">Moda në Kinë 2014<IMG border=0 align=absMiddle src=" /mmsource/images/2004/06/29/litsen1.gif">
Moda në Kinë 2014
  2014-12-25 11:31:42

Moda në Kinë 2014

Kur flasim për modën kineze menjëherë na shkon mendja te fustani karakteristik "qipao", ose "cheongsam" siç njihet në Perëndim, veshja prej mëndafshi me dragua dhe feniks.

Por moda e sotme kineze është një realitet i ri, mbushur me surpriza për mbarë botën .

China Fashion Week

Është veprimtaria më e madhe e modës aziatike që zhvillohet çdo vit në Pekin.

Në edicionin e sivjetshëm China Fashion Week, gërshetoi trende të frymëzuara që nga Beatles e deri te folku kinez. Motivi që i bashkon stilistët kinezë sot është "Frymëzohemi nga pasarelat e Milanos dhe Nju Jorkut dhe synojmë të bëhemi kryeqyteti botëror i modës."


Foto: 陆龙 / 东方IC

China Fashion Week 2014 u zhvillua në zonën e njohur të artit në Pekin, 751D PARK, që konsiderohet si lagja e re e modës. Shumë prej stilistëve kinezë, tashmë të mirënjohur në botë kanë atelietë e tyre pikërisht në këtë zonë të transformuar, ku dikur ndodheshin uniza elektronike të viteve 70-të.

Në edicionin e sivjetshëm të China Fashion Week u prezantuan 66 koleksione pranverë-verë 2015. Veshje sportive por edhe "haute couture", me stilin e sofistikuar të Dong Huaiguang, themelues I shtëpisë së modës "Tom Dong", apo veshje jeans si ato të "D'nim", të stilistit Chen Wen, parakaluan në pasarela me mjaft sukses. Chen ishte një nga më të suksesshmit e edicionit të sivjetëm të China Fashion Week.

China Fashion week shërben si vend-takimi më i rëndësishëm i industrisë së modës për rajonin e Azi-Paqësorit. Para 10 vjetësh Pekini prezantoi për herë të pare projektin për tu shndërruar në njërin nga kryeqytetet e modës dhe tashmë ja ka arritur me sukses.

Historiku


Foto: 李建波 / 东方IC

Në Kinë vepron Shoqata e Modës, e kryesuar nga Li Dangqi, një nga emrat e njohur të elitës kulturore të vendit. Shoqata tashmë ka 800 anëtarë dhe njihet si nismëtare e javës së pare të modës, organizuar në Pekin në vitin 1997. «Jemi në hapat e parë por synimi ynë është ta bëjmë Pekinin kryeqytet global të luksit dhe stilit », thotë Li Dangqi.

Që nga ajo kohë në Pekin janë organizuar rreth 900 sfilata mode, ku janë paraqitur 400 marka kineze veshjesh. Cilësia e industrisë së modës shënoi rritje veçanërisht në vitin 2011, kur u nënshkrua partneriteti me Mercedes Benz, nga i cili u krijua dhe studio për të rinjtë krijues në fushën e modës e njohur si DHUB.

Aktualisht bota e modës ka pamjen e një hapësire globale, ndërsa brenda Kinës vërehet një konkurrencë e madhe midis Pekinit dhe Shangait. Nëse Shangai gjithmonë është dalluar për elegancën e tij, Pekini është shndërruar në kryeqytetin e biznesit të modës. Veprimtari të javës së modës me paraqitje të veshjeve të stilistëve vendës dhe industrisë së veshjeve zhvillohen dhe në qytetet Qingdao dhe Dalian.

Pekini-kryeqendra e biznesit të modës

Në Pekin kanë studiot e tyre stilistët e mëdhenj kinezë si Ma Ke, e njohur dhe për stilimin e veshjeve të zonjës së pare Peng Liyuan, me markën e njohur Wu Yong, ku koncepti i stilit ndërthuret me pasionin e artit.

Edicioni i sivjetshëm i China Fashion Week nxorri në pasarelë veshje të stiluara nga Wang Yutao, koleksionet e të cilit kanë shënuar sukses të madh në Londër. Të tjera marka të njohura në modën ndërkombëtare sfiluan në këtë veprimtari si linja e veshjeve "Viscap" e dizenjuar nga Yuan Bing, veshje të Liu Sicong, i frymëzuar nga stili Versace i viteve 90-të , Liu Wei dhe Yi Ya.

