">"Kryeqyteti" gastronomik i Lindjes<IMG border=0 align=absMiddle src=" /mmsource/images/2004/06/29/litsen1.gif">
"Kryeqyteti" gastronomik i Lindjes
  2015-05-28 17:38:11

Rajoni i Posaçëm Administrativ i Hong-Kongut është konsideruar si kryeqyteti gastronomik i Lindjes, ku gjen gjithçka. Edhe me ndikimin e kulturës së Perëndimit, për shumë kohë këtu shijohet kuzhina më e mirë kantoneze, falë traditës dhe burimeve. Nëse anglezët nuk hoqën dorë kurrë nga çaji me qumësht e biskotat, apo edhe nga peshku me patate, kinezët nuk hoqën dorë nga makaronat dhe jiaozi-të, vaji i susamit apo speci djegës. Nga ushqimi i rrugës e deri te kuzhinat e restoranteve më shik, gjithçka përgatitet dhe serviret duke u bazuar te dija dhe kultura gastronomike mijëravjeçare.

Hong Kongu është ndoshta i vogël, por ai i ofron të gjitha llojet e ushqimit të botës. Për shumë vjet kinezët dhe të huajt kanë jetur së bashku këtu dhe një numër gjithnjë më i madh kinezësh kanë trashëguar shijen e ushqimeve perëndimore. Disa zona kanë një përqëndrim të madh baresh dhe restorantesh perëndimore.

Në Hong-Kong, kuzhina më e përhapur është ajo kantoneze, një lloj kuzhine që bazohet në freskinë e ushqimeve, ku të gjithë përbërësit duhet të jenë të freskët, që përgatiten dhe shërbehen në moment. Peshku, për shembull, duhet të jetë i gjallë deri në momentin e gatimit, ndaj, në tregjet e vendit, pulat, breshkat etj shiten të gjalla, ose të therura në momentin e blerjes.

Kuzhina kantoneze ka një shije delikate falë përbërësve të saj: pak vaj dhe pak kripë. Mes pjatave më të veçanta është ajo me mish pëllumbi dhe supat e perimeve e drithërave të shoqëruara këto zakonisht me perime të ziera në avull. Por, ajo që i dallon hongkongasit nga të tjerët janë recetat dhe ushqimet e mrekullueshme dim-sum (prek zemrën tënde). Kinezëve u pëlqen të hanë jashtë, ndaj aty janë shumë popullore dim-sum-ët, një bashkësi pjatash që variojnë nga të kripurat e deri te të ëmblat, të cilat serviren vetëm për mëngjes apo drekë, të shoqëruara gjithmonë nga çaji. Hong-Kongu është vendi ku përgatiten dim-sum-ët më të mirë e ku restorantet nisin t'i shërbejnë nga ora 06:30, deri në mesditë.

Kuzhina kantoneze deri pak kohë më parë ishte kuzhina kineze më e njohur në Perëndim. Klima e ngrohtë dhe e lagësht e Kantonit krijon kushte të shkëlqyera për kultivimin thuajse të gjithçkaje. Kështu, kjo kuzhinë përdor një llojshmëri të madhe perimesh, të ziera në temperaturë të lartë dhe për një kohë të shkurtër, për të mos prishur kështu shijen e tyre të freskët e të butë, si edhe përmbajtjen në vitamina.

Llojshmëria e kulturave të zonës ofron një mundësi të gjerë zgjedhjeje të perimeve e, si rrjedhim, edhe të gjellëve. Gjithashtu, edhe mënyrat e gatimit dhe recetat janë të stërholluara e të shumëllojshme, duke bërë kështu që kuzhina e Guandong-it të jetë më e pasura ndër ato kineze. Gjellët e saj janë përtëritëse e të lehta.

Dy gjellët më të famshme të kuzhinës së Guangdong-ut janë gici i pjekur me qumësht dhe tava me mish të përzier me fletë peshkaqeni.

