PËR NE  VEND PUNE
      
cri albanian.cri.cn
Faqja e parë | Lajme | Kina Sot | Fokus ekonomik | Kultura | Kozmopolit | Shëndeti | Fjala në Lajm | Koment për RJK Muzikë | Revista "Ejani"
Shaolin, Tempulli i parë jashtë vendit në Australi
2015-04-27 15:02:13 CRI Komenti juaj Printoni

Tempulli Shaolin që u përurua në fund të shekullit të 5-të të erës sonë në provincën He'nan të Kinës Qendrore është vendlindja e budizmit Zheni dhe e Kung Fu-së. Që nga themellimi para më shumë se 1500 vjetësh, ai është një ikonë e budizmit dhe tërheq çdo vit mbi 3 milionë pasues brenda e jashtë vendit.

Para vitit 1999, Tempulli Shaolin ishte një qoshe e qetë për besimtarët, por pasi Shi Yongxin u bë kryemurg në fund të viteve '90 të shekullit të kaluar, nisën ndryshimet. Si murgu i parë në Kinë që ka mbaruar studimet e MBA-së(Master of Business Administration), ai ka zhvilluar disa veprimtari të debatueshme si turneu botëror i shfaqjeve fitimprurëse të Kung Fu-së nga murgjit, komercializimi i gjithanshëm i të ardhurave të tempullit etj. Nën drejtimin e tij, deri tani Shaolini ka krijuar mbi 40 qendra kulturore në vende të ndryshme. Sipas Shi-së, ky promovim bazohet mbi respektin ndaj budizmit, kulturës dhe nxitjen e zhvillimit të dialogut për forcimin e mirëkuptimit dhe bashkëpunimit ndërkombëtar.

Tani, ky CEO murg po krijon edhe degën e tempullit jashtë vendit. Një kompleks i ndërtesave të Shaolin-it do të ndërtohet për herë të parë në një vend të huaj, në Australi.

Muajin e kaluar, qeveria lokale e shtetit New South Wales të Australisë miratoi ndërtimin e një blloku të ri rezidencial për tempullin Shaolin-in, që përbëhet nga shtëpi budiste pushimi, një tempull dhe një shkollë Kung Fu.

Tërë kompleksi me një vlerë gati 300 milionë dollarë amerikanë investime ndodhet në Comberton Grange, në juglindje të Australisë, afër gjirit bregdetar Jervis, që është 200 kilometra larg jugut të Sidnejit, mes natyrës së paprekur. Blloku rezidencial ndodhet vetëm disa kilometra larg një parku të bukur detar kombëtar të Australisë. Siç mësohet, vetëm për të blerë këtë tokë pyjore prej 2000 hektarësh, kryemurgu i tempullit Shaolin, Shi Yongxin ka paguar 3.9 milionë dollarë amerikanë.

Në intervistën e dhënë për agjencinë e lajmeve Xinhua, znj. Joanna Gash kryetarja e bashkisë Shoalhaven Shire, qytet ku ndodhet blloku, shprehu mbështetje të plotë ndaj këtij projekti. "Para tetë vjetësh, kryemurgu Shi erdhi në Shaolhaven. Ai u mahnit nga natyra dhe banorët e këtushëm, duke patur një vizion të qartë për atë që donte të realizonte. Por, konkretizimi i kësaj ideje na kushtoi gati 9 vjet", tha znj. Gash. Sipas saj, në planin e kaluar, Shi propozoi vendosjen në qytet të tempullit të parë jashtë vendit, shkollës së Kung Fu-së, një hoteli, një qendër pushimi për ruajtjen dhe përmirësimin e shëndetit, një fushë golfi dhe disa godinave për banim. Por, për të shmangur dëmtimin e mjedisit, fusha e golfit dhe godinat e banimit u hoqën nga projekti përfundimtar.

"Do të ndërtohen shumë objekte që mund të tërheqin turistët. Jemi gëzuar jashtë mase kur mësuam se qyteti ynë u zgjodh si destinacioni i tempullit të parë jashtë vendit të Shaolin-it", tha kryebashkiakja e Shoalhavenit.

