">Mos frenoni ndjenjat!<IMG border=0 src=" /mmsource/images/2004/06/29/litsen1.gif">
Mos frenoni ndjenjat!
  2015-04-17 14:36:28

Njerëzit kanë ndjenja nga më të ndryshmet, si gëzim, zemërim, merak, pikëllim, frikë etj. Ndryshimi i humorit tek njerëzit është një aktivitet normal i ndjenjave. Përmbajtja e ndjenjave të forta në vende publike, mund të sjellë përfitime shoqërore. Personat që mund të kontrollojnë humorin konsiderohen si njerëz tolerantë dhe të edukuar. Por teprimi i vetëpërmbajtjes përsa i përket humorit, mund të dëmtojnë shëndetin.

Mosshfaqja e ndjenjave duhet të kufizohet në shkallën e duhur. Kur ndjenjat janë shumë të forta, ato duhen shprehur në mënyrë normale dhe të përshtatshme. Shprehja e ndjenjave favorizon shëndetin tonë. Për shembull, qarja është një mënyrë e natyrshme e shprehjes së hidhërimit, apo zemërimit. Mund të realizojmë ekuilibrimin e gjendjes së humorit, pas qarjes së natyrshme. Në të kundërt, fshehja e gjendjes shpirtptore dhe frenimi i ndjenjave të forta mund të përkeqësojnë mosbalancimin psikologjik dhe fizik, duke i sjellë dëmtime të mëdha shëndetit.

Sipas të dhënave, shumë pacientë të prekur nga kanceri kanë frenuar ndjenjat e tyre, për një kohë të gjatë, para zbulimit të sëmundjes. 70% e pacienteve të prekura nga kanceri i gjirit kanë problem depresioni, apo shqetësime të tjera të sistemit nervor. Studimet përkatëse kanë vërtetuar lidhjet e frenimit të ndjenjave me tumoret.

Ndjenjat duhet të shprehen në mënyrë të përshtat;shme.

Para 2000 vjetësh, mjekësia tradicionale kineze ka konfirmuar lidhjen mes humorit dhe shëndetit, madje edhe me shprehje si "gëzimi i tepërt

dëmton zemrën", "zemërimi i tepërt dëmton mëlçinë", " frika e tepërt dëmton veshkën", "pikëllimi i tepërt dëmton mushkëritë", "mendimi i tepërt dëmton shpretkën" etj. Teprimi i gjendjes së humorit mund të shkaktojë dëmtime fizike dhe psikologjike. Prandaj, rregullimi i humorit është shumë i rëndësishëm. Duhet të zotërojmë gjendjen e humorit dhe nuk duhet të zotërohemi nga kjo gjendje.

Së pari, të përpiqemi për mbajtjen në kontroll dhe njohjen e ndjenjave tona, duke kuptuar gjendjen e humorit tone.

Së dyti, të përpiqemi të ulim kërkesat ndaj vetes dhe ndaj të tjerëve. Përveç kësaj, duhet të gjejmë mënyra për uljen e presionit psikologjik, që shprehet me qarje, ankthe dhe gjendje të tjera emocionale.

Në historinë e mjekësisë tradicionale kineze, janë shënuar disa raste për trajtimin e sëmundjeve që shkaktohen nga luhatja e humorit.

Sipas parimeve të mjekësisë kineze, zemërimi mund të lehtësojë depresionin. Në dinastinë e Shteteve ndërluftëse(vitet 475-221 para erës sonë), mbreti Qi Minwang vuante nga depresioni dhe ftoi mjekun e njohur Wen Zhi nga shteti Song. Pasi bëri diagnostikimin e mbretit, Wen Zhi I tha birit të tij , princit: "Kam besim se do ta shëroj sëmundjen e mbretit, por pas kësaj ai do të më vrasë." Princi e pyeti me çudi: "Përse?". Wen Zhi u përgjigj: "Depresioni i mbretit mund të shërohet me zemërim. Por nëse e zemëroj mbretin, do të humb jetën time. "

Princi iu lut mjekut Wen Zhi-t ta ndihmonte babain e sëmurë dhe I premtoi se "nëse shërohet sëmundja e mbretit, unë dhe nëna do t'ju mbrojmë."

Wen Zhi nuk mundi të refuzonte kërkesën e princit dhe e pranoi këtë detyrë të vështirë.

