">Yu Xiuhua-poetja online<IMG border=0 src=" /mmsource/images/2004/06/29/litsen1.gif">
Yu Xiuhua-poetja online
  2015-02-05 11:39:49

Ajo ka hedhur vargjet e saj poetike në rrjetet sociale, pa e ditur se një ditë do të kontaktohej nga botues të ndryshëm që kërkojnë të botojnë krijimet e saj. Tani ka nënshkruar kontratë me dy shtëpi botuese në Kinë për botimin e 2 mijë poezive.

Personazhi I rubrikës sonë është Yu Xiuhua një grua nga zona rurale Hengdian e provincës kineze Hubei.

"Suksesi I menjëhershëm ashtu siç vjen edhe ikën, thotë Yu. Ndaj e di që do të kthehem sërish në përditshmërinë time."

Ndjekësit e Yu-së në rrjetin social Weibo ( i ngjashëm me Twitter) janë shtuar nga 200 që ishin në fillim në 12 mijë.

Kush është poetja Yu

Yu Xiuhua kurrë nuk e kishte imagjinuar se vargjet që thurte do të bëheshin të famshme në rrjetet sociale. Si mund të mendonte ajo se pas leximit të vargjeve të saj plot ndjenjë e trishtim studjuesi letrar Shen Rui do ta krahasonte me stilin e poetes së famshme amerikane të shekullit të 19-të Emily Dickinson.

Gjatë një interviste për "Southern Metropolis Daily" kinezja Yu ka thënë se nuk ka dëgjuar kurrë për Emily Dickinsonin.Ajo shpreh mirënjohje për lexuesit e vargjeve të saj. Përveç suksesit befasues të ditëve të fundit për shkak të poezive të saj në internet, Yu ka kaluar një jetë të vështirë për shkak të gjendjes së saj shëndetësore. E lindur në vitin 1976, Yu është prekur nga një sëmundje cerebrale që e ka bërë të kalojë një jetë prej invalideje. Gjendja shëndetësore e ka privuar të ndjekë studimet e larta dhe në moshën 19 vjeçare ajo është martuar. Martesa ka ngjallur mjaft trishtim në jetën e të resë kineze, që i ka kushtuar vargje të trishta kësaj pjese të jetës, që duhet të ishte mjaft e bukur për të. "Mëkati I freskisë sime" e ka quajtur periudhën e martesës Yu.

Çifti pas mospërshtatjes martesore është ndarë dhe i shoqi i Yu-së lidhur me këtë ka thënë në media se "ishin tipa krejt të kundërt" ndaj martesa e tyre nuk kishte si të funksiononte. Nga kjo martesë lindi djali i cili aktualisht studjon në universitetin e Wuhanit, të provincës Hubei. Pjesën më të madhe të ditës Yu e kalonte në kopshtin e shtëpisë ku jetonte me prindërit duke lexuar apo duke ushqyer lepujt e saj. E frymëzuar nga qielli i kaltër, dita plot dritë apo atmosfera përreth Yu hidhte çdo ditë vargje në letër. Ndonëse duart e saj dridhen nga sëmundja ajo i hedh vargjet në kompjuter.

Përhapja e rrjeteve sociale në Kinë nuk kishte si të mos e përfshinte dhe Yu-në e cila hidhte në to vargjet që krijonte. Ajo mbeti mjaft e surprizuar kur pa se poezia e saj "Përshkoj gjysmën e vendit për të fjetur me ty", ishte bërë aq e njohur në rrjetet sociale, me aq shumë përdorues në Kinë.

"Nuk e kisha menduar kurrë se kjo poezi do të bëhej kaq popullore. Unë nuk shkruaj për një person real, por është një krijim i imi" shprehet Yu.

Shkrimtarët online në Kinë përbëjnë tashmë një dukuri të njohur letrare. Ata pëlqehen në çdo lloj gjinie letrare të trajtuar dhe botuar në rrjetet sociale të Kinës si Weibo, QQ etj, të ngjashme me Twitter apo Facebook. Duke qenë se Kina është një treg i madh nëse një autor boton në internet krijimtarinë e tij dhe kjo pëlqehet përmes klikimeve, atëhere ky autor bëhet i njohur dhe siguron të ardhura të konsiderueshme.

Mbrojtja e të drejtës së autorit është një tjetër aspekt që i ndihmon këta autorë të vjelin frutet e punës së tyre krijuese dhe të mos mbeten publikues të thjeshtë në rrjetet sociale. Media u kushton atyre një vëmendje të veçantë, duke i dhënë hapësira në emisione të ndryshme audio vizive apo në faqet e shtypit të shkruar. Por edhe shoqatat e ndryshme të krijuesve në mbarë vendin i bëjnë të njohur përmes çmimeve që u japin në veprimtari të ndryshme. Përzgjedhja e këtyre autorëve bëhet në "sytë e të gjithëve" në internet, atje ku duke klikuar çdo përdorues zgjedh autorin e preferuar, të cilin e ndjek në çdo publikim të tij. Disa analistë janë të mendimit se fama e këtyre autorëve të internetit zgjat fare pak dhe është sezonale, por ka prej tyre që duke iu gëzuar suksesit fillestar online më tej lidhen me shtëpi botuese dhe nxjerrin veprat e tyre në formën tradicionale të librit. (Eda Merepeza)