">"Festivali i 12-të i kulturës" një manifestim studentor në Pekin<IMG border=0 src=" /mmsource/images/2004/06/29/litsen1.gif">
"Festivali i 12-të i kulturës" një manifestim studentor në Pekin
  2015-05-14 15:55:59

Në ambjentet e Universitetit të Gjuhës dhe Kulturës në Pekin u zhvillua të shtunën edicioni i 12-të i Festivalit të Kulturës, i organizuar nga rektorati i këtij Universiteti, studentë nga afro 80 vendeve të botës si dhe ambasadat e vendeve pjesmarrëse. Në fushën e sportit të Universitetit që në mëngjes kishte një gjallëri të madhe pasi studentë të shumtë, tashmë banorë të kryeqytetit kinez ishin përgatitur për të paraqitur në skenën e festivalit kulturën dhe traditat e vendeve nga vijnë. Një parakalim i hareshëm me kostume kombëtare të vendeve të ndryshme, dhe flamuj shumëngjyrësh nisi festivalin, duke u pasuar me ngjitjen në skenën e tij të të gjithë studentëve nga Europa, Amerika e Veriut dhe e Jugut, Azia dhe Oqeania.

Spektakli nisi me një këngë kushtuar Pekinit, interpretuar nga 4 prezantuesit e Festivalit, një student nga Britania e Madhe, një tjetër nga Meksika, një vajzë kineze dhe një ruse. Duke kënduar në kinezisht ata merituan mjaft duartrokitje nga publiku i pranishëm, që përbëhej kryesisht nga studentë të Universitetit të Gjuhëve dhe Kulturës, ambasadorë të vendeve pjesmarrëse, stafi akademik si dhe shumë qytetarë pekinas.

Fjalën përshëndetëse e mbajti rektori i Universitetit .

" Jemi mbledhur sot për të promovuar Universitetin e Gjuhëve dhe Kulturës së Pekinit, një shkollë e njohur me karakter shumëkulturor, në të cilën studjojnë të rinj nga vende të ndryshme të botës. Kjo veprimtari bën të njohur kultura të ndryshme të botës, por veçanërisht Universitetin tonë si një vatër e përhapjes së kulturës kineze në botë. Dëshirojmë që në nisjen e vitit të ri akademik numri i studentëve nga vende të ndryshme në Universitetin tonë të rritet."

Më pas përshëndeti festivalin studentor ambasadori i Egjiptit në Kinë, ish student i këtij tempulli të dijes.

Koncerti me pjesmarrjen e vendeve të ndryshme të botës, përmes këngëve apo valleve të interpretuara nga studentët solli një atmosferë vërtet të këndëshme për publikun. Në koncert interpretuan dhe këngëtarë të njohur të muzikës kineze, të duartrokitur gjatë nga të pranishmit. Pas Festivalit pjesmarrësit vizituan eksponatet e shteteve të ndryshme të improvizuara nga vetë studentët, ku paraqiteshin materiale promovuese njohëse dhe turistike të tyre, por nuk mungonin ushqimet karakteristike të shteteve pjesmarrës.

Të dhëna mbi Universitetin e Gjuhës dhe Kulturës së Pekinit

Ky Universitet është në varësi të drejtpërdrejtë të Ministrisë së Arsimit të Kinës dhe është krijuar në vitin 1962 në kujdesin e veçantë të kryeministrit të kohës Zhou Enlai. Në qershor të vitit 1964 kjo shkollë e lartë njihej si Instituti I Gjuhëve I Pekinit, ndërsa në 1966 u quajt Universiteti i Gjuhës dhe Kulturës i Pekinit. Ky universitet me të drejtë njihet si një miniaturë e OKB-së, pasi Kina ofron kurse gjuhe dhe kulture për studentë të ardhur nga afro të gjitha vendet e botës. Ndërkohë këtu studjojnë dhe të rinj kinezë në degët e gjuhëve të huaja, financë, shkenca të komunimit etj.

Përgjatë 50 vjetëve të ekzistencës së tij ky universitet shumëdisiplinor ka kryer mjaft studime shkencore në nivel akademik. Qysh nga viti 2014, stafi akademik I Universitetit ka nisur një fushatë promovuese të tij. Në këtë universitet kanë studjuar rreth 150 mijë studentë nga 176 vende dhe rajone të botës. Shumë prej këtyre studentëve sot janë personalitete botërore në fusha të ndryshme, ndër të cilët Kassem Tokayev, zëvendës-sekretari i përgjithshëm i OKB-së, presidenti i Etiopisë Mulatu Teshome Watto, kryeministri i Kazakistanit Karim Massimov, zëvendësministri i jashtëm rus Igor, sinologu gjerman Kubin, sinologu amerikan Eric Cornell, fitues i çmimit Nobel por dhe shqiptarë, ndër të cilët sinologu Iljaz Spahiu. (Eda Merepeza)