Ai përcaktoi ditët e mjekimit, por nuk erdhi për dy ditë rresht te mbreti për ta pare. Atëhere mbreti Qi Minwang u zemërua shumë me mjekun Wen Zhi. Ditën e tretë, Wen Zhi erdhi me vonesë te mbreti dhe pa hequr as këpucët u afrua në shtratin e tij. Ai e pyeti mbretin si ndjehej, por mbreti Qi Minwang nuk u përgjigj me zemërim. Mjeku Wen Zhi e ngacmoi mbretin me fjalë fyese. Atëhere mbreti u ngrit me zemërim të madh nga shtrati. Zemërimi shëroi depresionin e mbretit, por ky urdhëroi vrasjen e mjekut, i cili e kishte ofenduar shumë. Megjithëse princi dhe mbretëresha iu lutën ti falte jetën, mbreti i zemëruar e vrau mjekun Wen Zhi.

Në këtë tregim tragjik mbi mjekun e njohur Wen Zhi, shpjegohet qartë lidhja e forte e gjendjes së humorit me shëndetin e njeriut. Mjekët e lashtë kinezë shfrytëzonin gjendjen e humorit të pacientëve për trajtimin e sëmundjeve. Në dinastinën Jin(viti 1115-1234 pas erës sonë), zonja Xiang kishte humbur djalin e saj, pa mbushur 1 vjeç. Ajo u pikëllua shumë dhe çdo ditë kishte shenja të humbjes së vëmendjes.

Burri i saj e ftoi mjekun e njohur Zhang Zihe për të trajtuar sëmundjen e gruas të shkaktuar nga pikëllimi.

Ditën e parë, Zhang Zihe erdhi në familjen e zonjës Xiang për ta diagnostikuar atë. Por papritmas ai u ngrit dhe tha: "Më falni, kam harruar një gjë shumë të rëndësishme. Gruaja ime më kërkoi të blija djathë soje, ndaj duhet të shkoj. Po nuk e zbatova urdhërin e saj, ajo do të më vrasë."

Kur dëgjoi fjalët e mjekut, zonja Xiang nuk e mbajti dot të qeshurën.

Ditën e dytë, mjeku Zhang Zihe erdhi në shtëpinë e gruas së pikëlluar dhe pasi foli me të nisi të kërkonte ilaçet nëpër xhepa. Por pasi nuk I gjeti ato u shqetësua shumë dhe u skuq në fytyrë. Ai i tha zonjës Xiang: "Më falni, zonjë, I kam harruar ilaçet në shtëpi. Nesër do t'ua sjell patjetër. " Duke parë pamjen zbavitëse të Zhang Zihe-s, zonja Xiang nuk e kontrolloi dot të qeshurën me zë të lartë.

Ditën e tretë, Zhang Zihe erdhi tek zonja Xiang, i veshur me një rrobë të gjatë. Ai filloi të kërkonte ilaçet në xhepin e rrobës, por përsëri nuk I gjeti. Ai u shqetësua shumë dhe zhveshi rrobën, ndërsa vazhdonte kërkimin e ilaçeve, duke ekspozuar veshjet e brendshme të tij me shumë ngjyra, si veshje femërore. Zhang Zihe i kërkoi ndjesë zonjës dhe tha se: "Më falni shumë, zonjë. Paskam veshur gabimisht rrobat e gruas." Kur dëgjoi këto fjalë, zonja Xiang nuk e mbante dot të qeshurën për shumë kohë.

Pas largimit të Zhang Zihe-s, zonja Xiang pyeti duke qeshur burrin e saj: "Ke sjellë në shtëpi një mjek apo një idiot ? Si mund të përmirësojë ai sëmundjen time? "

Më vonë, zonja Xiang u tregoi përvojën qesharake të mjekimit të gjithë miqve të saj, duke qeshur pandërprerë. Pas dy javësh gjendja e saj shëndetësore u përmirësua ndjeshëm dhe u largua pikëllimi.

Në fakt, Zhang Zihe e dinte se sëmundja e zonjës Xiang vinte nga pikëllimi i tepërt. Ai i bëri skenat qesharake për ta nxitur atë të qeshte, sepse vetëm kjo i lehtësonte pikëllimin. Pas përmirësimit të gjendjes psikologjike, realizohet dhe përmirësimi i gjendjes fizike.(Xu Guang)