">Terapi kundër varësisë nga interneti<IMG border=0 align=absMiddle src=" /mmsource/images/2004/06/29/litsen1.gif">
Terapi kundër varësisë nga interneti
  2014-07-21 17:25:23

Në Kinë, si një vend që shquhet për zhvillimin e jashtëzakonshëm të teknologjisë së avancuar ka të rinj që kanë krijuar varësi nga interneti. Për këtë qëllim në mbarë vendin ndodhen qendra të trajtimit të personave me varësi nga interneti. Njëra prej tyre ndodhet në Pekin dhe quhet Daxing Internet Addiction Treatment Center. Kjo qendër u krijua nga Dr.Kimberly Young në vitin 1995. Psikologët e qendrës përdorin Terapi të Sjelljes së të rinjve me varësi nga interneti dhe për këtë ndjekin një program rehabilitimi të njohur si Digital Detox.

Dr. Young jep leksione private për gjysmë dite ose një ditë të tërë, duke u bazuar në Netaddiction, apo varësia nga internet. Ajo ka krijuar dhe rrjetin Netaddiction.com si një burim edukumi për kërkimet e saj në këtë fushë, blogje, publikime, teste, duke përfshirë dhe varësinë nga internet.

Kjo qendër trajton disa nga varësitë nga internet, mes të cilave:

-Varësia nga video-lojrat

-Varësia nga bastet në internet

-Varësia nga internet për krijime lidhjesh sentimentale

-Varësia nga pornografia në internet

Varësia nga interneti- Një epidemi në rritje

Dr.Kimberly Young paraqiti në vitin 1996 studimin e saj lidhur me varësinë nga interneti, pranë Shoqatës së Psikologëve Amerikanë, gjatë një konference në Toronto me titull "Varësia nga interneti-Emergjenca e një çrregullimi të ri". Deri në atë periudhë studime në këtë fushë ishin zhvilluar në Australi, Itali, Pakistan, Gjermani, Iran, Çeki. Por sipas studimeve rezulton se vendet ku varësia nga interneti është gati epidemike janë Kina dhe Korea e Jugut. Kongresi i parë për çrregullimet e varësisë nga interneti u mbajt në Milanë të Italisë këtë vit. Korea si një vend i prekur nga ky fenomen tashmë ka shpallur një program kombëtar edukimi lidhur me këtë çeshtje. Kina zhvillon programet e saj të edukimit por dhe Australia ka krijuar programin e trajtimit të të rinjve të prekur nga varësia e internetit. Në Itali qendra për trajtimin e kësaj varësie janë krijuar në Milano dhe Romë.

Në SHBA Varësia nga Lojrat në internet është listuar në seksionin 3 DSM-5 që në vitin 2013. Dr.Young ka krijuar qendrën e parë të trajtimit të varësisë nga interneti si dhe qendrën e rehabilitimit në Bradford të SHBA-së. Kjo qendër është shumëdisiplinore dhe përbëhet nga një ekip psikologësh që ndjekin pacientët mbi 18 vjeçarë.

Shenjat e varësisë nga interneti

Dr.Young ka botuar Pyetësorin e Varësisë nga Interneti (IADQ), ku shihen 5 simptoma kryesore që duhet të diagnostikohen.

1.-A ndjeheni i shqetësuar për gjëra të lidhura me internetin? (a mendoni për veprimtarinë që sapo keni zhvilluar në internet dhe atë që do të zhvilloni më pas)

2.-A ndjeni nevojën për të përdorur internetit pavarësisht orëve, pasi kjo ju jep kënaqësi?

3.-A jeni përpjekur të ndaloni përdorimin e tepruar të internetit, por pa rezultat?

4.-Ndjeheni i irrituar, nervoz kur nuk keni internet dhe nuk e përdorni dot atë?

5.-A keni rrezikuar të humbisni gjëra të rëndësishme si punën, një lidhje intime, mundësitë për karrierë, për shkak të qëndrimit të tepruar në internet?

