">Wang Yabin, pasioni për baletin<IMG border=0 src=" /mmsource/images/2004/06/29/litsen1.gif">
Wang Yabin, pasioni për baletin
  2015-04-23 15:45:56

Wang Yabin është koreografja e filmit të regjizorit të shquar Zhang Yimou "House of Flying Daggers", tashmë themeluese e një studioje baleti të quajtur "Yabin Studio", një emër i njohur ndërkombëtarisht për sa i përket koncerteve të cilësisë së lartë për një periudhë 6 vjeçare. Ajo ka interpretuar dhe në telenovelën kineze "Rural Love", që e bëri të njohur për publikun vendës.

Këtë vit ajo u ftua si koreografe nga Baleti Kombëtar Anglez për shfaqjen "She Said", një program kushtuar femrave koreografe. Ndërkohë ajo vazhdon punën për spektaklin e saj të përvitshëm të baletit "Yabin and Her Friends " i cili shfaqet anembanë botës.

Wang është dhe autore e producente por famën më të madhe ajo e ka fituar si balerinë.

Wang dhe baleti

Wang nisi të merrte mësime baleti që në moshën 6 vjeçare, fillimisht si një zgjedhje e prindërve të saj për ti përmirësuar shëndetin. Por mësuesja e saj menjëherë zbuloi talentin e Wangut për kërcim dhe nisi ta nxiste të bëhej një balerinë profesioniste.

Vendimi për këtë të ardhme të vajzës së tyre ishte paksa i vështirë për prindërit, pasi para viteve 80-të ky profesion nuk ishte shumë tërheqës.

Megjithatë, pasi pane në gazetë njoftimin për student në Akademinë e Baletit, prindërit vendosën ta dërgonin vajzën e tyre Wang në shkollën e baletit profesionist. Wang ishte më e re se vajzat e tjera të kursit të saj dhe gjithmonë dukej më trupvogël. Në çastin kur duhet të vendoste të zgjidhte nëse do të studjonte balet klasik apo baletin tradicional kinez, Wang zgjodhi këtë të fundit.

Atëkohë ajo ndoqi studimet në Akademinë e Baletit në Pekin, ku dhe u rrit e forcua fizikisht duke u shndërruar në një femër me pamje tipike prej balerine profesioniste që tërhoqi menjëherë vëmendjen në shfaqjen e pare të baletit në universitet. Kur e pyesin për profesionin, Wang thotë se nuk e zgjodhi ajo baletin, por baleti zgjodhi atë.

Pas një pune 10 vjeçare të palodhur ajo mësoi pothuajse gjithçka rreth baletit tradicional kinez dhe me shfaqjet e ndryshme në konkurse kombëtare u vlerësua me disa çmime.

Pas kësaj periudhe Wang nisi të interesohej për baletin bashkëkohor, si një formë e artit dhe për këtë studjoi dhe mori diplomën master në Akademinë e Filmit të Pekinit, për të nisur më pas spektaklin e saj të famshëm vjetor "Yabin and Her Friends."

Ajo thotë se baleti për të është si gjaku që rrjedh në vena. Nuk ka ndarje midis punës dhe jetës, pasi baleti është kudo.

Fama ndërkombëtare

Pjesmarrja në spektaklet e baletit tradicional kinez e bëri Wang të njohur në skenën bashkëkohore të baletit. Specialistët e baletit thonë se edhe kur interpreton balet klasik apo bashkëkohor në lëvizjet e Wang dallohet ndikimi i baletit tradicional kinez. Gjatë turneut të saj botëror në vitin 2014, Wang u mirëprit nga publiku i vendeve të ndryshme, që vlerësoi mjeshtërinë e saj në interpretimin e baletit tradicionale kinez.

Vitet e fundit Yabin Studio ka bashkëpunuar me koreografë të njohur si Mark Haim, Elizabeth Roxas-Dobrish dhe Sidi Larbi Cherkaoui. Në vitin 2013 gjatë pjesmarrjes në spektaklin "Yabin and Her Friends" në edicionin e tij të pestë, të titulluar Genesis, Cherkaoui e përshkruan Wang si një balerinë, koreografe dhe producente baleti të talentuar, plot kreativitet dhe me një vullnet për tu admiruar.

Shfaqje të reja

Shfaqja kushtuar femrave koreografe "She said" do të përbëhet nga 3 pjesë të reja secila nga 20-40 minuta. Wang ka bërë të ditur për median kineze se këtë vit ajo do të bashkëpunojë me Baletin Kombëtar të Anglisë për realizimin e këtyre shfaqjeve.

Ndërkohë ajo tregon se po punon për shfaqjen me titull "Moon Opera" që do të ketë premierën në tetor të këtij viti në Qendrën Kombëtare të Artit në Pekin. Për realizimin me sukses të shfaqjeve Wang punon me këmbëngulje nga mëngjesi deri në darkë, çdo ditë, duke njohur çdo detaj të karakterit që interpreton.

(Eda Merepeza)