">Tre altruistë<IMG border=0 src=" /mmsource/images/2004/06/29/litsen1.gif">
Tre altruistë
  2015-01-19 14:48:33

Qysh nga viti 2008 ka nisur në Kinë një veprimtari kushtuar personave që me sjelljen e tyre bëhen shembull për mbarë shoqërinë. Me financim nga buxheti i shtetit dhe publicitet të gjerë nga mass media, miliona qytetarë të thjeshtë propozuan kandidatë dhe morën pjesë në votimin në internet. Çdo vit, ata që fitojnë më shumë vota, dekorohen me titullin "Qytetari kinez i vitit".

Këtë herë, do të njihemi me tre personazhe që opinioni i gjerë publik kinez i zgjodhi vitin e kaluar si qytetarë shembullorë.

Cheng Wenxiang

Po të ishe shofer i autobusit dhe të shihje një kuti plot me stoli të arta të harruar nga një pasagjer, pa të pare askush dhe kur kamera në autobus nuk punonte, çfarë do të bëje ?


foto nga jt.rednet.cn

Z. Cheng Wenxiang, drejtues i autobusit nr. 301 të qytetit Changsha të Kinës jugore, u ndodh njëherë para një prove të tillë. Ai mendoi se kutia duhej ti kthehej sa më parë të zotit.

Më 15 qershor të vitit 2014, pasi drejtoi autobusin deri në stacionin afër godinës së qeverisë, Chengu, si gjithmonë bëri një kontroll rutine. Ai zbuloi një kuti të bardhë plastike të vendosur posht një karrigeje në pjesën e përparme të autobusit. Sapo e hapi, Chengu u shtang se kutia ishte mbushur me byzylykë ari.


foto nga jt.rednet.cn

"Nuk kisha pare asnjëherë aq shumë ar! Pasagjeri që e ishte harruar atë kuti duhet të ishte shqetësuar shumë. I raportova menjëherë shefit tim", kujton Cheng Wenxiang. Në mesditë, kur pronari i kutisë së stolive me vlerë, Yuan Bin kontaktoi me kompaninë e autobusit, mësoi lajmin e mirë. Me faturën e shitjes, z. Yuan mori kutinë e vet.

Si drejtues i autobusit, 27 vjeçari Cheng Wenxiangu punon mbi 12 orë në ditë, 28 ditë në muaj. Por, para një pasurie me vlerë 1 milion juanë(mbi 160 mijë $) sa 20 vjet rroga e tij, ai nuk u tundua, por ia ktheu të zotit pa prekur asnjë gram, madje duke refuzuar edhe shpërblimin prej 10,000 juanësh. Sipas tij, "Vetëm kur harxhoj paratë që fitoj me duart e mia, ndjehem i qetë ".

Ma Gang

"Kur nuk ishim në gjendje të përballonim pagesën shkollore, as drekat, as rrobat e fëmijëve, shkolla gjithmonë na jepte ndihmë", tha i mallëngjyer babai i një nxënësi të shkollës private Changfu.

Ma Gang është drejtori i shkollës së sipërpërmendur, një altruist që i dedikohet plotësisht të ardhmes së fëmijëve me kushte të vështira ekonomike. Gjatë 12 vjetëve të fundit, ai ka financuar mbi 500 fëmijë të varfër, duke përdorur gati 6 milionë juanë(960 mijë $).


foto nga www.wenming.cn

Ma Gang, 42 vjeçar ka lindur në një familje fshatare të varfër. Ai nisi të mësojë arte marciale që i vogël. Me dhunti dhe ushtrim të pandërprerë, kur ishte 12 vjeç, fitoi disa kampionate në nivel profesionistësh. Pasi u rrit, ai shkoi në Hong Kong , ku u bë një trajner i arteve marciale dhe më vonë luajti në disa filma të Kung-fu-së i kundërfigurë ose në role dytësore. Me një rrogë vjetore më shumë se 500 mijë juanë (80 mijë $), Ma kalonte një jetë të rehatshme në Hong Kong.

Por, në vitin 2001, e ëma u sëmur rëndë dhe ai u kthye në vendlindje për tu kujdesur për të. Në vendlindje, distrikti Xiangcheng të provincës He'nan të Kinës Qendrore, ai pa nga afër jetën plot vuajtje të fëmijëve që ndaheshin me prindërit , të cilët punonin në qytete të largëta. Iu kujtua fëmijëria e tij e vështirë. Ma është i mendimit se fëmijët vetëm pas edukimit të duhur, mund të kenë mundësi të ndryshojnë të ardhmen e tyre. Prandaj, ai krijoi një shkollë private që pranon posaçërisht fëmijët e ndarë me prindërit.

