">Superpushimet dimërore<IMG border=0 src=" /mmsource/images/2004/06/29/litsen1.gif">
Superpushimet dimërore
  2015-02-25 16:07:43

Në krahasim me vitin 2014, Festa e sivjetshme e Pranverës ose Viti i Ri Kinez është 19 ditë më vonë. Prandaj, studentët kinezë këtë vit kanë pushimin më të gjatë dimëror në 30 vitet e fundit sepse universitetet e Kinës që janë autorizuar të përcaktojnë vetë afatin e pushimeve verore dhe dimërore, zakonisht vendosin përfundimin e pushimit dimëror pas Festës së Pranverës.

Siç mësohet, studentët e Akademisë Qendrore të Dramës kanë pushimin më të gjatë dimëror që zgjat 60 ditë. Kurse shumica e shkollave të larta këtë vit kanë një javë më shumë pushim se vitet e kaluara. Çfarë plani kanë studentët kinezë në këtë superpushim? Sipas një sondazhi në internet, më shumë se gjysma e pjesëmarrësve kanë dëshirë të bëjnë vizita turistike.

Informacionet nga agjencitë turistike tregojnë se është rritur ndjeshëm numri i klientëve studentë. Itineraret në pikat më të pëlqyera turistike janë rezervuar para fillimit të Festës së Pranverës(19 shkurt).

"Dua të shkoj në vendet e Azisë Juglindore", shprehet Li Sha, studente e vitit të tretë të Universitetit të Shkencës Gjeologjike të Kinës. Sipas saj, pushimi dimëror më pak se katër javë ka qenë shumë i shkurtër. Ajo dëshiron të shfrytëzojë këtë shans për të njohur vende të tjera.

Në krahasim me Li Sha-në, që dëshiron vetëm një vizitë të thjeshtë turistike, shumë të tjerë zgjodhën "vizitë me studim" jashtë vendit. Vitet e fundit, gjithnjë e më shumë studentë kinezë aplikojnë për studime në shkolla të larta jashtë vendit. Prandaj, pushimi mes semestrave, pavarësisht veror apo dimëror është një kohë ideale për të nisur parakohe jetën në universitetet që duan të frekuentojnë. Sipas të dhënave statistikore, Britania, ShBA-ja dhe Australia janë tre destinacionet më të preferuara nga studentët kinezë. Jin Ruizhi nga Universiteti Tshinghua do të shkojë në Universitetin e Illinoisit, në Urbana-Champaign(UIUC) në kuadër të shkëmbimit të studentëve. Pra, ai rezervoi një vizitë studimore në këtë universitet gjatë pushimit super të gjatë dimëror.

Hu Ningu nga Universiteti i Pekinit tha se prindërit e tij kur ishin studentë kanë patur më pak se 2 muaj pushim tërë vitin. "Siç thotë një shprehje e urtë kineze, kryrja e udhëtimit të gjatë dhe leximi i librave të shumtë janë dy faktorë të rëndësishëm për studimet e të rinjve. Dua të shoh një botë më të gjerë dhe të përparoj çdo ditë", tha Hu.

Megjithatë, ka edhe studentë që zgjedhin të qëndrojnë në universitet për arsye të ndryshme.

Për Zhang Fengxia, studente e vitit të parë të hotelerisë pranë Universitetit të Kulturës Ndërkombëtare të Wuhanit, ky pushim dimëror ka kuptim të jashtëzakonshëm sepse ajo do të nisë për herë të parë karrierën si punonjëse në linjat e montimit të kompanisë së njohur botërore, për prodhimin e pajisjeve elektronike Foxconn Technology. Megjithëse ajo vajzë e vetme dhe nuk ka vështirësi për pagesën shkollore, 18 vjeçarja Zhang dëshiron të fitojë paratë " me djersën e vet" .

Kurse, Xu Junqiang, student i vitit të dytë të fakultetit të publicitetit të Shkollës Politeknike të Wuhan-it ka nisur punë me të përfunduar semestrin e parë të këtij viti. Që nga 18 janari, ai ka punuar si asistent i producentit në një website të njohur vendor. Xu mbërrin në orën 8 çdo mëngjes në zyrë dhe tërë ditën ndihmon për kryerjen e intervistave, shkrimin dhe filmimin e videove.

Por, Fan Maomao nga Universiteti Minzu i Kinës ka një plan edhe më të përsosur. Që nga fundi i dhjetorit, ajo ka punuar me kohë të pjesëshme si shitëse e një dyqani veshjesh pranë Tempullit Lama në Pekin. Fani interesohet shumë për biznesin e veshjeve, madje ka hapur edhe dyqanin e saj në internet. "Nga kjo punë mund të fitoj jo vetëm para, por edhe një përvojë të çmuar në shitjen e veshjeve", tha Fan Miaomiao. Lidhur me pushimin super të gjatë dimëror, ajo u shpreh e gëzuar se po të ishte i shkurtër si vitet e kaluara, nuk do të kishte mjaft kohë për "njohjen nga afër të kërkesave të klientëve në treg".

Çin Wenxuan-it që është student i vitit të fundit në Universitetin e Shkencës dhe të Teknologjisë të Pekinit(BISTU), është i mendimit se pushimi i gjatë dimëror i jep më shumë kohë për të gjetur punë. "Pas dhënies së provimit , tani jam zënë për intervistat. Shpresoj se para përfundimit të pushimit, mund të gjej punë shumë të mirë në këtë Festë të Pranverës", tha Çin.

Në krahasim me studentët e sipërpërmendur që qëndrojnë në shkollë, Zhou Yang nga Universiteti Hubei mbase është më i zënë. Ai është student i vitit të tretë dhe po planifikon të vazhdojë studimet pasuniversitare jashtë vendit. Për të marrë nota të mira në provimin e zotërimit të gjuhës angleze IELTS, ai ka fikur celularin dhe ka marrë me qira një apartament afër shkollës. Zhou çohet në orën 7.00 çdo mëngjes dhe nis studimin rreth orës 8.00. Pas drekës dhe 1 ore gjumë të lehtë, ai vazhdon studimin deri në 10 të mbrëmjes. Kurse, Liu Wei i Universitetit të Gjuhësisë dhe të Kulturës të Pekinit që po planifikon të marrë doktoraturë në një universitet amerikan, po shfrytëzon edhe pushimin super të gjatë për të përgatitur materialet aplikuese.

Në dimrin e ftohtë, përveç përpjekjeve për të ardhmen e tyre , studentët e shkollave të larta kujdesen për njerëzit që kanë nevojë për një vëmendje të jashtëzakonshme. Në këtë pushim të gjatë, studentët e Fakultetit të Pedagogjisë të Universitetit të Yangzhou-së nuk kthehen në vendlindje, por shkojnë të shoqërojnë nxënësit fshatarë, që nuk mund të bashkohen me prindërit e punësuar në qytete. Ata punojnë me radhë si mësues në shkollat fillore, bisedojnë dhe luajnë me këta fëmijë, duke pritur së bashku kthimin e prindërve.