Pas përurimit, këtu do të ketë një qendër me funksione të shumëllojshme, që nuk kufizohen në shkëmbimin kulturor-fetar, por edhe në mësimdhënien e Kung Fu-së dhe ruatjen e shëndetit. Znj. Gash është e mendimit se shkolla e Kung Fu-së do të jetë një nga pjesët më tërheqëse të kompleksit.

"Ndërtesat e tjera pjesë e bllokut rezidencial mund të kenë funksione të ndryshme. Njerëzit mund ta vizitojnë tempullin, të hanë ushqim vegjetarian në ambjentet e tij. Kurse në qendrën për përmirësimin e shëndetit, mund të provojnë mjekësisë tradicionale kineze dhe të çlodhen në shtëpinë e pushimit. Pritet të kemi më shumë shkëmbime kulturore, sepse të dy popujt tanë kanë pasur prej kohësh dëshirën për ta njohur njeri-tjetrin. Përsa i përket një promovimi më të gjerë, besoj se kjo qendër do të shërbejë jo vetëm për vizitorët nga Australia, por edhe nga rajoni e bota", shtoi kryetarja e bashkisë së Shoalhaven-it.

Drejtori lokal i turizmit Steve Lawson tha se sipas vlerësimit, ndër më shumë se 300 milionë dollarë amerikanë investime, afro 52 milionë do të akordohen në të ardhurat vendore. Sipas analistëve, në një rajon me papunësi të lartë, projekti i Shaolin-it do të sjellë fitime të mëdha, duke ndikuar dhe në uljen e papunësisë. Mjaft banorë të këtij rajoni me një natyrë të mrekullueshme, pavarësisht papunësisë kanë preferuar të mos largohen. Turizmi është shtylla e dytë më e madhe ekonomike e qytetit Shoelhaven-it, pasi në këtë sektor janë punësuar 6500 banorë.

Ndërsa, sipas parashikimit, vetëm gjatë ndërtimit të kompleksit Shaolin do të krijohen afro 1000 vende pune për vendësit. Prandaj, ideja e shtëpisë së pushimit e Shaolinit që krijon vende pune dhe tërheq turistë përputhet me stilin vendës të jetesës dhe kërkesën e autoriteteve lokale për zhvillimin ekonomik.

"Sipas projektit në hotelin e kompleksit mund të strehohen rreth 90 mijë klientë në vit, duke zënë vetëm një pjesë të vogël të 300 mijë vizitorëve të tempullit. Kështu që, ne do të ftojmë ata 210 mijë klientët e tjerë, që pas vizitës në tempull të shijojnë bukurinë e Shoalhavenit", tha z. Lawson.

Përveç pyllit dhe bregdetit mahnitës në parkun detar kombëtar vizitorët do të gjejnë ujë të kristaltë dhe rërë të bardhë. Sipas Lawsonit, një lundrim me anije në det ofron një argëtim të veçantë pasi turistët mund të shohin balena dhe delfinë, një alternativë kjo e këndëshme, pas vizitës në tempullin budist.

Lidhur me kundërshtimet që ka patur ndërtimi i kompleksit Shaolin për shkak të dëmtimit të mjedisit, kryebashkiakja Gash tha se gjatë 8 viteve të fundit janë investuar miliona dollarë dhe sektorët administrativë kanë bërë punën e duhur për mbrojtjen e mjedisit.

Nga ana e tij kryemurgu Shi Yongxin tha se "Shumë media më pyetën si është e mundur që tempulli ynë të grumbullojë aq fonde për ndërtimin e një kompleksi në Australi. Duhet të them se të gjitha investimet nuk kanë të bëjnë me Shaolin-in. Nëse sipërmarrësit shohin një mundësi biznesi dhe dëshirojnë të ndërtojnë një kompleks për bashkëpunimin kulturor kino-australian, nëse qeveria australiane, banorët vendës dhe investorët dëshirojnë ta realizojnë këtë, unë do të jap ndihmesën time."

Mrekulli
Komenti im
Forum

Sondazh me dëgjuesit për dy sesionet e vitit 2015 në Kinë

Voto tani, shijo falas më vonë
Artikuj top
Rubrika top
China Radio International.CRI. All Rights Reserved.
16A Shijingshan Road, Beijing, China