">Procedura lehtësuese vizash për turistët kinezë<IMG border=0 src=" /mmsource/images/2004/06/29/litsen1.gif">
Procedura lehtësuese vizash për turistët kinezë
  2015-05-04 15:59:35

Numrin më të madh të turistëve në botë dekadën e fundit e zënë kinezët. Një ndër arsyet kryesore është rritja ekonomike e Kinës, por një faktor që ka ndikuar në rritjen e numrit të turistëve kinezë në vende të ndryshme të globit është dhe liberalizimi i vizave nga disa shtete, me synim një numër sa më të madh turistësh nga Kina.

Shumë vende të botës, nga SHBA-ja, Franca, Italia, Gjermania, Kandaja, Singapori, Britania e Madhe, Japonia etj kanë nisur zbatimin e politikave liberalizuese të vizave për turistët kinezë, duke ndikuar në rritjen e numrit të tyre vit pas viti.

Në vitin 2014 shumë vende ndryshuan procedurat e vizave për shtetasit kinezë, duke thjeshtuar aplikimet për vizë, duke krijuar më shumë qendra të aplikimit për vizë turistike, apo duke miratuar dhënie vizash afatgjata me shumë hyrje-dalje për shtetasit nga Kina.

SHBA, viza 10 vjeçare për turistët dhe biznesmenët kinezë

SHBA po zbaton një politikë lehtësuese për vizat e turistëve kinezë, me synim rritjen e numrit të tyre. Gjatë samitit të muajve të fundit të Bashkëpunimit Ekonomik Azi-Paqësor, mbajtur në Pekin presidenti Obama njoftoi se midis Kinës dhe SHBA-së është arritur marrëveshja për lejimin e vizave të ndërsjellta 10 vjeçare, me shumë hyrje-dalje, kryesisht për turistët dhe biznesmenët. Tregu i udhëtimeve turistike të kinezëve në SHBA, që nga viti 2008 ka shënuar një rritje prej 20%.

Për turistët kinezë SHBA është në krye të listës së destinacioneve, por sipas të dhënave të Shtëpisë së Bardhë vetëm 1.8% e këtyre turistëve e kanë vizituar atë. Kjo shifër ka të bëjë me mungesën e vizave për kinezët që donin të vizitonin SHBA, ndërsa tani me lehtësimin e procedurës dhe afatin 10 vjeçar të tyre pritet të ketë një rritje numri i tyre.

Britania e Madhe, viza "super prioritare" për kinezët

Në korrik të vitit të kaluar Britania e Madhe nisi zbatimin e politikës së "vizave super-prioritare" për qytetarët nga Kina, përfshirë vizat 24 orëshe si dhe një procedurë e re, e cila u lejon turistëve nga Kina të aplikojnë në të njejtën kohë për vizë britanike dhe vizë Schengen, e vlefshme për 26 vende të kësaj hapësire.

"Kina përbën tregun më të madh të vizave në Britaninë e Madhe, ndaj biznesmenët dhe turistët nga ky vend janë të mirëpritur," tha ministri britanik i emigracionit dhe sigurisë, James Brokenshire.

Edhe Gjermania ka lehtësuar procedurat e pajisjes me vizë hyrje-dalje për kinezët.

Gjatë vizitës së kryeministrit të Kinës Li Keqiang në Gjermani tetorin e kaluar, të dy vendet ranë dakord për shkurtimin e procesit të lëshimit të vizave në vetëm 48 orë . Gjermania u zotua për dhënien e vizave me shumë hyrje-dalje për kinezët. Vetëm në vitin 2013 Gjermania lëshoi 307 mijë viza për turistët nga Kina, duke shënuar një rritje prej 16%, krahasuar me një vit më parë.

Franca është një destinacion turistik i preferuar për të gjithë qytetarët e botës, por veçanërisht kinezët përbëjnë numrin më të madh të vizitorëve të saj gjatë gjithë vitit.

Me synim tërheqjen e sa më shumë turistëve nga Kina, qeveria franceze ka vendosur aplikimin e vizave 48 orëshe. Vendimi u mor në janar të vitit 2014, me rastin e 50 vjetorit të marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve.

Kanadaja, viza me shumë hyrje-dalje për kinezët

Zyra Kanadeze e Turizmit në fillim të këtij viti ka nisur aplikimin e vizave me shumë hyrje-dalje për turistët nga Kina, me qëllim rritjen e numrit të tyre dhe lehtësimin e udhëtimit për ta. Zëdhënësi i kësaj zyre thotë se vizat me shumë hyrje-dalje u lejojnë turistëve kinezë të qëndrojnë deri në 6 muaj në Kanada, por është rritur dhe numri i vizave me afat 10 vjeçar për shtetasit kinezë.

Jo vetëm vendet e Amerikës së Veriut apo të Europës Perëndimore kanë aplikuar politika liberalizuese të vizave për shtetasit kinezë. Tajlanda një vend i njohur për turizmin në mbarë botën, heq pagësn e vizave për turistët kinezë që e vizitojnë atë gjatë periudhës gusht-tetor.

Ndërsa Italia e ka shkurtuar deri në 36 orë dhënien e vizave për kinezët. Kjo politikë e re ka nisur të zbatohet që nga 1 korriku i vitit 2014, pas takimit të kryeministrit kinez Li Keqiang me homologun italian Matteo Renzi. Më parë shtetasit kinezë prisnin një javë për pajisjen me vizë italiane.

Singapori, një tjetër destinacion turistik botëror ka tërhequr vëmendjen e turistëve kinezë, ndaj dhe autoritetet e këtij vendi që nga dhjetori i vitit të kaluar kanë vendosur një mënyrë të thjeshtë pajisjeje me viza për ta. Tashmë vizat qytetarët kinezë anembanë vendit mund ti marrin në 57 agjenci të autorizuara nga Konsullata e Përgjithëshme e Singaporit. Kjo masë lehtëson procedurën e marrjes së vizave për kinezët që duan të vizitojnë Singaporin.

Së fundmi edhe Japonia ka njoftuar se do të lehtësojë vizat për shtetasit kinezë, duke shtuar numrin e vizave me shumë hyrje-dalje. Kjo procedurë lehtësuese nisi në vitin 2011.

Maroku, ky vend turistik i Afrikës Veriore gjithashtu tregon interes të veçantë për turistët nga Kina. Të dy vendet po punojnë për një lehtësim të regjimit të vizave. Qysh nga marsi i këtij viti, qytetarët kinezë që kanë pasaporta shërbimi nuk kanë nevojë për vizë në Marok. Mësohet se autoritetet marokene po punojnë për krijimin e procedurave për viza individuale për turistët nga Kina, me qëllim numrin e tyre. Kohët e fundit turistët kinezë aplikojnë në grup për pajisjen me viza udhëtimi me destinacion Marokun. Këto lehtësi kanë mundësuar udhëtimet e shumta turistike të kinezëve anembanë botës. (Eda Merepeza)