Disa nxënës të shkollës janë jetimë dhe jetojnë me gjyshërit, të cilët për shkak të moshës së thyer dhe shëndetit të dobët, nuk janë në gjendje të kujdesen mirë për ta. Ma shpesh viziton familjet e tyre, duke u hequr pagesat e ushqimit, të banimit, të mësimit etj.


foto nga www.wenming.cn

Në vitin 2014, shkolla e Ma Gang-ut pranoi edhe 50 nxënës të tillë. Sun Xiaonan, 12 vjeç mbeti pa nënë kur ishte vetëm 4 vjet, kurse i ati është i sëmurë rëndë. Për të kujdeset gjyshi dhe halla. Pasi mësoi për jetën e vështirë të këtij djalit, Ma vizitoi të atin në spital dhe dhuroi një fond për mjekimin e tij. Pas ndërrimit të jetës së të atit të djalit, Ma i ngushëlloi të afërmit e tij dhe u tha: "Mos u frikësoni! . Që nga kjo ditë, shkolla është familja jote,kurse unë do të jem babai yt".

Fëmijë si Xiao'nan, ka shumë në shkollën e Ma Gang-ut. Për t'i financuar, Ma bën çmos për të përballuar shpenzimet që rriten dita ditës.

Me shtimin e nxënësve, shkolla filloi të marrë edhe hua. Për funksionimin e vazhdueshëm të shkollës, Ma bashkëpunoi me disa fshtarë dhe krijoi një grup pune për ndërtimin dhe dekorimin e ndërtesave. Për shkak të mungesës së fondeve, ata mund të kryenin vetëm punë të thjeshtë me krah. Askush nuk e imagjinonte se ish-kampioni i arteve marciale dhe aktor i filmave punonte në kantier si çdo punëtor i thjeshtë, vetëm për të përballuar shpenzimet e shkollës.

Për 12 vjet, që është pothuajse periudha e artë për një aktor të ri, ai u zhduk nga ekrani i madh, duke humbur shumë shanse për të fituar famë dhe para. Për 12 vjet, Ma Gangu udhëton midis shkollës dhe kantierit, duke qenë drejtor dhe punëtor. Por, sakrificat që ka bërë nuk kanë shkuar kot. Shumë nxënës të shkollës së tij kanë pasur të ardhme të ndritur. Disa kanë dalë të shkëlqyer në artet marciale dhe dhjetëra prej tyre janë pranuar nga universitetet më të mira të vendit.

Të moshuarit në Hong'ri'ting

Në orën 5:30 në mëngjes, kur njerëzit janë edhe në gjumë, 75 vjeçarja Wang Ya'nong, 72 vjeçarja Gu Linny dhe 78 vjeçari Zhu Meihua fillojnë ditën plot aktivitet. Si gjithmonë, ata ndezin furrën dhe përgatisin supë orizi. Në orën 6, vullnetarët e rinj vijnë, duke sjellë zarzavate dhe turshi.

Rreth orës 7, më shumë të moshuar mblidhen dhe i ndihmojnë në përgatitjen e supës dhe mezeve.


foto nga Xiangli/www.wenming.cn

Pas orës 8:30, njerëzit që rrinë në rresht jashtë fillojnë të hanë. Në ditë, mbi 600 njerëz mund të shijojnë falas nga një tas supë orizi. Shumica prej tyre janë pastrues të rrugëve, lypës ose njerëz në gjendje të vështirë ekonomike. Duke folur për mëngjesin falas, ata shpesh përmendin "të moshuarit e Hong'ri'ting-ut" për të shprehur falënderime.

Tani, vendi ku qëndron pavjoni u shndërrua në një shesh të madh. Por, anëtarët e grupit të bamirësisë nuk zvogëlohen. Përkundrazi, numri i tyre është rritur nga 6 deri në 26. Në verën e nxehtë, ata gatuajnë çaj, kurse në dimër ose vjeshtë, supë orizi të ngrohtë.

Në dimër, çdo ditë, ata duhet të përgatisin 18 tenxhere me supë, me gati 45 kilogramë oriz. Tenxheret dhe orizi dhurohen kryesisht nga banorët e zonës.

Tani, anëtarja më e moshuar e grupit të bamirësisë është 86 vjeçe, kurse më i riu ka mbushur 61. Megjithëse ata po plaken dhe disa për shkak të distancës ose problemeve shëndetsore detyrohen të ndëpresin këtë veprimtari , duke folur për të, secili prej tyre shprehet plot gëzim se gjithnjë e më shumë njerëz po futen në punën e bamirësisë. Në sytë e tyre, po të jesh altruist, do të thotë të ndjehesh krenar.