">Si të dallojmë llojet e porcelanit kinez<IMG border=0 src=" /mmsource/images/2004/06/29/litsen1.gif">
Si të dallojmë llojet e porcelanit kinez
  2015-02-12 17:05:04

Shpesh krijohet konfuzion lidhur me termat "doucai", "wucai", "famille-rose" dhe "enamel", kur i referohemi llojeve të porcelanit kinez. Në fakt të gjitha këto emërtesa kanë të bëjnë me emalimin e enës prej porcelani duke e dalluar nga paraqitja e jashtme e dekorimit të saj.

Ja disa mënyra për ta dalluar se cilës prej 4 llojeve të porcelanit kinez i përket një enë.

"Doucai"- është lloji i porcelanit që formohet nga ndërthurja e ngjyrës blu me të bardhë në veshjen e enës. Përpara procesit të pjekjes pjesa e jashtme e saj duhet të jetë pikturuar me ngjyrat bardhë e blu. Pas pjekjes së pare të paemaluar, ena vendoset sërish në pjekje në temperature 800 gradë Celsius ku nxirren në pah ngjyrat unike të këtij porcelani.

Pjekja e porcelanit "doucai" daton që në periudhën Chenghua të dinastisë kineze Ming, e cila njihet edhe si periudha e "doucai-t".Vitin e kaluar në një ankand në Hong Kong një vazo e vogël prej porcelani doucai e njohur si filxhani me pula u shit me çmimin rekord prej 36 milion dollar amerikanë.

"Wucai"-janë procelanet shumëngjyrëshe decorative, që pas dizenjimit piqen në temperaturën 770-800 gradë Celsius. Ato shquhen për ngjyrat e forta, ndër të cilat e kuqja, e verdha, e gjelbra, bluja dhe e purpurta. Wucai njihet si një varietet i ri i porcelanit të Jingdezen-it i zhvilluar gjatë periudhës së dinastive Ming dhe Qing.

Për të dalluar llojet e porcelanëve "doucai" nga "wucai" nuk është e vështirë, pasi doucai përbëhet nga dy ngjyra bardhë e blu përgjithësisht kurse wucai nga shumë ngjyra të forta . Në dallimin e porcelanëve kinezë duhen patur parasysh dhe lloji i ngjyrave, ndaj ato ndahen në "yingcai" që do të thotë ngjyrë e forte dhe përfshihen dy llojet e para të porcelanit, përkatësisht doucai dhe wucai.

Ndërsa në llojin e porcelanit të ngjyrave të lehta, të njohura si "ruancai" përfshihen dy llojet e tjera të porcelanit, famile-rose dhe enamels.

Famille rose ose Familja e trëndafilëve-ky lloj porcelani ka ekzistuar gjatë sundimit të dinastisë Qing (1644-1911). Mësohet se materiali kryesor dhe teknika e përdorur për këtë lloj porcelani kanë ardhur nga jashtë. Mjeshtrat e porcelanit për të prodhuar këtë lloj porcelani piqnin qelqin opak, që ishte i përbërë nga qeramika e bardhë enamel me përbajtje arseniku.

Në këtë material përdorej teknika kineze e pikturimit dhe më pas pjekja e saj. Porcelani i llojit famille-rose u përhap gjatë dinastisë Qing dhe me të stoliseshin enë si tenxhere, shishe, mbajtëse vere, por edhe pjata, kuti apo objekte të ndryshme. Ndër simbolet e pikturuara në këtë lloj porcelani përfshihen dragojtë, feniksat, lulet, peizazhet, portrete njerëzish apo tema të legjendave të ndryshme kineze.

Porcelani enamel- është lloji i porcelanit i importuar nga Europa, por në vitin e gjashtë të sundimit të perandorit Yongzheng (1728 p.e.s) këtij porcelani iu shtuan ngjyra të tjera. Sipërfaqja e porcelanit ngjante me formën e një biskote.

Qeramika enamel gjatë dinastisë Qing konsiderohet si mjaft e rrallë dhe e çmuar pasi në shumicën e rasteve ato janë prodhuar në fshehtësi të plotë madhe edhe nga vetë perandori.

Të dyja llojet e porcelanit, famille-rose dhe enamel përbëhen nga ngjyra shumë të bukura në qelq opak.Këto dy lloje dallohen nga njeri-tjetri pasi enamel ka më shumë ngjyra se famille-rose. Porcelani enamel është i dizenjuar në një relief të punuar të enës që ndjehet me prekje me dorë, kurse famille-rose ka një sipërfaqe të sheshtë dhe të lëmuar.Një dallim tjetër përbëjnë ngjyrat sepse ato të enamelit janë të shndritshme kurse të famille-rose të lehta.(Eda Merepeza)