lokale. "Edhe pse qeveria qendrore na financon 400 milionë juanë, për zbatimin e programit, në zonën Gui'an duhet një investim 10 herë më i madh se fondi i shpërndarë. Pjesa e mbetur do të zgjidhet me fondet e bashkisë sonë", shtoi z. Su. Ai shpreson se qeveria qendrore do të shtojë financimin, duke vendosur edhe kritere vlerësuese ndaj punës së bërë nga pushteti lokal në parandalimin e përmbytjeve në zonat urbane.