">Muzeu i kaligrafisë kineze-Palimsest<IMG border=0 src=" /mmsource/images/2004/06/29/litsen1.gif">
Muzeu i kaligrafisë kineze-Palimsest
  2014-07-10 16:45:18

Në fund të vitit 2009 u hap zyrtarisht në Anyang, të provincës Henan, muzeu i kaligrafisë, i pari i këtij lloji në Kinë. Ky muze ofron një mundësi të shquar për thellimin e njohurive të gjuhës dhe shkrimit të saj. Një nga vizitorët e muzeut thotë se më parë ai i shkruante hieroglifet kineze, por pa u menduar për to. "Është mjaft interesant të mësosh rreth evoluimit të hieroglifeve të gjuhë sonë. Falë shpjegimit të guidave të Muzeut, të demonstrimit të kaligrafisë kam arritur të mësoj shumë për to", thotë vizitori.

Sipas legjendës, para rreth 5 mijë vjetësh, Cang Jie, zyrtar i lartë i perandorit të verdhë, krijoi hieroglifet kineze. Hieroglifet kineze tradicionale dhe të thjeshta, pas mijëra vjet evoluimi janë shndërruar ndër format e shkrimit më të përdorura në botë. Ato të kujtojnë jo vetëm historinë e gjatë dhe të shkëlqyer të kulturës kineze, por tërheqin vëmendjen e opinionit publik si një mjet dhe simbol kulturor.

Drejtorja e departamentit të promovimit dhe edukimit të Muzeut, zonja Hu Yanyan, shpjegon se dizenjimi arkitektonik është frymëzuar nga mbishkrimet në kocka në lashtësi por edhe ato në metal dhe paraqet për publikun rrënjët e kulturës së lashtë kineze.

Muzeu i kaligrafisë dhe pasuria e tij

Ndërtesa e muzeut ka një lartësi prej 32 metrash dhe përbëhet nga një kat nëntokësor dhe 4 kate mbitokësore. Projektimi i godinës së muzeut bazohet në modelet kryesore të pallateve perandorake të dinastisë Yin-Shang, që datojnë 3 mijë vjet më parë, ku dallohen çatitë e arta, që të kujtojnë epokën e madhërishme, si një simbolikë kulturore e hieroglifeve kineze.

Në muze ndodhen 5 salla dhe 15 njësi ekspozimi, ku objektet arkeologjike i referohen shkrimeve të ndryshme të botës, mbishkrime në metal, ideograma në bambu, të qëndisura në mëndafsh. Në to paraqitet evoluimi i ideogrameve, historia e kaligrafisë dhe format e shkrimit, duke përfshirë dhe ato të pakicave kombëtare në Kinë. Çdo objekt pasqyrohet me origjinën e vet, por dhe të zhvillimit mijëravjeçar. Mjetet audiovizuale dhe teknologjia e lartë në Muze i lejon vizitorëve të njohin drejtpërdrejtë historinë dhe përhapjen e kaligrafisë kineze. Një nga funksionet e rëndësishme të Muzeut është aspekti shkencor, pasi u lejon shumë personave, veçanërisht të rinjve të njohin vitalitetin, bukurinë dhe ndikimin e hieroglifeve kineze.

Funksioni më i rëndësishëm i muzeut është edukimi dhe komunikimi kulturor dhe shoqëror; salla e lojrave në katin e pare frekuentohet shumë nga të rinjtë dhe studentët. Ata mund të provojnë mënyrat e ndryshme të shkrimit, duke pare realizimin e tyre. Në këtë mënyrë ata mund të kuptojnë lehtësisht dokumentet që muzeu u orfon vizitorëve të tij të shumtë.

Ndonëse ka kaluar pak kohë nga hapja e tij, Muzeu tashmë është një ndërtim simbolik dhe një vend turistik i Anyang, me rreth 4 mijë vizitorë në ditë. Ky është muzeu i parë shtetëror në Anyang, në brendësi të të cilit gjithçka është efikase. Dokumentet arkeologjike u krijojnë mundësi qytetarëve të thjeshtë të thellojnë njohuritë e tyre rreth evoluimit të hieroglifeve të gjuhës kineze.

Gjuhëtari Zhou Youguang, anëtar i këshillit të ekspertëve të muzeut e vlerëson atë si një rilindje të qytetërimit kinez në zhvillimin e kulturës moderne. Profesori Zhou Youguang thekson se në qendër të veprimtarisë së Muzeut është respektimi i të kaluarës, pa injoruar të tashmen. Qëllimi parësor i muzeut është shndërrimi në një qendër studimore dhe kërkimore mbi kulturën moderne të hieroglifeve kineze, si dhe shkëmbimet kulturore me vendet e tjera.

Rritet interesi për gjuhën kineze në botë

Vitet e fundit është shtuar interesimi për gjuhën dhe kulturën kienze në botë dhe në këtë mënyrë hieroglifet kineze janë vendosur në qendër të vëmendjes jo vetëm të studjuesve të gjuhës, por dhe më gjerë.

Sipas statistikave të Zyrës shtetërore për përhapjen e gjuhës kineze në botë në vitin 2010, 100 milion njerëz nga vende të ndryshme të botës kanë nisur studimin e gjuhës kineze. Në tetor të 2009, 241 institute dhe klasa Konfuci të përhapura në 87 vende dhe rajone të botës me qëllim përhapjen e gjuhës dhe kulturës kineze janë bërë tashmë një dritare për marrëdhënie me gjuhën dhe kulturën kineze. Muzeu i hieroglifeve është si një fjalor panoramik i gjuhës dhe shkrimit të kinezishtes. (Eda Merepeza)