">Lehtësi për vizitorët në Qytetin e Ndaluar<IMG border=0 src=" /mmsource/images/2004/06/29/litsen1.gif">
Lehtësi për vizitorët në Qytetin e Ndaluar
  2014-07-10 16:45:18

Qyteti i Ndaluar në Pekin prej vitesh përpiqet të përballojë fluksin e jashtëzakonshëm të vizitorëve në çdo kohë të vitit. Veçanërisht gjatë verës turistët e huaj por dhe kinezë nga qytete të ndryshme vizitojnë këtë mrekulli me famë botërore, pa iu shmangur temperaturave të larta apo numrit të madh të grupeve të vizitorëve. Për këtë arsye drejtuesit e muzeut të Qytetit të Ndaluar kanë bërë disa ndryshime në rregullore për të krijuar kushte sa më të favorshme që vizitorët të ndjehen mirë në vizitën e tyre.


(foto nga Xinhua)

Një nga rregullat e reja është se pas orës 14.00 çmimi i biletës përgjysmohet "Duam të këshillojmë vizitorët e muzeut që të shmangin vizitën në pikun e orarit, që është në mëngjes, por ta realizojnë pasdite atë. Vizita e tyre pasdite në Qytetin e Ndaluar do të jetë më e këndshme," ka deklaruar për Xinhua drejtori i muzeut Shan Jixiang. Ndërkohë ai bëri të ditur se çmimet e reja të biletave do të nisin të zbatohen nga 14-16 shtatori. Gjithashtu po punohet për bileta njëvjeçare, që lejojnë turistët ta vizitojnë këtë qytet 10 herë në vit. Ndër lehtësimet është se studentët dhe të moshuarit përfitojnë bileta me gjysmë çmimi.

"Këto janë disa rregulla të reja nga të cilat do të përfitojnë të gjithë ata që e pëlqejnë Qytetin e ndaluar dhe koleksionet e tij të çmuara dhe dëshirojnë të rikthehen aty," thotë Shan.

Në vitin 2012 Qytetin e Ndaluar në Pekin e vizituan 15.3 milion vetë, dhe rekordi u shënua kur vetëm 1 ditë muzeu u vizitua nga 182 mijë vetë. Gjatë verës ky muze vizitohet afërsisht nga 70 mijë vizitorë në ditë, kurse gjatë dimrit nga 20 mijë vizitorë në ditë. Muzeumi do të ofrojë bileta falas të mërkurën e pare të muajit nga Nëntori deri në Prill të vitit 2015, për një grup prej 200 vetësh. Në grupet që do të përfitojnë bileta falas përfshihen mësuesit, punonjësit vullnetarë, ushtarët dhe nxënësit e studentët.

Royal Ballet i Londrës performon në Shangai

Trupa e mirënjohur e baletit britanik Royal Ballet debutoi me pjesën "Don Kishoti" në Shangai nga 3-5 korrik. Duke folur për agjencinë kineze të lajmeve Xinhua, menaxheri i përgjithshëm i Teatrit të Madh të Shangait, Zhang Xiaoding tha se, Royal Ballet është një nga 3 kompanitë më të njohura të baletit në arenën ndërkombëtare.

Pjesa "Don Kishoti" u shfaq 4 netë me radhë në sallën e Teatrit të Madh të Shangait . Kjo pjesë është përfshirë në repertorin e sezonit të ri koncertor të trupës, që u drejtua nga Carlos Acosta, i cili ka qenë një nga balerinët kryesorë të kompanisë.

Pasioni për peizazhin kinez

Një vit pas publikimit të fotove të tij me pamje nga tarracat me oriz në Yuanyang të provincës Yunnan në National Geographic, Thierry Bornier, vazhdon kërkimin e peizazheve kineze. Për 42 vjeçarin francez, Bornier, me formim si financier, por të shndërruar në fotograf profesionist , Kina është vendi ku ai ka rizbuluar talentin e tij në fushën e fotografisë. Në vitin 2008 ai vizitoi provincën Yunnan, pikërisht Yuanyang dhe u mrekullua nga peizahi që dhuronin tarracat me oriz, ngjyrat e tyre në varësi të ndriçimit.


(foto nga China Daily)

Fotografi francez kujton se kur pa ato tarraca u bind përfundimisht se pasioni më i madh i tij ishte arti i fotografisë. 2 fotot e realizuara prej tij u bënë të famshme në twitter-in kinez , në mikro blogje dhe u blenë menjëherë nga një kompani gjermane, duke e bërë kështu të njohur arti e fotografit, Bornier.

"Për të realizuar me sukses misionin e fotografit profesionist duhet të fokusohesh te pamja, që të intereson, të jesh i duruar dhe të kapësh momentin e duhur për të realizuar artin tënd", thotë fotografi i tarraceve me oriz. Ai vazhdon me shumë pasion udhëtimin anembanë Kinës, duke gjetur pamje interesante për objektivin e aparatit të tij, që më pas kthehen në fotografi me firmën e tij në revista prestigjioze.


(foto nga China Daily)

Bornier tregon se ka krijuar shumë kontakte me kolegët fotografë kinezë, të cilët janë shumë miqësorë me të, madje ata shkëmbejnë eksperiencë për peizazhet e ndryshme dhe me ta ai ka kryer shumë udhëtime në terren. Sipas këtij fotografi të njohur, magjia e fotografisë është të mund të gjesh atë peizazh që vizitorët apo turistët akoma nuk e kanë vënë re dhe ta promovosh atë. Ai është pro zhvillimit të infrastrukturës apo atij industrial, por mendon se peizazhet e bukura natyrore duhen mbrojtur nga shkatërrimi natyror por dhe ai njerëzor për qëllime përfitimi.

Përveç peizazheve natyrore fotografi francez, Bornier ka shfaqur interes dhe për fotografitë komerciale në dasma, albume me foto fëmijësh, portrete, ngjarje dhe për këtë po bashkëpunon me kolegë fotografë kinezë dhe të huaj, që ushtrojnë aktivitetin e tyre në Kinë.(Eda Merepeza)