">Mjeku që dhuroi jetë<IMG border=0 align=absMiddle src=" /mmsource/images/2004/06/29/litsen1.gif">
Mjeku që dhuroi jetë
  2015-04-27 15:23:33

Në tetor të vitit të kaluar mjeku Xu Xun nga Spitali i Popullit i qytetit Jiangyou, në provincën Sichuan shkoi në Mozambik, dhjetra mijëra kilometra larg shtëpisë së tij, për tu ardhur në ndihmë banorëve vendës si mjek kirurg. Por pas disa muajsh kontribut, dhe si pasojë e lodhjes së madhe në punën e tij, mjeku Xu pësoi infarkt, që shkaktoi vdekjen e tij në moshën 50 vjeçare. Për kontributin e shquar gjatë misionit si mjek pranë Spitalit Qendror në kryeqytetin e Mozambikut, Maputo, ai u nderua me një titull të lartë nga autoritetet vendëse "Për kontributin e jashtëzakonshëm si doktori më i shquar i huaj në mision në Mozambik". Në median kineze, pikërisht në "People's Daily" është botuar letra e shkruar nga e bija e mjekut Xu, për jetën dhe vetëmohimin e të atit në ndihmë të popullit mozambikas.

"Në parajsë askush nuk do të vuajë"

Ky është titulli i letrës së shkruar nga vajza studente e mjekut nga Sichuani, që ndërroi jetë gjatë misionit të tij në Maputo të Mozambikut Ajo shkruan në letër se babai i saj u nis drejt Mozambikut për tu ardhur në ndihmë pacientëve të këtij vendi. Vajza e mjekut pas mbarimit të kolegjit ka nisur jetën e pavarur, si studente në një nga Universitetet e Shangait, ndërsa nëna e saj dhe të afërmit jetojnë në provincën Sichuan.

"Babi, unë vajza jote jam shumë krenare që ti përfaqësove Kinën në misionin për shpëtimin e jetës së afrikanëve. Ti je një baba i mrekullueshëm!"

Kontinenti afrikan, i prekur nga viruse të shumta vdekjeprurëse si SIDA, apo vitin e fundit Ebola ka një prevalencë të lartë të rrezikut të këtyre sëmundjeve. Mjekë nga vende të ndryshme të botës kanë marrë pjesë në misionet humanitare për të luftuar përhapjen e viruseve apo edhe për të ndihmuar personelin mjekësor të vendeve afrikane, në punën e tyre.

Në letrën e vajzës së mjekut të ndjerë Xu thuhet se ndonëse e gjithë familja e dinte rrezikun e viruseve në Afrikë, kur i ati i saj u tha se do të ishte pjesë e mjekëve të misionit në Mozambik, ata nuk hezituan aspak. Përkundrazi e nxitën që ai të kryente me sukses detyrën humane të mjekut.

Në tetor të vitit të kaluar mjeku kirurg kinez Xu u nis drejt Mozambikut dhe nisi me përkushtim punën si kirurg pranë spitalit qëndror të kryqytetit Maputo. Ambjenti me klimë të nxehte, mungesat e ndryshme të përditshmërisë, sigurisht që ishin ndër pengesat e përshtatjes së mjekut 50 vjeçar, por ai i kapërceu ato me sukses. Qëllimi i tij i vetëm ishte të sherbente me sa më shumë përkushtim ndaj pacientëve të tij.

Në letrën e vajzës së mjekut Xu tregohet se si ai punoi me orare të zgjatura çdo ditë për të kontribuar në punën e ekipit mjekësor. Ai u miqësua shpejt me kolegët afrikanë, por edhe ata të huaj, që si ai ishin pjesë e misionit humanitar. Mjeku kinez Xu, siç mësohet në letrën e së bijës kreu shumë ndërhyrje kirurgjikale në mushkëri, pasi ky ishte specialiteti i tij. E bija në letër përmend se si ai i tregonte se kishte operuar në zemër një vajzë të vogël afrikane dhe kishte qëndruar pranë saj deri sa kishte hapur sytë e lumtur, pas operacionit. Mjeku Xu i tregonte së bijës përmes mesazheve në Wechat apo kur flisnin online me kamera, se sa kënaqësi i jepte puna e tij në spitalin afrikan, kur ai shpëtonte jetë.

Vajza thekson në letër se i ati mjek nuk shihte se kush ishte pacientio që do të operohej, por thjesht i përvishej punës për ti shpëtuar apo përmirësuar jetën.

Drejtori i spitalit në Mozambik e kishte vlerësuar shumë mjekut Xu, duke e quajtur krenaria e vendit të tij, Kinës.

Një nga vështirësitë me të cilën ishte hasur mjeku Xu gjatë punës në Mozambik ishte mosnjohja e gjuhës vendëse, portugalishtes. Ai i tregonte së bijës se qëndronte pothuajse çdo mbrëmje, deri pas mesnate për të studjuar këtë gjuhë dhe kishte nisur përparimi i tij.

"Vajza ime e dashur, po shënoj përparime çdo ditë me gjuhën portugeze. Ora është 1.00 në Maputo , por unë po vazhdoj të studjoj, i shkruante i ati në wechat. Vajza e tij edhe pse i ati nuk jeton më ndjehet shumë krenare për shembullin e tij njerëzor dhe si mjek i përkushtuar.

Në letrën e vajzës së mjekut kinez Xu përshkruhen me emocion dhe trishtim të lartë çastet kur ajo mësoi humbjen e të jatit në janar të këtij viti. Por ajo shkruan se është e forte për ta përballuar humbjen, se e di që ati i saj është një engjëll, ashtu siç e kanë cilësuar pacientët e tij. Ministria e shëndetësisë e Mozambikut e nderoi me respekt këtë mjek kinez, që ndërroi jetë gjatë punës së tij në këtë vend afrikan. Ai trajtoi një numër të madh pacientësh mozambikas, duke ndikuar dhe në forcimin e marrëdhënieve midis dy vendeve. (Eda Merepeza)