Intervistë me kryetarin e Bashkisë së Kavajës, z.Elvis Rroshi nga Tianjini
  2014-09-10 19:55:52

Kryetari i Bashkisë së Kavajës z.Elvis Rroshi ndodhet në Tianjin, së bashku me delegacionin e kryesuar nga kryeministri shqiptar z. Edi Rama. Delegacioni shqiptar u ftua nga qeveria kineze për të marrë pjesë në Forumin Veror të Davosit 2014, që zhvillohet në qytetin port të Kinës, në Tianjin.

Z.Rroshi flet me shumë pasion për këtë qytet, ai thotë se ka qenë disa herë, ka shumë miq në Tianjin dhe se e dashuron këtë qytet për shtrirjen gjeografike, por edhe për bukuritë natyrore dhe për zhvillim e mahnitshëm ekonomik. Ai po punon për arritjen e një binjakëzimi mes qytetit të Tianjinit dhe qytetit të Kavajës, duke na pohuar se po punon ngushtë me palën keineze për arritjen e këtij qëllimi. Le ta ndjekim më hollësisht intervistën me kryetarin e Bashkisë së Kavajës për t'u njohur me planet e bashkëpunimit për të ardhmen.

CRI SHQIP: Përshëndetje z.Rroshi mirëserdhët ne Tianjin ne Forumin Verot të Davosit 2014. Cili është qëllimi i udhëtimit tuaj këtu së bashku me delegacionin e lartë të qeverisë shqiptare të kryesuar nga z.Edi Rama?

Z.Rroshi: Delegacioni ynë u ftua nga qeveria kineze, gjithashtu patëm një takim me kryeministrin e Kinës, ku diskutuam për një sërë projektesh, për një ndihmë të madhe që do të na ofrojë Kina dhe për shumë projekte. Sidomos, një projekt madhështor i financuar nga biznesmenët kinezë për portin e Durrësit, si dhe për një donacion që do i japë Kina, Ministrisë së Arsimit.

Tani ndodhemi në qytetin e Tianjin-it, ku do të kemi edhe një darkë me kryeministrin kinez. Ndërsa, nesër do të kemi nje takim me kryetarin e Bashkisë së Tianjin-it. Po punojmë që qyteti i Kavajës të bëjë një binjakëzim me qytetin e Tianjin-it..

CRI SHQIP: Si ishte takimi me kryeministrin kinez?

Z.Rroshi: Takimi ishte shumë i mirë, na pritën shumë mirë.

E falenderojmë shumë qeverinë kineze sepse po mbajmë ende miqesinë e vjetër që ka Kina ndaj Shqipërisë.

CRI SHQIP: Binjakëzmi i Kavajës me Tianjin-in?--Na tregoni disa hollësira në lidhje me këtë...

Kjo është hera e tretë që vij në Tianjin, kam shumë miq këtu... më pëlqen shumë, është një qytet me tradita, një qytet me investime dhe me bukuri të veçantë... prandaj si kryetar i Bashkisë së Kavajës do më pëlqente të bëja një binjakëzim që të kemi marrëdhënie edhe më të ngushta dypalëshe.

CRI SHQIP: Pse keni zgjedhur Tianjin-in si qytet për binjakëzim, pasi edhe siç e dini Kina ka dhe qytete të tjera shumë të bukura.

Z.Rroshi: Jam dashuruar me Tianjin-in, më pëlqen si nga ana kulturore, ashtu edhe nga ana ekonomike dhe mënyra e shtrimit gjerografik më pëlqen shumë. Është me zona që i përshtaten Europës, ka disa lagje që i përshtaten Venecia-s apo disa të tjera si lagjet gjermane etj..

Kavaja ka qenë qyteti më i afërt dhe më i lidhur me Kinën sepse Kavaja ka patur 4 fabrika të ndërtuara nga shteti kinez, ku kanë qenë të punësuar 30 mijë punonjës. Fatkeqësisht sot këto fabrika nuk ndodhen më.

Unë personalisht kam shumë mik ambasadorin kinez në Shqipëri, i cili shumë shpejt do na financojë me një kopësht dhe shkollë. Gjej rastin për ta falënderuar shumë. Për të gjitha këto unë jam i dashuruar me Kinën.

CRI SHQIP: A keni menduar ndonjëherë të flisni me funksionarët në Kinë për rindërtimin e fabrikave kineze në Kavajë për ripunësimin e kësaj popullsie kaq të madhe?

Z. Rroshi: Dëshira është shumë e madhe që të rikthehen edhe njëherë fabrikat. Për ripunësimin kam folur me ambasadorin dhe shpresojmë që të gjejmë disa investitorë të fuqishëm.

CRI SHQIP: Në Kinë kemi shumë investitorë dhe shumë projekte të mëdha. Kina po zgjeron horizontin e saj në mbarë botën në tregun global, si kryetar i Bashkisë së Kavajës, a keni marrë ndonjë masë për tërheqjen e investimeve nga ekonomia e dytë e botës?

Z. Rroshi: Them se Kina është ekonomia e parë e botës, mendoj se si Kina nuk ka, është tepër e avancuar. Përpjekjet e mia me ambsadorin kinez janë shumë të mëdha dhe shpresojmë që një ditë do ia arrijmë këtij qëllimi.

Në Kavajë kemi marrë një masë konkrete për të bërë një fabrikë këpucësh me kinezët që ndodhen në Itali dhe nga Italia do të transferohen në Kavajë. Për këtë kemi kërkuar nga shteti shqiptar, kryeministri shqiptar, që të bëjmë disa kapanone shumë të mëdha, për të afruar sa më shumë investorë kinezë..

CRI SHQIP: Çfarë do thonit për dëgjuesit e CRI SHQIP dhe Radio Ejani?

-I përshëndes të gjithë. Kina është shumë e bukur, një shtet me shumë potencial dhe të gjithë duhet të marrin shembullin e Kinës.