">Britani, prezantohen metodat mësimdhënëse kineze<IMG border=0 src=" /mmsource/images/2004/06/29/litsen1.gif">
Britani, prezantohen metodat mësimdhënëse kineze
  2015-03-30 16:00:50

Kohët e fundit, lajmi për programin mësimor fillor kinez tërhoqi vëmendjen e opinionit kinez dhe britanik. Bëhet fjalë për tekstet jashtëshkollore të matematikës "Një praktikë pas një ore mësimdhënieje" që janë përdorur për më shumë se 22 vjet në qytetin e Shangait, të cilat do të botohen në Britani dhe do t'u shërbejnë nxënësve në të gjitha shkollat fillore të Britanisë. Siç mësohet, varianti anglez prej 11 librash do të ndahet në 11 klasa për çdo vit shkollor, deri në kolegj.

Lajmi shkaktoi shumë debate në Kinë, pasi aktualisht gjithnjë e më shumë prindër kinezë i dërgojnë fëmijët jashtë vendit për studime universitare, të mesme madje dhe fillore, duke shprehur pasion dhe preferencë të madhe për sistemin arsimor në vendet e zhvilluara. Por, këtë herë, në drejtim të kundërt, mësuesit britanikë vijnë në vend për të mësuar nga metodat mësimdhënëse kineze! Cilat janë arsyet ?

"Një praktikë pas një ore mësimdhënieje" është një libër që njihet gjerësisht nga nxënësit e Shangait sepse gjatë ndjekjes së shkollës fillore dhe asaj të mesme, këto materiale përdoren më shumë jashtë shkolle. Mësuesit e përdorin atë për detyra shtëpie, ndërsa nxënësit e përdorin çdo ditë për të konsoliduar njohuritë që kanë përvetësuar në mësim. Nga ana e tyre prindërit e konsiderojnë si mjetin më efektiv për rezultate të larta në provime. Gjatë historisë së përdorimit të tij prej 22 vjetësh, shitja e këtij libri arriti rekordin prej mbi 2.8 milionë kopjesh, para çdo semestri të ri.

Por, shumë njerëz janë të mendimit se arsyeja e vërtetë e importimit të këtij materiali mësimor nga pala britanike është paraqitja jo e mirë e nxënësve në një projekt vlerësimi, të kryer nga Organizata për Bashkëpunimin Ekonomik dhe Zhvillim(OECD).

Në fund të vitit 2013, OECD-ja publikoi rezultatet e PISA2012, studim për aftësinë e mësimit të nxënësve në vendet kryesore. Sipas rezultateve, nxënësit e shkollës së mesme të Shangait u rradhitën në vendin e parë për nga aftësia e përvetësimit të njohurive në matematikë, shkenca dhe lexim. Sidomos në lëndën e matematikës, nota mesatare e nxënësve nga Shangai ishte 613, shumë më e lartë se sa nota 494 e nxënësve britanikë, apo 481 e atyre amerikanë. Ky rezultat i shkëlqyer nxiti interesimin e studiuesve perëndimorë për sistemin e arsimit fillor në Kinë.

Që nga shkurti i vitit të kaluar, drejtuesit e sektorëve arsimorë britanikë, të Afrikës së Jugut, etj., vizituan njëri pas tjetrit Shangain, për të mësuar nga homologët kinezë. Ata morën pjesë në mësim, zhvilluan seminare dhe u njohën nga afër me përvojën e Shangait. Ministria britanike e arsimit krijoi bashkëpunim të mëtejshëm me Komitetin e Arsimit të Shangait për shkëmbimin e mësuesve të matematikës. Në shtator, 71 mësues britanikë erdhën në Shangai për një periudhë 2 javore, ndërsa pas dy muajsh, 29 mësues kinezë shkuan në Britani, për të shkëmbyer përvojat me kolegët në shkollat fillore të këtij vendi.

