">Nisma "Një brez, një rrugë" me përfitime të ndërsjellta për të gjithë<IMG border=0 align=absMiddle src=" /mmsource/images/2004/06/29/litsen1.gif">
Nisma "Një brez, një rrugë" me përfitime të ndërsjellta për të gjithë
  2015-03-12 16:43:40

Në Pekin po zhvillohet sesioni i 3-të i legjislaturës së 12-të i Asamblesë Kombëtare Popullore, ku në raportin e veprimtarisë së qeverisë kryeministri kinez Li Keqiang u ndal në investimet kineze në botë, por dhe në nismën e presidentit Xi Jinping "Një brez, një rrugë". Shqipëria si një nga vendet mesdhetare që lidhet me Rrugën e mëndafshit, në kuadër të nxitjes së investimeve të huaja pret dhe ato kineze.

Bazuar në këtë temë gazetarja e Radio Ejani Eda Merepeza realizoi një intervistë me analistin e njohur shqiptar të ekonomisë, Artan Hoxha.


Artan Hoxha

Gazetarja- Ekonomia shqiptare në zhvillimin e saj përballë krizës ndërkombëtare financiare, si shfaqet në analizën tuaj ?

Artan Hoxha: Shqipëria është një ekonomi e re dhe karakterizohet nga të gjithë parametrat e ekonomive të reja dinamike, ku shfaqet tendenca për ritme të larta rritjeje dhe mundësi për investime vendëse dhe të huaja. Duke qenë pjesë e zonës së ndikimit të ekonomisë europiane, edhe ekonomia shqiptare ka pësuar efektet e krizës europiane të borxheve dhe ritmet e rritjes ekonomike të Shqipërisë, janë ngadalësuar. Kujtoj këtu që në vitin 2008, Shqipëria arriti një rritje prej të paktën 8 % të PBB-së dhe me nisjen e krizës financiare ndërkombëtare, ritmet e rritjes ekonomike të Shqipërisë këto dy vitet e fundit ranë në nivelet e 1 % - 2 % . Megjithatë, këto rezultate tregojnë që ekonomia e Shqipërisë ka arritur të përballojë efektet e krizave dhe të mos bjerë në recesion, siç ranë disa nga vendet e Europës Lindore dhe të rajonit të Ballkanit. Ajo çka besohet se përse Shqipëria nuk ra në recesion, aq më shumë të zgjatur si disa nga këto vende, i dedikohet një pakete reformash liberalizuese për investimet, përfshirë ato të huaja, të zhvilluara përgjatë një dekade.

Gazetarja- Si paraqiten investimet e huaja në Shqipëri ?

Shkalla e investimeve të huaja në Shqipëri është rritur vit pas viti. Edhe përgjatë viteve të krizës europiane (2009-2010), në mënyrë aspak paradoksale, vërehet se investimet e huaja në Shqipëri në tërësi janë rritur ndjeshëm, ndërkohë që kanë rënë në shumë nga vendet e rajonit të Ballkanit dhe të Europës Lindore.

Artan Hoxha:Pikërisht reformat liberalizuese antiburokratike, kombinuar me një investim të fuqishëm në infrastrukturën fizike të vendit, e kanë bërë Shqipërinë gjithnjë e më shumë tërheqëse për investimet e huaja, të cilat në vitin 2012-2013 kanë arritur shifrën e afro 1 miliard dollarëve në vit. Kjo është shumë për një vend të vogël si Shqipëria, me 3 milionë banorë. Natyrisht që kjo shumë nuk është asgjë, për një vend të madh si Kina, që është ekonomia e dytë në botë. Por në ekonominë shqiptare, rritja e investimeve të huaja vit pas viti, kombinuar edhe me rritjen e investimeve të vetë shqiptarëve kanë ndihmuar që ajo të bëhet gjithnjë e më tërheqëse. Çfarë ka bërë Shqipëria për tërheqjen e investimeve të huaja që nga viti 2005 e deri më sot krahasuar me një periudhë më parë? Mendoj se ka bërë dy gjëra bazë. Së pari, ka lehtësuar barrën fiskale dhe administrative mbi sipërmarrjen, qoftë kjo shqiptare apo e huaj; nga ana tjetër, janë reduktuar shumë barriera administrative, në dhënien e lejeve, të regjistrimit të bizneseve etj., të cilat janë evidentuar si pozitive edhe nga raportet analitike ndërkombëtare. E dyta, është investimi i madh në infrastrukturën fizike, e cila i ka munguar vendit në mënyrë të ndjeshme. Gjendja e infrastrukturës së transportit, të telekomunikacionit, të depërtimit të internetit në katër-pesë vjetët e fundit është shumëfish më e përmirësuar dhe kjo ka lehtësuar edhe hyrjen e investimeve të huaja.

