">Panairi ndërkombëtar i Librave për Fëmijë në Shangai<IMG border=0 align=absMiddle src=" /mmsource/images/2004/06/29/litsen1.gif">
Panairi ndërkombëtar i Librave për Fëmijë në Shangai
  2014-12-04 16:41:51

Panairi ndërkombëtar i Librave për Fëmijë në Shangai

Suksesi i librave për fëmijë ka gjallëruar tregun e botimeve në Kinë, por dhe shkëmbimet mes autorëve dhe botuesve vendës dhe të huaj.Tregu i librave për fëmijë aktualisht përbën një sektor të rëndësishëm dhe kjo u duk gjatë zhvillimit të Panairit ndërkombëtar të Librit për fëmijë zhvilluar prej 2 ditësh në Shangai. Menaxherja e panairit, Randy Wang theksoi se " ka një kërkesë në rritje për libra për fëmijë veçanërisht nga platforma multimedia. Për këtë arsye librat për fëmijë janë në krye të listës së librave më të shitur në Kinë." Shitja e librave për fëmijë në Kinë në 2 vitet e fundit ka shënuar një rritje prej 2%, ndërsa në 6 mujorin e parë të këtij viti gjysma e 100 librave më të shitur, ishin libra për fëmijë. Mësohet se 90% e përmbajtjes së librave për fëmijë është e importuar, gjë që shton interesin e botuesve për librat për fëmijë.

Edicioni i sivjetshëm i Panairit ndërkombëtar paraqet këtë treg botimesh të rajonit të Azi Paqësorit, duke rritur kontributin në trajtimin e të drejtës së autorit si dhe të shkëmbimeve me botues perëndimorë, të cilët kanë një interes të shtuar për tregun kinez të librit. Vihet re dhe shtimi i shtëpive botuese të nivelit të vogël dhe të mesëm që konsiderohet si gjallërim i tregut të librit në Kinë.Në ndryshim nga më parë kur botuesit kinezë vendosnin kontakte me homologët e tyre duke marrë pjesë në panairet ndërkombëtare të librit në Evropë apo SHBA e Australi, aktualisht shumë botues perëndimorë vijnë në panairet ndërkombëtare të librit në Kinë. Kjo është një mundësi e mirë për shkëmbime dhe marrëveshje mes botuesish. Botuesi britanik Nosy Crow në edicionin e kaluar të panairit realizoi marrëveshje me disa botues kinezë për përkthimin e librave për fëmijë. Pjesa më e madhe e titujve ishin dixhitalë.Vitin e kaluar në Panairin ndërkombëtar të librit për fëmijë morën pjesë 154 botues nga 15 vende dhe rajone të botës, pjesa më e madhe e të cilëve shtëpi ndërkombëtare botuese.

Panairi ndërkombëtar i librit për fëmijë i Shangait zhvillohet në një hapësirë prej 10 mijë metra katrorë. Vitin e kaluar u paraqitën 50 mijë libra të rinj për fëmijë dhe një pjesmarrje prej 17.400 vizitorësh.

Në edicionin e kaluar panairi u fokusua në të drejtat e shitjes, por këtë vit do të ketë më shumë shkëmbime idesh mes botuesve. 190 shtëpi botuese nga 25 vende të botës marrin pjesë në edicionin e sivjetshëm të Panairit, ndër të cilat Macmillan, Oxford University Press, Pearson dhe Bloomsbury. Një tjetër panairi i ngjashëm zhvillohet prej 51 vjetësh në Bolonja të Italisë. Por Panairi i Shangait ka një të veçantë pasi u drejtohet 300 milion fëmijëve kinezë, që përbëjnë të interesuarit e tregut më të madh të librit në botë.

Panairi ndërkombëtar i librit për fëmijë i Shangait zhvillohet me mbështetjen e Bashkisë së qytetit, China Universal Press& Publication Co dhe China Educational Publications Import& Export Corporation. Një mbështetje të veçantë për këtë panair jep dhe Panairi i librit i Londrës pasi së bashku bëjnë pjesë në veprimtarinë ndërkombëtare Reed Exhibitions, me seli në Richmond të Britanisë së Madhe.Drejtori i Panairit të Londrës Jack Thomas ka deklaruar për mediet kineze se tashmë po zhvillohet transmedia, që ka ndikuar në mënyrën e të studjuarit tek fëmijët, duke nisur që nga mësimi i gjuhëve të huaja e deri te leximi i librave online.Thomas thotë se Panairi i Londrës është një "motër e madhe" për Panairin ndërkombëtar të librit të Shangait.Sipas tij bashkëpunimi nëfushën e multimedias rrit mundësitë e shkëmbimeve ideore por dhe praktike midis botuesve.

Kina ka një treg të ri librash për fëmijë por ka shumë investime, që e bëjnë tregun më energjik. Botuesi britanik Thomas vlerëson platformën e mësimit të gjuhës kineze nga Hanban. Metoda e të mësuarit të gjuhëve, por edhe të sektorëve të tjerë me interes si gatimi, fittnes e të tjerë ka ndryshuar shumë krahasuar me 20 vjet më parë. Hanban është një shembull mjaft i mirë i platformës dixhitale në Kinë. Në nivel global Kina po luan një rol gjithnjë e më të madh në industrinë e botimeve, për arsye të kërkesës së madhe të tregut për botime perëndimore. Botuesit kinezë tashmë po njihen nga afër me sfidat e industrisë perëndimore të botimeve. Ndërkohë botuesit kinezë nëpërmjet shkëmbimeve por mësojnë si funksionon e drejta e autorit në perëndim, ku tregu i botimeve është më i vjetër dhe me më shumë përvojë. Botuesit kinezë janë orientuar më shumë drejt tregut aziatik të linrit edhe për shkak të kulturës së ngjashme, që i bën më të kërkuar librat. Por vitet e fundit kultura kineze dhe autorët e saj po gjejnë gjithnjë e më shumë hapësirë në perëndim, mjafton të kujtojmë për këtë suksesin e librave thrillet të autorit kinez Mai Jia në SHBA.(Eda Merepeza)