PËR NE  VEND PUNE
      
cri albanian.cri.cn
Faqja e parë | Lajme | Kina Sot | Fokus ekonomik | Kultura | Kozmopolit | Shëndeti | Fjala në Lajm | Koment për RJK Muzikë | Revista "Ejani"
Futboll pritet reforma e papare
2015-03-23 15:45:30 CRI Komenti juaj Printoni

Reformë rrënjësore në futbollin kinez

Së shpejti në Kinë do të nisë një reformë rrënjësore për të nxitur zhvillimin e futbollit, një sport që i ka turpëruar tifozët e tij, sepse gjatë 20 kampionatave botërore ekipi kombëtar arriti të hynte vetëm një herë, ndonëse përfaqëson vendin me popullsinë më të madhe në botë. Ndonëse në të kaluarën ka pasur reforma për përmirësimin e paraqitjes së futbollistëve, për herë të parë, për reformën në futboll janë angazhuar udhëheqësit e vendit.

Në fund të shkurtit anëtarët e Grupit të Thellimit të Reformave të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Kinës, nën drejtimin e kryetarit të shtetit Xi Jinping, miratuan një projekt për reformimin e futbollit. Më 16 mars, ky projekt i përbërë nga 50 pika u publikua në uebsitin e qeverisë kineze.

Sipas projektit, objektivat e reformës përfshijnë organizimin e Kupës së Botës, futjen e ekipit kombëtar në Kupën e Botës dhe Lojërat Olimpike. Për këtë qëllim, qeveria kineze do të marrë masa si ndryshimi i sistemit aktual administrativ-profesional të futbollit, më shumë investime në krijimin e shkollave speciale sportive, shtimin e mësimdhënies së futbollit në shkollat publike etj.

Analistët komentojnë se objektivat aktuale ndryshojnë nga ato në projektet e tjera të zhvillimit kombëtar sepse për realizimin e tyre nuk ka ndonjë kohë të caktuar, por vetëm përdoret termi "afatmesëm" ose "afatgjatë". Lidhur me këtë, z. Cai Zhenhua, zv.drejtor i Administratës së Përgjithshme të Sporteve të Kinës tha se niveli profesional i futbollit në Kinë është i prapambetur në përgjithësi. "Prandaj, zhvillimi i tij nuk mund të paragjykohet në një afat kohor të përcaktuar saktë në tre, pesë, tetë apo dhjetë vjet. Duhet të synojmë për lulëzimin e përhershëm të këtij sporti në vendin tonë, por jo të presim rezultate të menjëhershme", tha z. Cai.

Ndër të gjitha masat, ndryshimi i sistemit aktual administrativ dhe profesional të futbollit konsiderohet si hapi më i madh që hidhet nga qeveria.

Gjatë historisë mbi 20 vjeçare të reformimit të futbollit, një problem që ngelet i pazgjidhur është kombinimi i sistemit administrativ dhe profesional. Në të kaluarën, Federata Kineze e Futbollit dhe Qendra Administrative e Futbollit pranë Administratës së Përgjithshme të Sporteve drejtohen nga i njejti bord. Ky fakt krijon pengesa në marrjen e vendimeve për zhvillimin e futbollit profesionist, pasi shumica e drejtuesve nuk vijnë nga qarqet futbollistike. Ky sistem zbatohet që nga qendra kombëtare e ngarkuar për futbollin deri në nivele të ndryshme qeveritare. Por, për shkak se drejtuesit përkatës i kushtojnë më shumë vëmendje realizimit sa më parë të objektivave konkrete, shpesh ata shpërfillin zhvillimin afatgjatë të këtij sporti. Njëkohësisht, ndër mangësitë renditen dhe korrupsioni, manipulimet e ndeshjeve etj.

Një situatë e tillë i ka zhgënjyer tifozët për të ardhmen e futbollit në vend, ndaj numri i tyre ka shënuar një rënie drastike. Kjo ishte arsyeja që , televizioni më i njohur kinez CCTV në vitin 2008 kur zhvilloheshin Lojërat Olimpike në Pekin ndaloi transmetimin e të gjitha ndeshjeve së Superligës Kineze. Në 2012 ky televizion rinisi transmetimin e ndeshjeve të futbollit.