Natyrisht që këta ishin dy faktorët bazë, që kanë qenë edhe të varur nga politikat qeveritare, por duke qenë edhe në zonën e influencës së ekonomisë europiane, Shqipëria, siç ka pësuar nga krizat, ka përfituar edhe nga zhvillimi i këtij rajoni. Investimet e huaja nga zona e Europës kanë sjellë edhe teknologjinë më të fundit. Pozicioni gjeografik konsiderohet si një avantazh i Shqipërisë, sepse është pranë një tregu të madh europian që është konsumator dhe njëkohësisht, pranë një gjeneratori zhvillimi siç është përsëri ekonomia europiane, që mund të investojë në Shqipëri.

Gazetarja: Të ndalemi tek investimet kineze në Shqipëri

Artan Hoxha: Natyrisht që ekonomia shqiptare ka qenë e hapur pa asnjë diferencim me çdo vend të botës. Parimi i trajtimit të barabartë është një nga parimet e adoptuara në legjislacionin shqiptar që në vitin 1991. Natyrisht që investitorët italianë janë më të shumtë, investitorët grekë janë shumë prezentë, për shkak të afërsisë; edhe ata austriakë, gjermanë apo turq, për shkak të afërsisë janë më të shumtë, por me sa jam informuar, tregu shqiptar është eksploruar për investime edhe nga kompani kineze. Fillimisht shkëmbimet tregtare mes ndërmarrjeve shqiptare dhe atyre kineze kanë filluar të shfaqen dhe gradualisht të rriten për ato lloj mallrash, ku ndërmarrjet kineze janë kompetitive në rang global, dhe s'ka se si të mos jenë edhe në Shqipëri, aq më tepër që është një treg ku fuqia konsumatore është modeste dhe natyrisht që një pjesë e mirë e konsumatorëve shqiptarë janë të orientuar drejt mallrave kineze, që karakterizohen nga çmimet e lira. Nga ana tjetër po shoh pionerët e investitorëve kinezë që po investojnë në Shqipëri, në ato lloj shërbimesh dhe industrish, ku sipërmarrësit kinezë janë kompetitivë, në një mjedis edhe si Shqipëria. Them që, në këtë moment ku jemi, jemi duke eksploruar potencialin e investimeve kineze në Shqipëri. Jemi ende në fillimet dhe mendoj që mundësia e investimeve kineze në Shqipëri është shumë më e madhe, sesa kjo që kemi sot.

Por procesi ka nisur dhe duket që është inkurajues.

Gazetarja: Përparimi i nismës "Një brez, një rrugë" do të jetë fokusi i diplomacisë së Pekinit për vitin 2015. Kjo nismë është një propozim i presidentit Xi Jinping bërë në shtator dhe tetor të vitit 2013. Emërtimi i plotë i nismës është "Brezi ekonomik i Rrugës së Mëndafshit" dhe "Rruga Detare e Mëndafshit e shekullit të 21-të". Do të dëshironim një analizë tuajën për këtë nismë që përfshin dhe Shqipërinë.

