"> Opera e Pekinit në botë-Palimsest<IMG border=0 src=" /mmsource/images/2004/06/29/litsen1.gif">
Opera e Pekinit në botë-Palimsest
  2014-09-25 16:20:02

Opera e Pekinit si trupë artistike u krijua në vitin 1790 kur katër trupa teatrore nga Anhui erdhën në Pekin. Muzika e Operas së Pekinit u krijua nga këngët e Xipi dhe Erhuang nga Anhui dhe Hubei. Opera e Pekinit është një nga trashëgimitë e rëndësishme të kulturës kineze dhe botërore.

Një ndër korifejtë e Operas së Pekinit është artisti shumëdimensional Mei Lanfang (1894 -1961) i cili njihet si interpretuesi më i shquar i Operas së Pekinit të të gjitha kohërave. Me rastin e 120 vjetorit të lindjes së tij në Nju Jork u zhvillua një veprimtari përkujtimore. Pikërisht më 27 dhe 28 gusht në teatrin David H. Koch në Nju Jork si dhe në John F. Kennedy Center në Uashington.

Cili është Mei Lanfang?

Me një karrierë artistike 50 vjeçare ai realizoi portrete femrash në Operan e Pekinit dhe pikërisht talenti i spikatur e bëri tepër të njohur në arenën ndërkombëtare. Stili i tij aktorial njihet si "Shkolla e Meit". Ai njihet si njëri nga 4 Dan (role femërore) gjatë interpretimit në epokën e artë të Operas së Pekinit. Siç dihet tashmë në Operan e Pekinit, rolet e personazheve femra, ashtu si dhe në interpretimin e veprave shekspiriane në Angli, i interpretonin aktorët meshkuj.

Mei ishte i pari aktor që e paraqiti Operan e Pekinit jashtë vendit. Ai zhvilloi mjaft ture ndërkombëtare ndër të cilat në Hollywood, Berlin, Moskë dhe Japoni. Madje në biografinë e tij artistike njihen dhe miqësitë që ai krijoi me figura të shquara të artit botëror, ndër të cilët dhe me aktorin me famë botërore Charlie Chaplin. Mei Lanfang është emri i tij i artit, pasi emri real i artistit ishte Mei Lan.

Trashëgimia e këtij artisti të madh ka kaluar tek i biri, Mei Baojiu i cili së bashku me artistë të tjerë të Kompanisë teatrore Jingju në Pekin prezantuan për publikun kryeqytetas Pjesë klasike të shkollës Mei, duke përfshirë 5 vepra të njohura artistike. Ato janë "The Goddess of Heaven Scatters Flowers", "Lian Jinfeng Pierce the Mussel", "Resisting Jin Troops", "Farewell My Concubine" dhe " Drunken Beauty". The Goddess of Heaven Scatters Flowers është një nga veprat me domethënie historike e punuar nga mjeshtri Mei,gjatë së cilës një femër hyjnore performon poezinë e një kërcimi.

Opera e Pekinit në Nju Jork

Në fund të gushtit lirikët Dou Xiaoxuan, Wang Mengting, Wang Bowen, dhe Li Jian në përkujtim të 120 vjetorit të lindjes së mjeshtrit të madh të Operas së Pekinit Mei, performuan në qendër të Nju Jorkut në Times Square, të mbushur me turistë, të cilëve iu mësuan disa lëvizje artistike. Një shfaqje e vërtetë në rrugët e Nju Jorkut që ngjalli një atmosferë vërtet emocionuese.

Emocione të papërshkruara ishin për Ian Whiton nga Seattle, i cili bashkë me të ëmën rastësisht po vizitonte Times Square, ndërsa artistët kinezë performonin Operan e Pekinit. Vetë Whiton kishte përformuar Opera me stil perëndimor me korin e të rinjve solistë në Operan e Seattle në vitin 2011 dhe nuk kishte si të mos i adhuronte artistët e Operas së Pekinit, pikërisht në Nju Jork.

