">Veprimtari kulturore brenda dhe jashtë Kinës<IMG border=0 align=absMiddle src=" /mmsource/images/2004/06/29/litsen1.gif">
Veprimtari kulturore brenda dhe jashtë Kinës
  2014-10-30 17:10:10

Çmimi i madh për filmin kinez në Festivalin e Varshavës

Filmi kinez "Arkivoli në mal" u nderua me çmimin e madh në edicionin e 30-të të Festivalit të Filmit në kryeqytetin polak, Varshavë.

Regjizori Xin Yukun, fitues i disa festivaleve ndërkombëtare mori këtë çmim nga kryetari i bashkisë së Varshavës. Çmimi i madh iu dha këtij prodhimi kinematografik kinez me motivacionin " për narracionin sfidues dhe linjën fine të humorit të zi që përshkon filmin." Në festival u nda dhe çmimi për regjizorin më të mirë, me të cilin u nderua regjizori kroat Ognjen Svilicic për filmin "Këto janë rregullat".

Çmimi special i jurisë iu dha filmit spanjoll "Carmina & Amen". Festivali ndërkombëtar i filmit në Varshavë konsiderohet si një nga më të rëndësishmit në Europë, krahas festivaleve të Kanës, Berlinit dhe San Sebastianit. Edicioni i 30-të i këtij festivali me pjesmarrje të gjerë ndërkombëtare u zhvillua nga 10-18 tetor.

"Doctor Honoris Causa" për zonjën Xu Lin

Zonja Xu Lin Drejtore e "Hanban" dhe Drejtore Ekzekutive e "Institutit të Konfucit" me seli në Kinë mori më 19 tetor çmimin "Doctor Honoris Causa" nga Universiteti i Bukureshtit. Gjatë fjalës së mbajtur me këtë rast Presidenti i Senatit të Universitetit të Bukureshtit, Prof. Dr Vlad Nistor theksoi se zonja Xu Lin shquhet për promovimin në mbarë botës të gjuhës dhe kulturës kineze, duke drejtuar Institutin prestigjioz "Konfuci".

Ky është çmimi i tretë që zonja Xu Lin merr nga universitetet rumune, ndër të cilët nga Universiteti "Lucian Blaga" i Sibiut dhe Universiteti "Babes Bolyai" i Cluj Napoca.

Dega e Institutit "Konfuci" në Universitetin e Bukureshtit u hap para një viti, ndërsa departamenti i gjuhës dhe kulturës kineze në këtë univeristet funksionon që në vitin 1956.

Dixhitalizim i librave të vjetër kinezë

Librat e vjetër kinezë do të ruhen më mirë, duke u përfshirë në kopje dixhitale, ka deklaruar zëvendësministri i kulturës Yang Zhijin. Leksione, seminare të nivelit akademik do të sjellin bibliografinë e veprave të vjetra në vemendje të publikut të gjerë.

Sipas zëvendësministrit librat e lashtë do të jenë tashmë në duart e publikut.

Ai ka shtuar se mungesa e specialistëve në fushën e ruajtjes së librave të vjetër shtron nevojën e ruajtjes së tyre në formën e kopjes dixhitale. Ai u bëri thirrje profesorëve universitarë dhe studentëve të zhvillojnë kurse trajnimi për restaurimin dhe dixhitalizimin e të dhënave të librave të vjetër, që janë thesare të kulturës së vendit.

Filmi "Interstellar" më 12 nëntor në Kinë

Me regji të të mirënjohurit Christopher Nolan dhe në interpretimin e fituesit të çmimit Oscar Matthew McConaughey, si dhe të aktorëve Anne Hathaway, Jessica Chastain, Michael Caine, filmi i ri Interstellar do të shfaqet premiere në Kinë më 12 nëntor.

Tashmë është paraqitur trraileri i filmit i përkthyer në kinezisht si dhe shihet kudo posteri i tij. Filmi është me karakter fantastiko-shkencor dhe rrëfen aventurën e disa austronautëve dhe shkencëtarëve në kërkim të një galaktike të re, si një shtëpi e re për njerëzimin.

Në rolet e dy prej astronautëve janë Matthew McConaughey dhe Anne Hathaway të cilët nisen në misionin interstellar. Dilema e rolit të interpretuar nga Conaughey për të lënë dy fëmijët e tij dhe për të kryes misionin kozmik sundon në film.

Regjizori Nolan tashmë i njohur për artdashësit në mbarë botën për filmat e tij Inception, The Dark Knight franchise dhe Memento, gëzon një popullaritet të madh në Kinë.

Pritet që filmi "Interstellar" të ketë sukses në kinematë kineze. (Eda Merepeza)