Një Eden për adhuruesit e ushqimeve

Shefa kuzhine nga pothuaj çdo cep i Kinës hedhin në veprim këtu gjithë aftësitë e tyre, për të ofruar ushqim kinez me famë botërore. Restorantet e mëdha kineze në zonën e qendrës janë të njohura për gatimin e tyre të klasit të parë. Asnjë turist nuk mund të largohet, p.sh., pa shijuar ushqime deti, gatuar pas mënyrës kantoneze. Gjëja më e rëndësishme është të gjesh ushqime deti të freskëta dhe, në restorantet e bregut të detit, turistët mund të shijojnë ushqime deti të sapopeshkuara. Midis vendeve më të famshme për ushqime deti janë Porti i Saikung-ut në Kowloon, Lei Yue Mun dhe Ishulli Lamma.

Disa gatime të kuzhinës kantoneze

Kuzhina kantoneze, e njohur gjithashtu si Kuzhina Yue i përket stilit të gatimit të Provincës Guangdong në jug të Kinës. Ky lloj unik gatimi është shumë popullor në restorantet kineze në mbarë botën.

Salcat kanë një rol tepër të rëndësishëm në kuzhinën kantoneze, të cilat variojnë nga salca e kumbullave e deri tek salcat e ëmbla dhe të tharta. Disa përbërës të tjerë në kuzhinën kantoneze përfshijnë qepët e njoma, sheqerin, kripën, produktet e sojës, verën e orizit, niseshtenë, uthullën dhe vajin e susamit. Hudhra përdoret gjerësisht, sidomos në pjata me të përbrëndshme kafshësh. Xhenxhefili, speci djegës, piperi i bardhë, ylli anise dhe erëza të tjera përdoren për të përmirësuar shijen e ushqimeve.

Kuzhina kantoneze përmban përbërës që rrallë shihen në kuzhinën perëndimore ose nuk shihen fare, ku përfshihen gjarpërinjtë dhe macet, që konsiderohen nga vendasit si ushqimet më të shijshme.

Në kontrast me metodën e gatimit në Sichuan ku ushqimet skuqen, kantonezët preferojnë më shumë gatimin në avull dhe zierjen e ushqimit.

Gatime tradicionale kantoneze

Këto gatime janë koleksioni më i hershëm i ushqimit kinez. Zakonisht janë të thjeshta për t'u gatuar dhe janë ushqimet më të zakonshme në menutë e restoranteve kantoneze. Mes tyre veçojmë vezët e gatuara në avull, makaronat Shahe, të cilat janë makarona orizi me origjinë nga qyteti Shahe, në Guangzhou.

Kuzhina kantoneze ndahet në 3 degë:

1.Kuzhina e Guangzhou-t

Kuzhina e Guangzhou-t ofron mbi 2,000 lloje gatimesh. E përgatitur me përbërës tepër cilësorë dhe të shumëllojshëm, kuzhina e Guangzhou-t është e lehtë e shijshme dhe e shëndetshme.

2.Kuzhina Chaozhou

Ushqimi Chaozhou është i ngjashëm me kuzhinën e Fujian-it. Përmban kryesisht ushqime deti dhe lloje të ndryshme supash. Preferohet përdorimi i salcës së peshkut, pikante dhe uthullës së kuqe.

3.Kuzhina Dongjiang

Gatimet Dongjiang të njohura në rajonin Heyuan, njihen si kuzhina Hakka. Shumë gatime të kuzhinës Hakka ushqejnë energjinë chi dhe veshkat, reduktojnë zjarrin e brendshëm, pastrojnë mushkritë dhe kthjenë shkëlqimin e syve, si dhe përmirësojnë lëkurën. Mes gatimeve bëjnë pjesë pula me salcë fasulesh, supa me peshk, mishi i pulës i gatuar në avull makaronat e orizit dhe keku Niujin.

Megjithatë, kuzhina kantoneze ka karakteristikat e saj, përdor përbërës të shumtë dhe ofron lloje të pafundme shijesh, formash dhe ngjyrash në të katërta stinët. Kjo kuzhinë gëzon reputacionin e "100 llojeve snacks të cilat kanë 100 shije dhe 100 forma." Ekziston dhe një shprehje e vjetër: "Kuzhina e Guangdong-ut ofron ushqimin më të mirë në vend." Tani themi se: "Guangdong-u ofron shije nga e gjithë bota."