">Fotografi nga qielli-rooftopping<IMG border=0 align=absMiddle src=" /mmsource/images/2004/06/29/litsen1.gif">
Fotografi nga qielli-rooftopping
  2015-06-01 16:54:00

Të qëndrosh i varur në një ndërtesë 30 katëshe është një tmerr i vërtetë për shumicën e njerëzve, por jo për 24 vjeçarin Liang Zhongkang, i cili ka shpirtin e aventurës. Ai e kreu këtë aventurë në janar të këtij viti në majën e një qiellgërvishtëseje në qytetin Guangzhou të provincës Guangdong. Ky i ri me profesion shitjet online jo vetëm po performonte aftësinë e tij për të qëndruar i varur në lartësi të mëdha, por po bënte dhe fotografi nga ai pozicion i frikshëm për këdo. Në ditët tona kjo lloj aventure ajrore ka marrë emrin "rooftopping", që mund ta përkthejmë në shqip "në majë të çatisë"

Ky art i ri i fotografimit kërkon që fotografi të ngjitet në maja të larta ndërtesash, për të realizuar foto sa më të përsosura. Liang nuk mbeti i kënaqur nga fotot e para të kryera në lartësi, ndaj i ka përsëritur ato disa herë. Ndonëse një herë në lëvizje e sipër në ajër ai për pak ra, përsëri vazhdoi aventurën e fotografimit nga maja e çatisë. Kur e pyesin të riun kinez Liang përse rrezikon jetën duke fotografuar në lartësi kaq të mëdha ai përgjigjet shkurt se "rooftopping" është mjaft sfidues dhe interesant. Ai është ndër të paktët kinezë që ushtrojnë këtë hobby dhe kjo dëshirë i lindi pasi pa tetorin e kaluar në rrjetin social të Kinës Wechat disa foto të realizuara nga majat e larta. Liang nuk u mjaftua me kaq por krijoi dhe një grup simpatizantësh që fotove nga lartësitë në Sina Weibo, që ndiqet nga 19 mijë vetë.

Koleksion fotosh të qytetit

Në qershor të vitit 2013, kinezi 24 vjeçar Li Jinfeng punonjës i një kompanie elektrike në Taiyuan të provincës Shanxi bleu një aparat fotografik me dëshirën për të kryer foto nga lartësitë. Kur e pyesnin përse i kishte lindur kjo dëshirë që mund të shkaktonte edhe vdekjen e tij, Li thotë se i pëlqen aventura. Pas realizimit të fotove të para nga lartësitë e ndërtesave, Li nisi të mblidhte fotot që reflektojnë ndryshimet e qytetit të tij. Sipas tij realizimi i fotove nga toka është i kufizuar, kurse rooftopping apo realizimi i fotove nga lartësitë e mëdha të jep më shumë mundësi për pasqyrimin tërësor të objekteve.

Dhjetorin e kaluar Li u ngjit në një nga ndërtesat më të larta në qytetin e tij të lindjes Taiyuan, e cila ende nuk kishte përfunduar, ku realizoi gjatë natës disa foto.

Një tjetër i apasionuar pas rooftopping është fotografi 28 vjeçar Yan Jie i cili ka realizuar mjaft foto të Pekinit nga lartësitë e mëdha.Ai thotë se shumë njerëzve ju pëlqen të koleksionojnë foto të qyteteve, ndaj ka zgjedhur këtë mënyrë të veçantë ndonëse disi të rrezikshme për realizimin e fotove. Koleksioni i tij përmbledh qendrën e biznesit të Pekinit CBD, një tjetër zone ndërtesash të larta në distriktin Wangjing dhe Chaoyang të kryeqytetit kinez si dhe Fortune Plaza dhe ndërtesën e Televizionit Shtetëror të Pekinit.

Vështirësitë e rooftopping-ut

Pavarësisht se fotografimi nga lartësitë e mëdha është i vështirë për këdo, ata që e ushtrojnë këtë aventurë thonë se kjo nuk përbën problem për ta. Sipas Liang sa më lart të jesh aq më bukur i realizon fotot, por shqetësim për të përbën fakti se shumë nga çatitë e ndërtesave të larta janë të mbyllura për publikun dhe i duhet leje për të fotografuar nga aty. Të njejtat problem tregon edhe fotografi Yan që ndonëse synon maja të larta ndërtesash për fotografim, ato janë të mbyllura. Li është anëtar i shoqatës së fotografëve të Kinës dhe ka një liçencë si fotograf, ndaj për të është më e lehtë të marrë leje për fotografimin në majat e larta të ndërtesave. Një tjetër vështirësi për ushtruesit e këtij arti apo sporti të fotografimit është mbajtja e pajisjeve ndërsa qëndron i varur në lartësi. Madje ata thonë se personave që kryejnë rooftopping u duhet një përgatitje e veçantë fizike për të përballuar orët e zgjatura të kësaj pune, por edhe për të fotografuar në lartësi. Yan tregon se pas disa ditë fotografimi në ndërtesën e lartë në Wangjing të Pekinit, i duhej të ngjitej deri atje duke mbajtur në krahë pajisje rreth 15 kg, por atij i pëlqen kjo punë dhe i sfidon vështirësitë. Ndër vështirësitë e punës së tyre fotografët radhisin dhe smogun e Pekinit që shpesh i pengon të realizojnë foto cilësore. Përsa i përket anës financiare ata thonë se rooftopping nuk ka fitime të mëdha dhe është e pamundur të jetosh vetëm me të ardhurat nga kjo punë. Por si hobby është vërtet i veçantë. Liang shpesh nxit miqtë dhe kolegët e tij fotografë të ushtrojnë rooftopping, madje dhe ata që vuajnë nga frika nga lartësitë.

Drejt ekstremit

33 vjeçari Yan Lei është i pari fotograf I stilit rooftopping në Kinë i cili e ushtroi për here të pare këtë lloj fotografimi para 5 vjetësh. Për median kineze ai thotë se përvoja e Kinës në këtë lloj të ri fotografimi është 5 vjeçare, ndërsa në Perëndim ajo ka nisur para 6 vjetësh. Ai thotë se tashmë numri i fotografëve kinezë që praktikojnë roof topping është rritur dukshëm, por ata përballen me vështirësi. Madje njëri prej fotografëve është thirrur në polici për të dhënë shpjegime për qëndrimin e tij në majë të ndërtesës së lartë, pas njoftimit të një qytetari se ai rrezikonte jetën. Ndaj për kryerjen e fotove në lartësitë e ndërtesave nevojitet leje e posaçme pasi jo të gjithë mund të realizojnë profesionalisht dhe mbi të gjitha në masa sigurie këtë pasion kaq të veçantë. (Eda Merepeza)