Ka tërhequr vemendjen e të pranishmëve koleksioni prej mëndafshi origjinal i Sun Xuefei, që dizenjon për Galerinë Fei. Sun Xuefei dhe Zou You, prodhuese e linjës së veshjeve "Youz", pavarësisht se njihen si stiliste janë profesore të Institutit të Studimeve të Modës në Pekin. Në natën finale të China Fashion Week titulli i stilistit më të mire kinez për vitin 2014 iu dha Pan Yiliang, dizenjues i linjës së veshjeve "Gioia Pan".

Gjatë China Fashion Week u paraqitën 66 sfilata, përfshirë 63 koleksione, ndër të cilat 88 të stilistëve kinezë dhe 83 të stilistëve të huaj. China Fashion Week është veprimtaria më e madhe e modës në rajonin e Azi-Paqësorit.

Sfidat e industrisë kineze të modës

Firmat kineze të veshjeve kanë linjat e tyre të prodhimit në mbarë vendin dhe gëzojnë një klientelë të qëndrueshme kryesisht të moshës së mesme. Këto veshje shpesh bazohen dhe në motivet kineze. Stilisti i njohur Qi Gang shquhet për gërshetimin e motiveve folklorike , shpesh qëndisje me dorë, në veshjet me paraqitje moderne.

Stili kinez i veshjeve pranverë-verë 2015, paraqitur në sfilatat e Beijing Fashion Week apo Shanghai Fashion Week, u dominua nga motivet e pakicave Han ose Man. Kritiku i modës Ji Liang thekson se stilistët kinezë të viteve të fundit po frymëzohen nga kostumet popullore të pakicave kombëtare, duke sjellë motivet e tyre në veshjet moderne të koleksioneve të tyre.

Në China Fashion Week në koleksionin "Ming Li" Haute Couture u paraqit fustani kinez tradicional i njohur si "huafu" origjina e të cilit daton që nga Dinastia Ming (1368-1644).

Moda dhe APEC-u


Foto: 东方IC

Gjatë punimeve të Samitit të Bashkëpunimit ekonomik të Azi-Paqësorit (APEC) tërhoqi vemendjen e medias botërore fotoja në grup e liderëve pjesmarrës të veshur sipas stilit kinez. Kjo foto ka bërë xhiron e botës në internet. Kostumet u dizenjuan nga stilistët posaçërisht për samitin e APEC-ut dhe materiali i tyre është pëlhurë origjinale kineze në blu të errët e qëndisur, sipas teknikës së punimit të tekstileve në periudhën e dinastisë kineze Song (960-1279). Për realizimin e kostumeve u përdorën 5 mijë metra tekstile, ekskluzive për kostumet e liderëve të APEC-ut. Edhe për zonjat e liderëve në APEC u dizenjuan xhaketa me karakteristika kineze, ku gërshetohej kultura tradicionale kineze e veshjeve me teknologjinë moderne.

Kjo markë njihet tashmë si "New Chinese Clothing" dhe tregon origjinalitetin e dizenjuesve kinezë të modës.


Foto: Wang Jing/China Daily

71 firma veshjesh, 259 dizenjues realizuan në bashkëpunim me 18 institute mode këto kostume të liderëve në APEC dhe puna për krijimin e tyre ka nisur që në dhjetor të vitit 2013. Që nga viti 1993 liderët pjesmarrës në samitin e APEC-ut dhe zonjat e para pozojnë për foton e takimit. Xhaketa e njohur si "duijing" dhe këmisha tradicionale "kaijin" ndërthurën stilin perandorak të veshjeve me idenë e bashkëpunimit midis vendeve, e shprehur me stilimet e malit dhe detit.

Kina në "Nju Jork Fashion Week 2014"

Në Javën e Modës në Nju Jork 15 stilistë nga qyteti kinez Shenzhen paraqitën koleksionet e tyre pranverë-verë 2015 në Lincoln Center. Koleksioni i markës "Ellassay" nga Shenzheni hapi spektaklin njujorkez të modës me veshje bardhëezi. Koleksioni i stilistit Xia Haiping paraqiti një ndërthurje të stilit tradicional kinez me materiale moderne. Ndërsa stilisti tjetër nga Shenzheni Wang Tao paraqiti koleksionin e parë të tij, ku shquhet kombinimi i kulturës aziatike me ndikimet europiane në veshje.

"Fashion Shenzhen", sponsorizuar nga Shoqata e Industrisë së Veshjeve të Shenzhenit dhe Komiteti i Informimit, Ekonomisë dhe Tregtisë së këtij qyteti u paraqit për herë të parë në qendrën e madhe të modës botërore, Nju Jork. Vitet e fundit stilistët kinezë janë gjithnjë e më shpesh të pranishëm në pasarelat botërore të modës me markat e tyre . (Eda Merepeza)