">Kultura e re e fotove "selfie"<IMG border=0 src=" /mmsource/images/2004/06/29/litsen1.gif">
Kultura e re e fotove "selfie"
  2015-04-29 16:25:19

Ndal fotove selfie !

Fotot e bëra vetes, ose të njohura botërisht si "selfie" tashmë janë një prirje e re që vërehet kryesisht në rrijetet e shumta sociale në bot. Nisi si një argëtim të rinjsh që i publikonin kudo këto foto, por me kalimin e kohës ato janë bërë një pjesë e veprimtarisë së VIP-ave të artit, muzikës, sportit, filmit madje edhe të politikës ndërkombëtare.

Si çdo dukuri e re sociale edhe fotot "selfie" kanë përkrahësit dhe kundërshtuesit e tyre. Por kohët e fundit realizimi i këtyre fotove në ambjente publike, siç janë muzetë e njohura të botës, stadiumet, veprimtaritë kulturore dhe artistike, ka krijuar shqetësim për organizatorët. Shqetësimi vjen pasi kryerja e fotove krijon prishje të rendit, madje edhe të qetësisë, por ka raste që rrezikon jetën e atyre që për një foto i afrohen luanit apo tigrit në kopshte zoologjike. Forcat e ruajtjes së rendit në festivale filmash, ku marrin pjesë yjet e kinemasë botërore, apo në ndeshje sporti, në samite dhe të tjera duhet të shtojnë vëmendjen edhe ndaj prishjes së qetësisë apo mbarëvajtjes së veprimtarisë për shkak të atyre që bëjnë foto "selfie" kudo dhe kurdo.

Ja disa reagime ndërkombëtare të kohëve të fundit ndaj fotove "selfie"

Festivali i 68-të ndërkombëtar i filmit në Kanë zhvillohet sivjet nga 13-24 maj. Një nga festivalet më të njohur të filmit në botë, ky i Kanës mbledh çdo vit personalitetet më të njohura të ekranit të madh nga çdo cep i botës dhe kalimi në tapetin e kuq është një nga momentet më reklamuese të tyre. Një garë e jashtëzakonshme, si mes gladiatorësh zhvillohet kryesisht mes femrave aktore përsa i përket veshjeve të tyre dhe bizhuve apo paraqitjes në përgjithësi, që fokusohet në mijëra aparate fotografikë profesionistë apo amatorë. Por pavarësisht kësaj lajmi që vjen nga Kana këtë vit është se organizatorët kanë ndaluar fotot selfie gjatë parakalimit të yjeve në tapetin e kuq të Festivalit të Kanës.

Drejtori artistik i këtij festivali, Thierry Fremaux ka deklaruar për mediat se komiteti organizues ka vendosur moslejimin e fotove selfie për arësye të sigurisë së këtij aktiviteti ndërkombëtar. Ndër ata që do të gëzohen më shumë pas këtij lajmi me siguri janë rojet e sigurisë, të cilëve iu bie përgjegjësia më e madhe për ruajtjen e rendit gjatë festivalit. Po ashtu edhe kompanitë e smart phonëve do të dëshpërohen se vëllimi i tyre i shitjeve mund të bjerë, por edhe yjet e kinemasë ndoshta do të mërziten për këtë rregull të ri të Kanës.Tashmë fotot selfie dhe shpërndarja e tyre në rrjetet sociale është bërë pjesë e reklamimit të këtyre aktorëve.

Përsa i përket festivaleve ndërkombëtare të filmit në Kinë, i pari u zhvillua në Pekin nga 13-26 prill dhe i dyti do të zhvillohet në Shangai nga 13-21 qershor, por mësohet se nuk ndalohen fotot selfie.

Fotot selfie ndalohen në botë

Realizimi i fotove selfie apo i mjeteve me të cilat ato realizohen është ndaluar edhe në Kinë. Sipas një rregulloreje të kohëve të fundit fotot selfie ndalohen gjatë vizitave në Muzeun e Pallatit, në Qytetin e Ndaluar në Pekin, por dhe në Muzeun e Xi an-it është ndaluar realizimi i fotove selfie që nga fillimi i këtij viti.

Edhe në Muzeun e njohur të Luvrit në Paris është ndaluar kryerja e fotove selfie nga vizitorët. Por përveç muzeve, në shumë rajone dhe vende të botës ndalohen selfiet. Ndërkohë në Tajlandë ata që publikojnë foto disi të tepruara për moralin vendës,veçanërisht femrat rrezikojnë të dënohen deri në 5 vjet burg.

Nëse vizitoni plazhin Garoupe në Francë dhe bëheni gati të bëni foto selfie mos u habisni kur të ndaloheni për këtë veprim. Sipas zëdhënësit të pushteti vendor edhe në këtë zonë të Francës janë të ndaluara fotot selfie, aq të dëshiruara nga të gjithë turistët. Në fund të vitit të kaluar, qeveria koreanojugore njoftoi se nuk do të kenë jetë të gjatë fotot selfie.

Disa zyrtarë të këtij vendi janë të mendimit se stick-ët e kryerjes së fotove selfie të pajisura me funksionet e aplikimit Blue tooth përbëjnë shqetësim në ambjentet publike. Në ditët e sotme realizimi i fotove të vetes, apo të njohura si selfie është bërë një modë mbarëbotërore. Shumë të pëlqyera janë ato me kafshët e egra si luanë apo tigra. Shteti i Nju Jorkut ishte i pari në SHBA që ndaloi njerëzit të bënin foto me kafshët e ndryshme, në kopshtet zoologjike apo në rezervatet natyrore, për arësye sigurie.

Ndërsa policia braziliane ka ndaluar përdorimin e stick-ëve për fotot selfie në stadiume, për arësye të ruajtjes së rendit publik. Ata i tremben faktit se fansat e ekipeve të ndryshme sportive, kryesisht futbollistike mund ti përdorin stick-ërat si armë të ftohta kundër rivalëve të tyre në stadium. Një tendencë e re kjo e fotove selfie, që e hasim kudo në rrjetet sociale, por që ka ngjallur mjaft diskutime në opinionin publik dhe ndaj të cilës janë marrë masa administrative dhe ligjore.

Këto masa ndërgjegjësojnë qytetarët kudo në botë se ruajtja e rendit dhe qetësisë në veprimtari artistike apo sportive është e domosdoshme për mbarëvajtjen e tyre. (Eda Merepeza)