Ndërsa, në reformën e re, Federata e Futbollit nuk do të jetë në varësi të organit administrativ, duke shmangur shkaqet e së kaluarës së errët në futboll. Njëkohësisht, anëtarët e bordit drejtues të Federatës Kineze të Futbollit do të kenë një përfaqësim më të gjerë, ky institucion duke u përbërë nga përgjegjës të sektorit administrativ të Këshillit të Shtetit, përfaqësues të federatave dhe ligave profesioniste të futbollit në krahinave të ndryshme, personalitete dhe ekspertë të sporteve.

Një tjetër masë tërheqëse është reformimi i klubeve aktuale. Për shembull, tani, stafi i çdo klubi kinez futbolli emërohet nga kompania që e financon dhe sa herë ndryshon sponsorizuesi ndryshon dhe emri i klubit. Në rastin kur një klub futbolli humb financimin duhet të gjejë sponsor me kushte të pafavorshme. Në reformën e re, qeveria inkurajon klubet të zhvillohen në bazë të qyteteve nga vijnë, duke shmangur " endjen" pas investorëve.

Pritet që reforma administrative të kontribuojë në këtë drejtim dhe ekspertët profesionistë të kësaj fushe nuk mungojnë, ndaj Kina mund të hapë një faqe të re në futboll.

Për një kohë të gjatë, me synim fitoret e menjëhershme, futbolli kinez shpesh është përballur me mungesë talentesh. Futbolli si një sport që kërkon shumë investime dhe mjaft kohë për përgatitjen e futbollistëve të kualifikuar, sektorët e niveleve të ndryshme (që kontrollojnë edhe buxhetin e Federatës së Futbollit) nuk kanë treguar shumë interes për zhvillimin e tij. Ata kanë preferuar të investojnë në sporte që mund të sigurojnë rezultatet e shpejta, por natyrisht me kosto më të ulët.

Ky realitet dëmtoi rëndë zhvillimin e futbollit. Sipas të dhënave në vitin 2009, numri i futbollistëve të regjistruar, duke përfshirë ata profesionistë dhe amatorë ishte vetëm 6972, krahasuar me popullsinë prej 1.3 miliard banorësh të vendit. Ndërsa, në Gjermani, kjo shifër është 6 milionë.

Sipas reformës së re, qeveria kineze do të financojë më shumë për përfshirjen e futbollit në programin mësimor. Do të krijohen më shumë shkolla për futbollin dhe do të merren masa për përfshirjen e sa më shumë nxënësve në këtë sport. Ndërkohë, sipas planit, deri në vitin 2020, numri i shkollave të mesme dhe fillore që do të profilizohen në mësimdhënien e futbollit do të arrijë deri në 20 mijë. Kurse në vitin 2025, shkolla të tilla pritet të jenë 50 mijë. Synohet që këto masa të zgjidhin mungesën e futbollistëve dhe të ndihmojnë në zbulimin e më shumë talenteve rë reja.

Përveç këtyre, do të shtohet numri i aktiviteteve futbollistike në vend, nëpërmjet organizimit të më shumë ndeshjeve të futbollit profesionit dhe amator, ndërtimit të fushave të futbollit, me synim nxitjen e talenteve në këtë sport. Por, siç tha z. Wang Dengfeng, drejtor i Departamentit të Shkollave sportive pranë Ministrisë së Arsimit të Kinës, futbolli është një nga pikat e reformës për zhvillimin në tërësi të sportit në Kinë. Ky projekt dhe përvojat që do të mblidhen prej tij pritet të shfrytëzohen për zhvillimin e sporteve në mbarë vendin.

Mrekulli
Komenti im
Forum

Sondazh me dëgjuesit për dy sesionet e vitit 2015 në Kinë

Voto tani, shijo falas më vonë
Artikuj top
Rubrika top
China Radio International.CRI. All Rights Reserved.
16A Shijingshan Road, Beijing, China