6-A i keni gënjyer anëtarët e familjes, terapistin ose të tjerë persona lidhur me përdorimin e internetit nga ana juaj?

7-Ju e përdorni internetin si një rrugë për të shmangur problemet që keni, apo sepse mendoni se me të largoni ndjenjat e fajit, ankthit, depresionit?

Simptoma të tjera të varësisë nga interneti

-Dështim i kontrollit të sjelljes suaj

-Ndjenjë e lartë euforie kur përfshiheni me lojrat apo veprimtari të tjera në internet

-Lini pas dore familjen dhe miqtë

-Lini pas dore gjumin, duke qëndruar në internet

-Gënjeni fare lehtë të tjerët

-Ndjeheni fajtor, me ankth, depresiv si pasojë e sjelljes online.

-Pësoni rënie apo rritje në peshë, dhimbje koke, sindroma e kyçit të dorës

-Tërhiqeni nga veprimtaritë e tjera që ju pëlqenin më parë.

Varësia nga interneti trajtohet në kamp ushtarak

Qendra e trajtimit të varësisë nga interneti në Daxing, në periferi të Pekinit është krijuar në vitin 2004, me synim tu vijë në ndihmë të rinjve, kryesisht djemve që vuajnë nga "varësia nga interneti". Kina është një nga vendet e para që e ka klasifikuar "varësinë nga interneti" si një çrregullim klinik , duke u nisur nga rritja e numrit të të rinjve të prekur prej saj. Qeveria kineze ka krijuar 400 kampe të stilit ushtarak për trajtimin e çrregullimeve të varësisë nga interneti.

Prindërit e të rinjve janë shumë të shqetësuar për këtë, ndaj i dërgojnë fëmijët në kampe të ngjashme me ato ushtarake, për të hequr vesin e kompjuterit. Kampet e stilit ushtarak ofrojnë trajtim ushtarak në sezone të ndryshme të vitit, për ata që kanë varësi nga kompjuteri.

Të rinjtë në këto qendra veshin uniformë ushtarake dhe i nënshtrohen ushtrimeve me karakter fizik, sikur të ishin në ushtri, ndërsa koha e trajtimit të tyre në këto kampe është 3 mujore. Të rinjve me varësi nga interneti u jepen detyra të ndryshme për të plotësuar nga ekipi i psikologëve që i ndjek. Ata u nënshtrohen seancave terapeutike, ku në disa raste marrin pjesë dhe prindërit e tyre.

Psikologu i qendrës, Prof.Tao Ran thotë se shumë nga të rinjtë që trajtohen këtu kanë humbur lidhjet me jetën reale dhe parapëlqejnë atë virtuale. Madje ata mendojnë se jeta virtuale është më e mirë se ajo reale".

Mjeku tregon se disa prej të rinjve kishin shpenzuar ditë dhe netë të tëra para kompjuterit, madje ata as nuk shkonin në banjo nga frika se mos humbisnin lojën në internet. Për këtë qëllim ata përdornin pampers, ndonëse adoleshentë. Kjo varësi është e ngjashme me atë të heroinës, shpjegon profesor Tao. Ne këtë varësi jemi mësuar ta quajmë "heroina elektronike".

Psikologët e qendrës tregojnë se shumica e të rinjve nuk janë të ndërgjegjshëm përse ndodhen aty, pasi mendojnë se nuk vuajnë nga asgjë, madje fajësojnë prindërit që i kanë sjellë këtu. Disa prej të rinjve me simptoma të "varësisë nga interneti" janë në konflikt me prindërit dhe kanë ardhur në qendër pas një periudhe vetmie.

Prindërit, të zënë me punët e tyre të përditëshme shkëputin vëmendjen nga fëmijët e tyre dhe kështu nisin mosmarrëveshjet. Ndaj në qendër praktikohet dhe terapia familjare ku përveç të riut të prekur nga "varësia e internetit" marrin pjesë dhe prindërit e tij.

Drejtuesit e qendrës deklarojnë se kanë patur sukses në trajtimin e 70% të të rinjve të prekur nga "varësia e internetit".(Eda Merepeza)