">Kultura kineze në Nju Jork<IMG border=0 align=absMiddle src=" /mmsource/images/2004/06/29/litsen1.gif">
Kultura kineze në Nju Jork
  2015-06-07 16:43:52

Ekspozita me fotografi me titull "Beautiful China" është një nga veprimtaritë në kuadër të Panairit Ndërkombëtar të Librit , i njohur si BookExpo America (BEA) 2015, i hapur që të mërkurën e kaluar në selinë e OKB-së. Krahas 193 vendeve të tjera pjesmarrëse në ekspozitën fotografike "Beautiful China" janë paraqitur vlerat historike dhe kulturore të Kinës, tha përfaqësuesi i përhershëm i Kinës në OKB, Liu Jieyi, në ceremoninë e hapjes.

 

Nga këto foto shihet natyra dhe humanizmi i Kinës, si dhe përpjekjet e Kinës për zhvillimin e gjelbër, bazuar në energjitë e reja si ajo diellore apo e erës, shtoi Liu. Në këtë foto-ekspozitë janë paraqitur 63 fotografi që prezantojnë pasuritë dhe trashëgimitë kulturore dhe natyrore të Kinës, si dhe harmoninë në bashkëjetesën 5 ngjyrëshe të botës.

Kurator i ekspozitës fotografike "Beautiful China" është Tao Hua i cili gjithashtu foli në ceremoninë e hapjes së saj në Nju Jork për vlerat njohëse të punëve të ekspozitës për publikun e huaj.

Ndërkohë në Qendrën Javits të Nju Jorkut nga 27-31 maj Kina prezantoi pavijonin e saj në BookExpo America 2015, duke paraqitur rreth 10 mijë tituj librash nga 150 botues. Kina ishte e ftuar e nderit e këtij panairi ndërkombëtar të librit që njihet si më i madhi në SHBA dhe ndër më të mëdhenjtë në botë.

Kjo ishte pjesmarrja e tretë e Kinës në një Panair të dimensioneve të mëdha ndërkombëtare, pas pjesmarrjes në 2009 në Panairin e librit në Frankfurt dhe në 2012 në atë të Londrës. Këtë e deklaroi zëvendësministri i Administratës Shtetërore për Median, Botimet, Radion , Filmin dhe Televizionin Wu Shangzhi gjatë ceremonisë së hapjes së Panairit.

Ky ishte shkëmbimi më i madh midis botuesve dhe autorëve kinezë me homologët e tyre amerikanë por dhe nga vende të tjera, të pranishëm në panair, si dhe më i madhi në fushën e kulturës dhe të botimeve që pas vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Kinës dhe SHBA-së në 1979.

 

Zëvendësministri kinez Wu bëri të ditur se delegacioni kinez në BookExpo Amerika 2015 kishte në përbërje të tij 500 anëtarë dhe është një mundësi e mirë për bashkëpunimin dypalësh në fushën e botimeve dhe të përkthimeve. Ish sekretari amerikan i shtetit Dr.Henry Kissinger në një mesazh përshëndetës drejtuar kësaj veprimtarie ndërkombëtare vlerëson pjesmarrjen e Kinës si e ftuar nderi e panairit.

 

Sipas tij shkëmbimet në fushën e botimeve janë një kontribut i rëndësishëm në zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve SHBA-Kinë.

Pavijoni kinez në Panair zuri një hapësirë prej 2300 metra katrorë dhe u ofroi vizitorëve të shumtë botime nga fusha e politikës, ekonomisë, historisë, artit, kulturës si dhe nga trashëgimia kulturore e minoriteteve etnike të Kinës. Ndër librat e panairit përmendim romane në anglisht të Nobelistit kinez Mo Yan apo fantastiko-shkencore të mjeshtrit Liu Cixin. Ndër 10 mijë titujt e panairit të Nju Jorkut vetëm 2 mijë janë në gjuhën angleze, njofton Xinhua. Sipas menaxherit të marketingut të CN Times Books, Paul Mytovich ndonëse ka mjaft libra në anglisht për Kinën, por mungojnë vepra të shkrimtarëve kinezë të përkthyera në anglisht në tregun amerikan të librit. Ndërsa Kristin McDonough, drejtore e Bibliotekës Publike të Nju Jorkut për Skencën, Industrinë dhe Biznesin ka thënë për Xinhua se në tregun amerikan të librit mungojnë autorët kinezë, ndaj duhet punuar në drejtim të përkthimit të veprave të tyre. Presidenti dhe CEO i Shoqatës së Botuesve Amerikanë Tom Allen ka vlerësuar pjesmarrjen e Kinës si e ftuar nderi në Book Expo America 2015 veçanërisht për takimet midis botuesve dhe autorëve kinezë të librit me kolegët e tyre amerikanë. (Eda Merepeza)