">Stacione turistike dimërore në Kinë<IMG border=0 src=" /mmsource/images/2004/06/29/litsen1.gif">
Stacione turistike dimërore në Kinë
  2015-01-19 14:48:33

Harbini-Qyteti i akullit

Të vizitosh Harbinin në mes të dimrit, "Qytetin e akullit", ku termometri shënon deri në -20 gradë, ngjan si aventurë. Por të vizitosh këtë qytet është një eksperiencë e rrallë jetësore.

Udhëtimi me trenin e shpejtësisë së lartë e bën udhëtimin të ngjashëm me fluturimin me avion. Harbini ndodhet në verilindje të Kinës dhe ka fatin që në çdo stinë të vitit të ketë dyndje turistësh vendës dhe të huaj. Pasi dimri këtu është vërtet përrallor.

Koha më e mirë për të vizituar qytetin e akullit është në festën e përvitshme tradicionale Festivali i Akullit dhe Dëborës, që përkon me fundin e janarit dhe fillimin e shkurtit. Mbarë Kina në atë periudhë përfshihet nga festa e vitit të ri kinez, por kur arrin në Harbin dhe sheh vepra skulpturore prej akulli apo dëbore në qendër dhe në rrethinat e tij, të duket vetja si në një kartolinë dimërore. Sapo mbërrin në qytet mëson se mund të vizitosh disa ekspozita të skulpturave prej akulli dhe dëbore si "Bota prej Akulli dhe Dëbore", "Kopështi i Fenerëve prej akulli", "Ishulli i Diellit", resorti i skive Yabuli apo parku Zhaolin.

Festivali i Akullit dhe Dëborës në Harbin

Është një veprimari e përvitshme që ka nisur që në vitin 1985 dhe kremtohet çdo vit nga 5 janari e zgjat rreth një muaj. Është një nga katër festivalet botërorë të skulpturave prej akulli në botë. Mijëra turistë nga Kina dhe jashtë saj mund të takosh në pedonalen e qytetit, nëpër restorante, dyqane, por mbi të gjitha në ekspozitat prej akulli në natyrë. Klima arktike e kësaj province i siguron çdo vit qytetit borë dhe akull të mjaftueshëm, kryesisht për skulptorët, të cilët krijojnë veprat e tyre të artit, të ekspozuara në qytet. Në fund të bulevardit kryesor të qytetit, që në fakt është një pedonale e zbukuruar nga të dyja anët si një galeri arti në qiell të hapur, me skulptura prej akulli dhe dëbore, të pret lumi i ngrirë Songhua. Gjatë ditës deri në mbrëmje fëmijë, të rinj dhe të rritur shëtitin në sipërfaqen e akullt të liqenit me slita në formë karrigeje për të vegjlit, karroca me kuaj, por edhe me qen. Pasi ke përshkuar liqenin ndodhesh në një zone vilash, restorantesh e hotelesh turistike, ku përsëri të sheh syri skulptura prej dëbore dhe akulli.

Mbrëmja në Ekspozitën e skulpturave prej akulli dhe dëbore është unike dhe e paimagjinueshme. Pavarësisht temperaturave nën zero të gjithë vizitorët presin sa të bjerë mbrëmja për të fokusuar këtë mrekulli prej akulli në foto.

Skulptura të përmasave të mëdha prej akulli shfaqin para nesh Koloseun, Kullën Eifel, Kremlinin e plot mrekulli të tjera të arkitekturës botërore, në ndriçimin shumëngjyrësh. Kjo botë skulpturore prej akulli dhe dëbore, më e madhja në botë e nisi shfaqjen e saj për publikun e gjerë që në vitin 1999, duke u shndërruar tashmë në një përvojë unike për turizmin botëror.

Një tjetër mrekulli turistike është Festivali i fenerëve prej akulli, që ka nisur në vitin 1963, ku turistët mund të shohin personazhe të përrallave të njohura kineze dhe evropiane të gdhendura në akull. Festat e akullit dhe dëborës e bëjnë Harbinin një nga 35 stacionet më të njohura turistike të Kinës. Në festivalet dimërore marrin pjesë skulptorë vendës, por dhe të ardhur nga SHBA-ja, Kanadaja, Singapori, Japonia dhe Rusia. Vepra skulpturore të Festivalit të fenerëve prej akulli të Harbinit janë prezantuar në qytete të tjera të Kinës, por edhe jashtë vendit , në të gjitha kontinentet.

Harbini-perla në qafën e mjelmës

Heilongjiang është provincë kineze në verilindje të vendit , që nëse do ta shihni në hartë ngjan me një mjelmë. Kryeqyteti i provincës Harbin, ndodhet në jug të provincës dhe është një qendër politike, ekonomike, arsimore dhe kulturore. Në shumë shkrime Harbini vlerësohet si perla në qafën e mjelmës. Si çdo turist që viziton një vend për here të pare, kur kërkova në internet informacion për historinë e tij mësova se Harbini është vendlindja e dinastive kineze Jin (1115-1234) dhe Qing (1644-1911), me një ndikim të dukshëm në historinë e Kinës moderne. Në fund të shekullit të 19-të në këtë zonë rusët ndërtuan hekurudhën e Lindjes së Mesme, gjë që shpjegon ndikimin rus në Harbin. Në atë periudhë mbi 160 mijë të huaj nga 33 vende të botës migruan në këtë provincë duke nxitur zhvillimin kapitalist të saj.

Kur viziton Harbinin e ndjen ndikimin rus, por edhe atë frëng në objekte të vjetra historike përfshirë Katedralen ortodokse ruse Shën Sofia në qendër të qytetit, por edhe në restorantet e baret e stilit rus dhe frëng.

Vizitoni Kinën në dimër dhe do të përjetoni një mrekulli ! (Eda Merepeza)