"Është mjaft e rëndësishme të mbajmë gjallë operan tradicionale. Opera perëndimore dhe ajo e Pekinit me kalimin e viteve kanë pësuar ndryshime si pasojë e nmodernizimit të shoqërisë dhe vetë artit", thotë i riu amerikan.


foto nga www1.chinaculture.org


foto nga www1.chinaculture.org

Në repertorin e Operas së Pekinit përfshihen mbi 1 mijë pjesë, të cilat i kushtohen jetës. Ndër to ka vepra që trajtojnë temën e dashurisë, të ndarjes, të lumturisë apo trishtimit njerëzor. Personazhet e Operas së Pekinit janë të larmishëm dhe krijojnë përshtypje të jashtëzakonshme tek publiku që në takimin e pare me ta në skenë. Kategoritë e roleve të Operas së Pekinit pasqyrojnë karaktere të ndryshme përsa i përket gjinisë, moshës, karakterit dhe statusit. Por karakteret në skenën e Operas së Pekinit ndahen në 4 tipe, të cilët njihen me emërtesat sheng, dan, jing dhe chou( mashkull, femër, maskë dhe klloun) . Aktorët dhe aktoret synojnë të specializohen në interpretimin e një ose dy roleve të kategorisë.

Opera e Pekinit në Itali

Në teatrin e njohur Brancaccio të Romës, trupa e Operas së Pekinit dha shfaqje këtë shtator, duke korrur një sukses të merituar të publikut Italian, por duke entuziasmuar më shumë fëmijët. Kostumet e mrekullueshme, kombinimi i muzikës, grimi i aktorëve tepër i veçantë, akrobacitë në skenë dhe vallëzimi ishin një kompleks i performimit artistik që ngriti në këmbë publikun artdashës roman. Duke mos patur rastin të shohin një shfaqje të tillë, spektatorët italianë janë shprehur me emocione të veçanta për mediat. Për agjencinë kineze të lajmeve Xinhua, i riu Italian Francesco Pennacchia ka thënë se aktorët luajtën mrekullisht dhe komponentët artistikë të Operas së Pekinit janë unikë". Ky ishte një ndër qindra spektatorët e teatrit në Romë, i cili njihet për programet e tij educative, që me rastin e 10 vjetorit të Instituteve Konfuci në botë kishte organizuar këtë shfaqje.

Nisma për këtë u mor nga Instituti Konfuci pranë Universitetit të njohur "La Sapienza" të Romës, ku me këtë rast do të zhvillohen një sërë veprimtarish për kulturën, gjuhën dhe artet kineze. Veprimtaritë do të mbyllen më 27 shtator, kur Dita Botërore e Instituteve Konfuci do të përkujtohet në rreth 500 institucione të ngjashme në mbarë botën.

Opera e Pekinit, si një përfaqësuese e denjë e kulturës tradicionale kineze u zgjodh për nisjen e veprimtarive në kryeqytetin Italian, Romë. Një nga spektatoret i tha gazetarit të Xinhua, pas shfaqjes se ishte mjaft kureshtare ta ndiqte Operan e Pekinit pasi dëshironte të njihte nga afër kulturën kineze.

Shfaqja e performuar nga Akademia Teatrore e Shangait, ofroi për publikun një përzgjedhje të veprave më të njohura të Operas së Pekinit si "The Goddess of Heaven Scatters Flowers," "Red Mulberry Town," dhe "The Monkey King wreaks Havoc in Heaven" bazuar në tregimin epik kinez "Udhëtimi drejt perëndimit".

Personazhet e ndryshme të Operas së Pekinit ishin përfshirë me publikun së sallë, madje disa prej spektatorëve u ftuan të ngjiteshin në skenë. Disa prej tyre u përpoqën me kureshti të interpretonin bashkë me aktorët që kërcenin, këndonin dhe bënin akrobaci, por nuk mungonte dhe imitimi i arteve marciale. Dy fëmijë 9 vjeçarë Francesco dhe Emma, u ngjitën në skenën e teatrit të përfshirë nga emocionet dhe madje u përpoqën të imitonin aktorët kinezë të Operas së Pekinit. Fëmijët u mrekulluan nga ngjyrat e kostumeve të aktorëve, zëri i tyre, kërcimi, akrobacitë. Duartrokitjet e publikut në skenë shprehën admirimin për këtë kryevepër të kulturës tradicionale kineze, Operan e Pekinit.(Eda Merepeza)