">Ekonomia e Kinës shënon rritjen më të dobët në dy dekada<IMG border=0 src=" /mmsource/images/2004/06/29/litsen1.gif">
Ekonomia e Kinës shënon rritjen më të dobët në dy dekada
  2015-01-21 10:18:03

Të dhënat e reja tregojnë se rritja ekonomike e Kinës ishte më e dobëta në dy dekadat e fundit, duke u rritur me 7.4 për qind vitin e kaluar.

Ngadalësimi është brenda pritshmërive të tregut, ndërsa qeveria po përpiqet për të ribalancuar ekonominë.

Korrespodenti i CRI-së Yin Xiuqi raporton:

Rritja ekonomike e Kinës për vitin e kaluar ishte nën parashikimin zyrtar prej 7.5 për qind. Kjo është rritja më e ngadaltë ekonomike e Kinës që nga viti 1990 kur rritja ekonomike atë vit ishte vetëm 3.8 për qind.

Ma Jiantang, është drejtori i Byrosë Kombëtare të Statistikave. Ai pranon se tani ekonomia kineze po përballet me erëra të forta.

"Duke folur për ekonominë në përgjithësi, them se ajo ka arritur përparime të qëndrueshme duke përmirësuar cilësinë nën moton e re të vitit 2014 'normalja e re.' Gjithsesi, ne duhet të jemi të ndërgjegjshëm se situata e brendshme dhe ajo ndërkombëtare mbeten ende të ndërlikuara dhe se zhvillimi ekonomik i Kinës përballet ende me vështirësi dhe sfida."

Rritja ekonomike në asetet e investimeve, një mortor kryesor ekonomik, u rrit nën 16 për qind më bazë vjetore. Tregu i pasurive të patundshme, një faktor kryesor për shumë industri të vendit, gjithashtu njohu rritje më të ngadaltë vitin e kaluar.

Zgjerimi i investimeve në tregun e pasurive u ul me 9 për qind që nga viti 2013. Qeveria kineze thotë se ngadalësimi ekonomik ka ardhur si pasojë e përpjekjeve për ta transformuar ekonominë, duke e shkëputur atë nga varësia që ka tek investimet dhe tregtia duke i dhënë më shumë rëndësi konsumit të brendshëm.

Shitjet me pakicë u rritën me 12 për qind vitin e kaluar, ndërsa sektori i shërbimeve pati një zgjerim të përgjithshëm në treg duke zënë tani 48 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto të Kinës.

David Dollar, një ekonomist i Institutit Brookings me seli në Uashington, thotë se ai pret që ekonomia kineze të ketë një performacë më të mirë këtë vit.

"Ekonomia kineze në përgjithësi është duke performuar shumë mirë. Norma e rritjes është duke u ngadalësuar, e cila tani është normale në fazën e zhvillimit. Kina ka ndërtuar mbi kapacitet në shumë sektorë, ndaj bën kuptim që tani investimet të ngadalësohen dhe të zvogëlohet ritmi i rritjes. Por eksportet kineze janë duke shkuar mirë. Gjithashtu konsumi është në nivel të përshtatshëm. Prandaj në përgjithësi norma e rritjes është pak mbi 7 për qind. Dhe unë mendoj se kjo është e mirë. Për vitin 2015, unë pres që ngadalësimi të shtohet, por ai përsëri do të mbetet rreth 7 për qind."

Alfred Schipke, një zyrtar i lartë i FMN-së në Kinës, i sugjeron qeverisë kineze të vazhdojë qasjen e balancimit të ekonomisë.

"Rreziku qëndron tek fakti se qeveria tani po përballet me tre detyra në të njëjtën kohë. Nga njëra anë, ajo është duke u përpjekur për të reduktuar dobësitë në ekonomi. Në njëjtën kohë ajo po përpiqet për të lehtësuar përshtatjen që po ndodh. Por pika e tretë është shumë e rëndësishme, ajo po përpiqet të shmangë një ngadalësim të menjëhershëm. Pra, politikat makro duhet të kalibrohen me kujdes."

Fondi Monetar Ndërkombëtar e ka shkurtuar parashikimin për rritjen e ekonomisë kineze dhe parashikon që këtë vit norma e rritjes të jetë 6.8 për qind.

Ndërkohë pritet që politikë bërësit e Kinës të përcaktojnë objektivin e rritjes për këtë vit në rreth 7 për qind. 

Janë duke u ndërmarrë hapa që ekonomia të mos ketë një rënie drastike. Banka Qendrore e Kinës thuhet se është duke përgatitur një tjetër ulje të normës bazë të interesit, që pas zbritjes në 2.75 për qind në muajin nëntor, hera e parë që banka ul normën e interesit që nga viti 2012.