">Intervistë me një shqiptare ne Shangai-"Kina jep shumë mundësi punësimi, studimi dhe argëtimi"<IMG border=0 src=" /mmsource/images/2004/06/29/litsen1.gif">
Intervistë me një shqiptare ne Shangai-"Kina jep shumë mundësi punësimi, studimi dhe argëtimi"
  2015-05-07 16:02:02

Shumë shqiptarë emigrojnë kryesisht në Turqi, SHBA, Greqi, Gjermani, Itali, Zvicër, Suedi, Angli, Kanada, Australi, etj.

Sipas disa të dhënave të përafërta, rezulton se aktualisht jetojnë dhe punojnë jashtë vendit rreth 1 milion e 500 mijë shtetas shqiptarë. Pjesa më e madhe, rreth 70-75 përqind e këtij numri, është vendosur në dy vende: Greqi dhe Itali, dhe midis tyre Greqia zë vendin e parë të numrit të përgjithshëm të emigracionit shqiptar në botë. Në Itali jetojnë rreth 500 mijë shqiptarë.

Përgjithësisht prirja e emigrantëve shqiptarë me kalimin e viteve është orientuar drejt vendeve më të zhvilluara të Evropës Perëndimore (Itali, Gjermani, Holandë, vendet e Skandinavisë, Britani e Madhe etj.), si dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Kanadasë.

Vitet e fundit është parë një rritje e numrit të të rinjve shqiptarë që vijnë në Kinë, kryesisht për studime e disa prej tyre edhe për të punuar.

Në programin e sot do të bëjmë një intervistë me Joana Bala. Ajo vazhdon studimet master për diplomaci dhe ndan me ne sot eksperiencat e saj.

1. Si erdhe në Kinë dhe pse zgjodhe këtë vend?

Joana- "Në Kinë kam rreth 2 vjet. Kam studiuar në Itali në Universitetin e Romës "La Sapienza" dega për studimet orientale, pra për gjuhë dhe civilizim kinez dhe në vitin e fundit duke shkruar temën e diplomës aplikova per bursë studimi tek Instituti Konfuci dhe e mora. 2 muaj pas diplomës erdha në Kinë në Xiamen, një qytet bregdetar në jug të Kinës dhe atje studiova një vit për perfeksionimin e gjuhës kineze pasi kisha plan të studioja për master në Kinë. Gjatë këtij viti pastaj aplikova për bursë tjetër, kësaj radhe tek "Shanghai Government Scholarship", është bursa që jepet nga qyteti i Shangait dhe e fitova edhe këtë bursë e tani jetoj në Shangai.

2. Si e kalon ditën në Shangai?

Joana- "Aktualisht po studioj tek "Shanghai International Studies University" dhe po bëj master për diplomaci. Jam në vit të parë, është një master 3-vjeçar sepse po e bej në gjuhë kineze, ndërsa masterat që bëhen në gjuhë angleze zgjasin në përgjithësi 2 vjet. Për degën time viti i parë dhe i dyti janë tepër intensivë. Dita normalisht kalon me leksione paradite dhe pas leksioneve duke lexuar, përkthyer e studiuar dhe duke u marrë me "research papers". Është e vërtetë që ritmi i studimeve këtu në Kinë edhe në përgjithësi në Azi është tepër i shpejtë, por me organizim të mirë edhe bëhet diçka. Përveç studimeve bëj edhe punë part-time si mësuese anglishteje, bëj edhe përkthime në gjuhën kineze, italisht dhe anglisht. Pastaj Shangai është një qytet metropol dhe ka shumë mundësi punësimi, është qyteti më perëndimor në Kinë dhe ka plot shumë mundësi argëtimi, e këshilloj shumë Shangain.

Së bashku me Pekinin dhe Guangzhoun, Shangai është një nga qytetet që ka numrin më të lartë të të huajve në Kinë.

3. Çfarë të ka bërë përshtypje nga kultura kineze dhe mënyra e jetesës këtu në Kinë?