Artan Hoxha- Jam njohur me këtë nismë të qeverisë kineze, e cila, sipas informacioneve që kam, është pritur me interes nga vendet e rajonit dhe të gjitha vendet, që historikisht janë përshkuar nga Rruga e Mëndafshit. E marr si një interesim të qeverisë kineze për të alokuar fonde dhe ekspertizë, si edhe për të nxitur sipërmarrjen kineze të eksplorojë mundësi për biznes dhe tregti me të gjithë zinxhirin e vendeve, që historikisht i takojnë kësaj rruge. Kjo do të thotë që, krahas forcave natyrore të tregut, pra të interesit tregtar dhe sipërmarrës, ka mbrapa edhe një program qeveritar, i cili do të lehtësojë kostot e transaksionit dhe do të financojë nxitjen e rritjes së raporteve tregtare dhe të partneritetit biznes me biznes ndërmjet sipërmarrjeve të të gjitha këtyre vendeve, përfshi edhe Shqipërinë.

Ky është një lajm i mirë, është një projekt i zhvillimit ndërkombëtar i qeverisë kineze, i cili me siguri do të prodhojë disa gjëra pozitive, në ndihmë të forcave të tregut, që deri më sot kanë treguar që marrëdhëniet tregtare me Kinën dhe rritja e investimeve kineze edhe në këto pjesë të botës kanë ndodhur edhe për shkak të forcave të tregut, por po merr tashmë edhe një impuls të programuar nga ana e qeverisë kineze. Unë e quaj këtë një program me interes, pozitiv dhe me përfitime të ndërsjella për të gjitha palët.

Gazetarja: Rritja ekonomike e Kinës në vitin 2015 pritet të jetë 7%. Opinioni juaj si analist i ekonomisë për këtë rritje ?

Artan Hoxha: Që ekonomia e vogël shqiptare të rritej me 8, 9 ose 10 %, kjo nuk do të përbënte aspak çudi, sepse ekonomitë e vogla mund të rriten edhe me një shkallë kaq të lartë. Çudia, mrekullia, në fakt është ajo e ekonomisë kineze, e cila deri në këto kohë është rritur me ritme shumë të larta dhe ka përbërë një mrekulli në vetvete. Tashmë që ritmet e rritjes së ekonomisë kineze do të jenë në nivelin 7 %, kjo është përsëri një rritje shumë e lartë, për një ekonomi të madhe, e dyta në botë, pra përsëri përbën një mrekulli në vetvete. Dhe kjo do të thotë që energjia njerëzore, inovacioni, puna, përkushtimi, kapitali në Kinë arrijnë të kombinohen në mënyrë optimale për të prodhuar një rritje të shpejtë, që do të thotë që edhe ajo pjesë e botës që përfaqësohet nga Kina, po u afrohet niveleve të larta të zhvillimit. Ky është një lajm i mirë për të gjithë botën. Ndërkohë, në këtë moment, kombinimi i një rritjeje prej 7 %, që mund të jetë më e ulët se ç'ka qenë, por që mbetet përsëri e lartë, me një zhvillim më cilësor, në fakt tregon një stad të ri cilësor të zhvillimit të vetë Kinës. Kjo gjë do të thotë se tani, përveç një zhvillimi ekstensiv, kërkohet edhe një zhvillim kualitativ.

Nga ana tjetër, një zhvillim i tillë i ekonomisë kineze mbi një platformë të re më cilësore, dhe jo aq sasiore, është një lajm i mirë edhe për ekulibrat globalë mjedisorë, është një lajm i mirë edhe zhvillimin teknologjik, të shkencës dhe të dijes në nivel global, dhe jo vetëm një lajm i mirë siç ka qenë deri më sot, që Kina, nga një vend me zhvillim të shpejtë, u bë edhe një vend konsumator i madh në rang botëror, që do të thotë se ndihmonte edhe ekonomitë e vendeve të tjera të prodhonin. Pra, unë e quaj këtë një ekuilibër të ri, me një start të ri, që është pozitiv dhe në një shkallë globale, dhe shpresoj që ekonomia kineze të vazhdojë në këtë drejtim, me ritme të larta të rritjes, por edhe me një vështrim më shumë nga cilësia e saj. Në këtë mënyrë, mendoj se është një lajm i mirë për ekonominë në shkallë globale. (Eda Merepeza)