">Progresi i Kinës në të drejtat e njeriut<IMG border=0 src=" /mmsource/images/2004/06/29/litsen1.gif">
Progresi i Kinës në të drejtat e njeriut
  2015-02-09 16:49:42

Plani Kombëtar i Veprimit për të Drejtat e Njeriut (2012-2015) është plani i dytë kombëtar i Kinës për mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Ai shërben si një dokument i politikave për avancimin e të drejtave të njeriut në vend. Që nga botimi i tij në qershor të vitit 2012, qeveria kineze ka punuar në mënyrë efektive të realizojë objektivat e përcaktuara në këtë dokument të rëndësishëm. Të intervistuar nga "China.org.cn" katër ekspertë të njohur kinezë nga bota akademije kanë shprehur pikëpamjet e tyre mbi ecurinë e Kinës në drejtim të mbrojtjes së të drejtave të njeriut.

Zhang Wei është profesor i asociuar dhe bashkëdrejtues i Institutit për të drejtat e njeriut, pranë Universitetit të shkencave politike dhe drejtësisë.

Sipas tij, "qeveria kineze po trajton gjithnjë e me më shumë vëmendje çeshtjet e të drejtave të njeriut. Qëndrimi pozitiv ndaj të drejtave të njeriut siguron një hapësirë të mëtejshme për përmirësimin e tyre në Kinë." Ai vlerëson punën që bëhet nga qeverisja qendrore lidhur me planin e aksionit për të drejtat e njeriut, i kuptuar si një standard ligjor. Por profesori i asociuar Zhang është i mendimit se në qeverisjen vendore ka ende shumë punë për të bërë në këtë drejtim. Ata trajtojnë çeshtje të mprehta që lidhen me të drejtat e njeriut, por pa patur shumë njohuri në aspektin ligjor të tyre.

Madje ai është shprehur se ndoshta për këtë arësye ministri i Zyrës së Informacionit pranë Këshillit të Shtetit, Cai Mingzhao ka kërkuar trajtimin e çeshtjeve të të drejtave të njeriut në aktivitetet mësimore dhe trajnime të të gjitha niveleve, veçanërisht në shkollat e partisë dhe të trajnimit të nëpunësve civilë.

Ndërsa zonja Zhang Xiaoling, profesore dhe drejtore e Qendrës Kërkimore të të drejtave të njeriut,pranë Shkollës së Partisë së KQ të PKK-së është e mendimit se "Ligji kinez përmban kufizime të rrepta mbi dënimin me vdekje. Neni 49 i Kodit Penal përcakton se shtetasit nën moshën 18 vjeç që kanë kryer krim apo gratë shtatzëna, nuk i nënshtrohen dënimit kapital gjatë gjykimit.

Plani Kombëtar i Veprimit për të drejtat e njeriut në periudhën 2012-2015 përmban kërkesa të reja lidhur me kufizimin e dënimit kapital në vitin 2012. Qysh nga ajo kohë Kina ka shënuar një progres të dukshëm në mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve të saj, thekson për "China.org.cn" zonja Zhang.

Zhu Liyu është nëndrejtor i Qendrës Kërkimore për të drejtat e njeriut pranë Universitetit Renmin të Kinës. Ai është i mendimit se "rishikimi i Planit Kombëtar të Veprimit për të drejtat e njeriut në periudhën 2012-2015" është kryer para afatit. Ministria e Arsimit dhe Zyra e Informacionit pranë Këshillit të Shtetit të Kinës kanë bashkëpunuar me ekspertë për shqyrtimin dhe vlerësimin e bazave të arsimit dhe aftësimin në çeshtje të të drejtave të njeriut. Ndërkohë është miratuar krijimi i qendrave kërkimore për të drejtat e njeriut pranë Universitetit Renmin, Universitetit Fudan, Wuhan, Shandong dhe Universitetit jugperëndimor të shkencave politike dhe të drejtësisë, si bazë kombëtare e arsimit dhe trajnimit në fushën e të drejtave të njeriut. Sipas tij këto qendra mbulojnë veriun, lindjen dhe juglindjen e Kinës ku do të krijohet një bazë e mirë për trajnim, por do të mbeten të zbuluara zona si verilindja dhe veriperëndimi i vendit , në të cilat plani i veprimit për periudhën 2012-2015 mbetet për tu zbatuar gjatë këtij viti.

Chang Jian është nëndrejtor i Qendrës kërkimore për të drejtat e njeriut pranë Universitetit të Nankait. Ai shprehet për "China.org.cn" se që nga zbatimi i fazës së dytë të Planit të veprimit në Kinë ka shënuar një nivel më të lartë mbrojtja e të drejtave të njeriut. Sipas tij në vend ushtrojnë veprimtarinë e tyre mbi 60 qendra kërkimore dhe studimore në fushën e të drejtave të njeriut, pjesa më e madhe e të cilave pranë universiteteve, akademive si dhe përfshijnë disa agjenci dhe institute qeveritare. Studjuesit merren me anën teorike të të drejtave të njeriut, por ofrojnë dhe këshillime, trajnime si dhe zgjerim të njohurive në këtë fushë.

(Eda Merepeza)