Joana-"Kina më pëlqen jashtë mase pasi e kisha dhe si degë studimi në universitet. Mua Kina më pëlqen pasi është një vend që vlerëson shumë trashëgiminë e saj kulturore, ashtu si edhe traditat e saj, por në të njejtën kohë Kina është një vend shumë dinamik, që jep shumë mundësi punësimi, studimi dhe argëtimi. Duke qenë një qytet shumë i madh çdo provincë ka karakteristikat e veta dhe ia vlen të udhëtosh e t'i zbulosh të gjitha këto vende. Kinezët janë njerëz shumë mikpritës, sidomos me të huajt.

Ka një frazë që mua më pëlqen shumë e filozofit Konfuci "you peng zi yuan fang lai, bu yi le hu", që përkthehet "Është gëzim i madh kur vijnë miqtë nga larg".

Kjo përfaqëson një aspekt shumë karakteristik të kinezëve, që ka të bëjë me mikpritjen dhe miqësinë e tyre. Edhe shqiptarët e kanë shumë të theksuar këtë tipar pra, mikpritjen dhe kjo është një aspekt që ia them shpesh kinezëve dhe kjo është një gjë që kam gjetur si të përbashkët mes kinezëve dhe shqiptarëve e kjo gjë na afron si popuj edhe si kulturë.

Përsa i përket kuzhinës, kuzhina kineze është e diversifikuar ka shumë lloje kuzhinash psh, kur isha në Xiamen atje kishte një tempull budist dhe ka shumë restorante me kuzhinë vegjetariane. Kjo është një nga aspektet që më pëlqen më shumë në Kinë se ka shumë mundësira përzgjedhjeje. Herën e parë kur erdha në Kinë ka qenë në Pekin pasi ishte një program që bënte Universiteti i Romës me Universitetin e Pekinit dhe kështu kam jetuar në 3 zona të ndryshme të Kinës. Vura re që ato janë të ndryshme psh, Pekini është një qytet i madh qendra historike dhe kulturore e Kinës, ndërsa Shangai është qyteti më perëndimor i Kinës dhe është më e thjeshtë për një të huaj të ambjentohet këtu se sa në një qytet më tradicional.

4. Çfarë mesazhi do t'i jepje të gjithë studentëve shqiptarë që do donin të vinin në Kinë për studime apo për të punuar?

Joana-"Pas eksperiencës sime në Kinë u rekomandoj studentëve shqiptarë ta konsiderojnë seriozisht mundësinë e studimit në Kinë ose edhe të punësimit këtu. Mendoj se ka shumë përfitime për një student që vjen nga një vend perëndimor të studiojë në Kinë, jo vetëm për shkak se një vend i tillë ndihmon shumë për të pasur një mentalitet më të hapur, por edhe për rritjen personale që të jep një eksperiencë e tillë. Kina duke qenë një vend shumë i madh dhe me rritje ekonomike shumë të shpejtë, ofron shumë mundësi studimi dhe punësimi. Këtu kush kërkon dhe mundohet duke bërë shumë përpjekje, ju jepet mundësia dhe ky është një aspect që mua më pëlqen shumë. Kush dëshiron të vijë në Kinë për studime të provojë faqen zyrtare të ambasadës kineze dhe të Ministrisë së Arsimit, por edhe faqet e universiteteve, pasi edhe vetë universitetet ofrojnë bursa, ashtu si faqet online të qyteteve dhe provincat ku ndodhet universiteti sepse kanë zyrat që kanë të bëjnë me ofrimin e bursave.

Për ata që duan të punojnë në Kinë, një punë që gjendet lehtë në Kinë është mësimdhënia e gjuhës angeleze dhe shqiptarëve u jepet shumë për gjuhët e huaja. Ka edhe profesione të tjera që janë të kërkuara sot në Kinë psh, inxhinierët apo arkitektetët apo menaxherët.

Kina mund t'ju duket si një vend shumë i ndryshëm apo i vështirë për t'u përshtatur, por kjo nuk është e vërtetë."