">"Chunyun"-Trafiku gjatë vitit të ri kinez<IMG border=0 src=" /mmsource/images/2004/06/29/litsen1.gif">
"Chunyun"-Trafiku gjatë vitit të ri kinez
  2015-02-02 16:05:35

Flitet shpesh për kulmin e trafikut të kinezëve gjatë festës së vitit të ri, veçanërisht në kulmin e saj nga 18-24 shkurt. Ata që përdorin më shumë trenat janë kryesisht punëtorët migrantë, por edhe studentët apo nëpunësit që janë larguar nga vendlindjet e tyre për një punë apo jetë më të mirë në metropolet kineze. Tashmë ata i kanë prerë biletat e tyre të trenave vajtje-ardhje dhe shpresojnë të mos ketë vonesa, si dhe të bëjnë një udhëtim sa më të këndshëm në familjen që i pret për festë.

Trena të shpejtësisë së lartë shtohen në Guangzhou

Njoftimi në dhjetorin e kaluar për lidhjen me trena të shpejtësisë së lartë të Guangzhout me qytetet Nanning dhe Guiyang pritet të lehtësojë qarkullimin e miliona punëtorëve migrantë që me rastin e vitit të ri kinez, i njohur dhe si Festa e Pranverës kthehen në vendlindjet e tyre. Vitet e kaluara për lehtësimin e transportit hekurudhor në linja të ndryshme të Kinës me rastin e vitit të ri shtoheshin trena, por kërkesa për këtë lloj transporti sa vjen e rritet dhe kjo nuk është e mjaftueshme. Nëse do ti referohemi shifrave të administratës hekurudhore të Kinës, nga Rajoni autonom Guangxi Zhuang dhe provinca Guizhou, ku përfshihen qytetet Nanning dhe Guiyang kanë shkuar për të punuar rreth 14 milionë punëtorë migrantë në Guangzhou.

Në vitin 2013 rreth 16.54 milion punëtorë migrantë nga provinca Guangdong kanë shkuar për të punuar në metropolet e vendit, ndërsa 10.48 milion kanë migruar në qytetet brenda kësaj province. Këto shifra tregojnë se sa i madh mund të jetë numri i udhëtarëve në mjetet e ndryshme të transportit gjarë periudhë së vitit të ri kinez, periudhë që në kinezisht ka marrë emrin "Chunyun". Aq i madh është trafiku i njerëzve dhe mjeteve në këtë periudhë sa kinezët e kanë pagëzuar me një emër të veçantë "Chunyun" (chun-festa e pranverës , ose viti i ri kinez dhe "yun"- trafik)

Zyrtarë të sektorit hekurudhor të provincës Guangzhou njoftojnë se këtë vit të ri pasagjerët që preferojnë trenat do të kenë rast të udhëtojnë me trena të shpejtësisë së lartë drejt vendlindjes dhe anasjelltas, kur të mbarojnë pushimet. Pritet që një grup i përbërë prej 10 trenash të shpejtësisë së lartë do të transportojnë 22.11 milion pasagjerë gjatë periudhës së festës më popullore të kinezëve, vitit të ri. Mendohet se këta trena do të kryejnë udhëtime vajtje-ardhje të përditëshme. Autoritetet hekurudhore njoftojnë se përpara "chunyun"-it, gjatë javës festive me rastin e Festës Kombëtare të Kinës në tetor të vitit të kaluar, në 8 trena të shpejtësisë së lartë të linjës së Guangzhout udhëtuan 5.83 milion pasagjerë.

Edhe stacioni hekurudhor në Guangzhou këtë vit do të ketë ndryshime në pamjen e tij, duke krijuar më shumë kushte dhe hapësirë për pasagjerët e shumtë që pritet ta vizitojnë atë, gjatë udhëtimeve të tyre me rastin e festës së vitit të ri.

Pritet që të udhëtojnë me tren drejt Guangzhou-t 11.3 milion pasagjerë gjatë ditëve të festës, rreth 7.6% më shumë se vitin e kaluar. Edhe oraret e pritjes së trenave për këtë vit janë ndryshuar duke u siguruar pasagjerëve më pak kohë pritjeje si dhe transport me trena të posaçëm metroje drejt linjës hekurudhore të Guangzhout. Jo vetëm në Guangzhou janë marrë masa për lehtësimin e linjave hekurudhore me rastin e vitit të ri kinez. Edhe nga metropoli kinez, Shangai njoftohet se do të shtohen trenat në javën e pushimeve të vitit të ri kinez nga 18-24 shkurt. (Eda Merepeza)