Pavarësisht në Shangai apo Londër, përsëritja e tabelës së shumëzimit është një ndër përmbajtjet kryesore të lëndës së matematikës për nxënësit të shkollës fillore. Këtë muaj, në shkollën Wroxham, afro gjysmë orë udhëtim me tren nga Londra, z. Wang Chengjun nga Shkolla Fillore Nr.1 e Distriktit Yangpu të Shangait po jep mësim për "sekretin e kujtimit të tabelës së shumëzimit".

"Nga fundi i tabelës, shifrat bëhen gjithnjë e më të mëdha. Deri tani, kam përvetësuar vetëm deri në 9 herë 9. Kurse 12 herë 12 është më e vështirë, bën 144", tha 7 vjeçari Lucas.

Pjesë e kontigjenit të dytë të mësuesve për shkëmbimin me palën britanike, z. Wang u shpreh se komunikimi në gjuhën angleze me nxënësit është një sfidë e madhe. Por, me ndihmën e homologut britanik, ai u mësua shpejt me jetën e nxënësve vendës. Lidhur me ndryshimin e mësidhënies midis dy vendeve, Wang vuri në dukje se mësuesit kinezë përdorin më shumë terma didaktike në dhënien e njohurive matematike.

"Me sa di unë, për çdo veprim matematik, si mbledhje, zbritje, shumëzim dhe pjesëtim, mësuesit britanikë mund ta përshkruajnë në të paktën 6 mënyra. Por në Kinë, kjo ndryshon. Mendoj se përdorimi i saktë i veprimeve do të ndihmojë në krijimin e një koncepti korrekt të fëmijëve ndaj matematikës", tha Wang Chengjun.

Z. Wang vuri në dukje se në Britani, lënda e matematikës orientohet më shumë nga interesat vetjake të nxënësve. Prandaj, ata mund të qëndrojnë në nivele të ndryshme. Kurse, në Kinë, të gjithë nxënësit detyrohen të arrijnë të paktën në një shkallë të caktuar. Kjo është edhe arsyeja pse nxënësit kinezë u paraqitën më mirë në vlerësimin ndërkombëtar.

Ndërsa, për punonjësit e Wroxham-it, metodat mësimdhënëse të kolegëve kinezë janë përgjithësuar me fjalën "Stili i Shangait". Znj. Sally Barker, mësuese e matematikës dhe ndihmëse e mësuesit Wang i tha gazetarit të CRI-së se pas ndjekjes së një ore mësimi nga z. Wang, ajo gjeti shumë të reja për të përmirësuar punën e saj.

"Në Angli, zakonisht nuk përdorim terma shkencorë, sidomos kur nxënësit janë të vegjël. Preferojmë të zgjedhim fjalë të thjeshta në të folur për konceptin e matematikës. Duhet ti kushtojmë rëndësi përdorimit të termave didaktike matematike", tha znj. Barker.

Ajo përmendi edhe metodën që mësuesit kinezë përdorin për t'i orientuar nxënësit të gjejnë vetë rregullat matematike.

"Për shembull, kur nxënësit vizatojnë vetë tabelën e shumëzimit, çdo nxënës ngarkohet me një shifër. Ata duhet të demonstrojnë,të mbledhin rezultatet e llogaritjes përkatëse dhe të zbulojnë vetë rregullat e llogaritjes. Inkurajimi do t'u lërë atyre një mbresë më të thellë", tha Sally.

Znj. Penny Richardson që përgjigjet për projektin e shkëmbimit të mësuesve të matematikës me palën kineze shprehet se qeveria britanike po inkurajon më shumë të diplomuarit me rezultate të larta të marrin pjesë në mësimdhënien e matematikës në shkollë. Ndërkohë, në shtator, kur nis semestri i parë i këtij viti shkollor në Britani, do të nisë shkëmbimi i kontigjentit të tretë të mësuesve.

[foto nga LiuYing/Xinhua]