">Edukimi përmes artit<IMG border=0 align=absMiddle src=" /mmsource/images/2004/06/29/litsen1.gif">
Edukimi përmes artit
  2014-10-16 16:02:27

Kur kalon pranë një shkolle fshati dhe dëgjon të interpretojë një orkestër e vërtetë, në çastin e parë ke dyshimin se ndoshta një altoparlant e shpërndan këtë muzikë të luajtur mjeshtërisht.

Por në të vërtetë orkestra i përket shkollës fillore të fshatit Duan,i cili ndodhet në veri të provincës kineze Hebei.

Si pjesa më e madhe e fshatrave të Kinës edhe Duan ndodhet disi i fshehur dhe nuk përshfaqet në rrugën kombëtare. Të gjesh një oaz muzike dhe kulture në një qendër të tillë të zones rurale, nuk ndodh kudo. Por në sajë të një sponsorizimi bamirës kjo është bërë e mundur në fshatin Duan.

Para 3 vjetësh shumë fondacione bamirëse u përfshinë në programin për rehabilitimin e kampusit të kësaj shkolle. Pas shkatërrimit të ambjenteve të vjetra shkollore , në vitin 2011 nisi ndërtimi i shkollës së re në fshatin Duan ku tani studjojnë 1200 nxënës. Shkolla është shndërruar në një nga objektet e rëndësishëm në infrastrukturën rurale.

Ndonëse një shkollë fshati ajo nuk dallohet, madje mund të ketë ambjente më të mira se sa një shkollë qyteti. Nuk mungojnë përveç klasave dhe ambjentet për balet profesional, të pajisura me të gjitha aparaturat e nevojshme, po ashtu dhe ambjentet për trajnimin muzikor të nxënësve, tashmë instrumentistë të sprovuar. Nxënësit e kësaj shkolle, përveç programit mësimor zhvillojnë dhe kurse muzike, të arteve të bukura, baleti, vallëzimi modern dhe të fjalës artistike. Pra shkolla e fshatit kinez Duan paraqet një akademi të vogël arti me shumë mundësi të zbulimit të talenteve që në moshë të re por dhe të kultivimit të tyre në hapat e parë të arteve të bukura.

Gara artistike në shkollë ka nisur

Me nisjen e vitit të ri shkollor në fshatin Duan nxënësit e shkollës i nisën kurset artistike me një koncert, që u dha në mjediset e shkollës më 13 shtator. Nën udhëheqjen e profesorëve të akademisë së vallëzimit, nxënësit paraqitën një pjesë të njohur nga baleti klasik "Liqeni i mjelmave", një sipërmarrje vërtet e madhe për moshën e tyre të re.

Pas baletit, 54 nxënës pjesë e orkestrës së shkollës performuan "Odën e Gëzimit " nga Simfonia e 9-të e Bethovenit. Përreth 40 minuta perfomancë nga orchestra dhe korri publiku i pranishëm, ndoqi edhe këngë të njohura folklorike kineze, por edhe këngë të njohura perëndimore, duke shënuar një sukses të madh ,por të merituar .

Pas këtij koncerti, Liu Yipeng, një nga instrumentistët e orkestrës u nderua me një çmim tepër të veçantë. Atij iu dhurua një klarinetë.

"Instrumentat e nxënësve të orkestrës kushtojnë disa qindar yuanë. Cilësia e tyre nuk është shumë e mire, por shpresoj shumë të arrijmë ti pajisim këta artistë me instrumenta sa më cilësorë për një muzikë cilësore." tha Li Feng, themelues i Fondacionit artistik Hefeng, një nga sponsorët e programit edukativ.

"Arti ka një fuqi të jashtëzakonshme. Shpresoj që fondacioni që drejtoj të promovojë edukimin përmes artit për të gjithë fëmijët nga zonat rurale të Kinës." tha Li. Synimi i fondacionit që ai drejton është të përhapë edukimin artistik në zonat rurale të vendit dhe të realizojë trajnime falas për mësuesit.Edukimit artistik të fëmijëve dhe të rinjve në Kinë i kushtohet një vemendje e madhe. Prindërit kujdesen që fëmijët e tyre të mësojnë instrumente muzikorë modernë por edhe folklorikë kinezë si pipa, erhui etj, duke paguar për kurset e tyre jashtëshkollore. Por në zonat rurale ky edukim mundësohet edhe nga shoqata e fondacione të ndryshme që përmes artit përpiqen të ndikojnë sadopak në formimin e një brezi të ri, me kulturë të gjerë. Këto nisma, si në rastin e fondacionit kinez dhe të qeverisjes vendore në fshatin Duan shpresojmë të bëhen shembull për një përhapje sa më të gjerë të edukimit artistik të fëmijëve dhe të rinjve, për ti larguar ata nga veset dhe dukuritë sociale që dëmtojnë të ardhmen dhe jetën e tyre. (Eda Merepeza)