">Single në Kinë<IMG border=0 align=absMiddle src=" /mmsource/images/2004/06/29/litsen1.gif">
Single në Kinë
  2014-09-09 17:28:26

Numri i femrave beqare, ose siç jemi mësuar ti quajmë "single", veçanërisht i atyre rreth të 30-ve me arsim të lartë, të dhëna pas punës që bëjnë, me edukatë qytetare dhe pretendime për stilin e jetës, sa vjen e shtohet në Kinë.

Krahas kësaj në Kinë është shtuar dhe numri i meshkujve rreth të 30-ve, të cilët presin të gjejnë vajzën e duhur për të krijuar familje. Sipas një artikulli të "Global Times ", Wang Duo mund të konsiderohet një "shengnan" apo " beqar, single" pasi ndonëse 34 vjeçar akoma nuk ka gjetur shoqen e jetës.


Foto nga Global Times

Ai është i mendimit se në ditët tona është e vështirë të gjesh personin e duhur për një lidhje të rëndësishme, si martesa. Madje ai thotë se dëshiron të njohë një vajzë, e cila të ketë botë të pasur shpirtërore, pasi pamja e jashtme nuk i intereson aq shumë.

Vështirësitë e mosbalancimit gjinor

Wang,punonjës i një kompanie në Pekin ka një pagë mujore prej 10,000 yuan (ose 1,612 $), për të cilën thotë se as nuk është i kënaqur, por as nuk ankohet.

Ai fiton dyfishin e pagës mujore mesatare, sipas statistikave të vitit 2013, të zyrës statistikore të kryeqytetit kinez. Por perspektiva për martesë e Wangut duket disi e kufizuar, pasi ai nuk ka një apartament të tij dhe as një makinë.

"Femrat janë më realiste në ditët tona dhe kjo është e kuptueshme. Jeta në Pekin është stresuese, thotë Wang, i cili është nga qyteti Baoding, i provincës Hebei.

Në një raport të publikuar në vitin 2010 nga Akademia Kineze e Shkencave Sociale parashikohet se deri në vitin 2020 numri i meshkujve beqarë në Kinë do të arrijë në 24 milion, duke thelluar mosbalancimin gjinor në vend.

Në 5 vitet e fundit media evidentonte rastet e femrave 30 vjeçare beqare, por aktualisht meshkujt ndodhen në të njejtën situate, duke nxjerrë në pah një dukuri sociale në Kinë.

Një raport i publikuar në vitin 2013, nga Federata e të Rinjve Komunistë të Pekinit, e renditi kryeqytetin e vendit në vendin e 6-të në nivel kombëtar, përsa i përket meshkujve single, të moshes 33 vjeçare, që e identifikojnë veten si "të mbetur pa martuar".

Ndërsa në krye të listës së raportit renditet Rajoni Autonom Guangxi Zhuang (34.9%), dhe Guangdong dhe provinca Jiangxi (përkatësisht nga 33.4%).

"Planifikimi familjar në nivel kombëtar dhe preferenca për të patur djem në Kinë ka ndikuar në shtimin e numrin të djemve, thotë Xia Xueluan,sociolog pranë Universitetit të Pekinit.

Rrugë e vështirë për tek dashuria


Foto nga Global Times

Për meshkujt single në metropole të gjesh dashurinë e vërtetë, nuk është aspak e lehtë. Femrat e pamartuara në këto super qytete në shumicën e rasteve janë me arsim të lartë, kanë pagesë të mirë dhe pretendime të larta për partnerin e ardhshëm.

"Shumica e femrave single kanë pretendime të larta për zgjedhjen e bashkëshortit të ardhshëm, thotë Wang, sipas të cilit edhe takimet "dating" të organizuara nga agjenci të ndryshme, nuk kanë qenë të pëlqyeshme për të. Ai mendon se këto takime të sajuara nga agjencitë, për të njohur një vajzë janë fyese dhe ndikojnë negativisht në vetëvlerësim.

Ai tregon se marrëdhënia e tij e fundit përfundoi në vitin 2010, kur vajza që dashuronte e la sepse prindërit e saj mendonin, që ai nuk ofronte siguri financiare.

Presioni shoqëror dhe familjar

Rasti i Wangut dhe i jetës së tij sentimentale është pothuajse tipik për djemtë kinezë rreth të 30-ve, të pamartuar dhe në kërkim të partneres. Por ka edhe raste, si ai i 36 vjeçarit, arkeolog Zhang i cili nuk ka patur asnjë të dashur gjatë jetës së tij. Ai është djalë i vetëm dhe prindërit presin që të martohet për të mbajtur gjallë familjen.

Zhang tregon se kur mbushi 30 vjeç prindërit filluan të shqetësohen shumë për beqarinë e tij , madje i propozonin vajza për ti njohur.

Por Zhang ka pretendimet e veta për bashkëshorten e ardhshme. Sipas tij ajo duhet të jetë e bukur dhe me karakter. Një nga kërkesat e tij është që vajza ti përkasë të njejtës kulturë si ai, pasi në të kundërt do të jetë e vështirë bashkëjetesa.

Në Kinë termi "diaosi" do të thotë, djalë i ri, jo shumë i zoti në karrierë, me një motivim të ulët dhe pa pretendime për jetë te begatë. Ky është një presion shoqëror ndaj shumë të rinjve, që nuk kanë arritur të mbarojnë një Universitet, apo nuk kanë gjetur një punë me page të lartë, për ti ofruar një jetë komode partneres së ardhshme.

Perceptimi i femrave për meshkujt beqarë

Sipas 31 vjeçares Grace Wu, e cila punon në një media, pjesa më e madhe e meshkujve që ka takuar në "date" kanë qenë të papranueshëm. Asaj i janë dukur të papranueshme kërkesat e meshkujve kandidatë për të ndryshuar mënyrën e veshjes, pasi u është dukur tepër modern. Njëri prej tyre sapo e kishte njohur e kishte pyetur për të ardhurat e saj.

Të gjitha këto për vajzën beqare, në kërkim të partnerit kanë qenë komente të papranueshme të meshkujve që ajo i ka refuzuar .

Opinioni publik

Zhao Sile, editor në Media Monitor for Women Network, ka thënë për Metropolitan se pjesa më e madhe e meshkujve single janë "diaosi", pra në një nivel mesatar të ardhurash, me një status social jo të kërkuar nga femrat dhe të pasuksesshëm, materialisht apo shpirtërisht.

Sipas Zhao pjesa më e madhe e meshkujve të pamartuar dhe në kërkim të një partnereje janë të ardhur në qytetet e mëdha nga zonat rurale, shpesh me ide konservatore për familjen dhe veçanërisht gruan. Zhao tregon dhe anën tjetër të medaljes duke i specifikuar femrat qytetare si të pavarura dhe të zonjat në profesionin e tyre. Madje shton se pjesa më e madhe e këtyre femrave kanë apartamentet e tyre dhe jetojnë në pavarësi ekomomike.

Megjithatë statusi single është një zgjedhje personale. Ndaj nuk duhet të ketë kufij, se kur një individ krijon familje apo lind një fëmijë. (Eda Merepeza)