PËR NE  VEND PUNE
      
cri albanian.cri.cn
Faqja e parë | Lajme | Kina Sot | Fokus ekonomik | Kultura | Kozmopolit | Shëndeti | Fjala në Lajm | Koment për RJK Muzikë | Revista "Ejani"
Agroturizmi pranë Murit të madh kinez
2014-04-21 18:43:57 CRI Komenti juaj Printoni

Muri i madh kinez të ofron shpesh ngjarje interesante, personazhe interesantë. Vetë kjo mrekulli botërore është e përshkuar nga historia, vlerësimet,duke u shndërruar në një fenomen. Mrekullia e kësaj kryevepre botërore zbulohet shpesh me anë të fotografive të realizuara nga mjeshtra të fotografisë, por edhe amatorë të thjeshtë të fotografimit. Nëse viziton Murin e madh patjetër do ta fotografosh atë për ta fiksuar në kujtesën tënde, por dhe për tua treguar të afërmve dhe miqve, këtë mrekulli.

Pavarësisht madhësisë së Murit të madh kinez, i cili është i vetmi objekt që mund të shihet nga Hëna, ka disa qendra të tij më të preferuara nga fotografët, apo turistët në përgjithësi. Një nga zonat më të spikatura është Jinshangling, që vitet e fundit shquhet për zhvillimin e agroturizmit nga banorët e zonës si dhe të studjove fotografike.

Agroturizmi pranë Murit të madh kinez

Banorët e fshatit Hualougou që shtrihet në këmbët e maleve Jinshanling, dikur kultivonin tokën për të siguruar jetesën. Por duke jetuar në një nga zonat më të famshme turistike të botës, siç është Muri i madh ata janë bërë sipërmarrës në fushën e agroturizmit. Zhou Haijun, banor i zonës është dhe pronar i agroturizmit në Haijunle.

Turistët pëlqejnë ushqimet e zonës të përgatitura me prodhimet e vetë fshatarëve,por Zhou ishte i mendimit se kjo formë biznesi nuk ishte e mjaftueshme dhe nisi të merrej me fotografi.

"Numri i turistëve shtohet dita-ditës dhe Jinshanling, tashmë njihet nga të gjithë. Shumë prej tyre janë fotografë ose të pasionuar pas fotografisë. Ata qëndrojnë në agroturizmin tone për tu zgjuar në agim dhe për të realizuar fotot e tyre. Disa të tjerë preferojnë të fotografojnë perëndimin e Diellit. Shpesh i këshilloj se ku janë zonat më të mira për të fotografuar Murin, tregon Zhou."

Kështu ky banor i një fshati rrëzë Murit të Madh kinez hapi një studio për stampimin e fotografive. Ai zhvillon dhe stampon fotografi dhe ka krijuar një hartë të vendeve më të bukura për fotografimin e Murit të Madh në Jinshanling. Turistë të shumtë vijnë në agroturizmin e Zhout tashmë të kthyer në një pike takimi dhe qëndrimi për të pasionuarit e fotografisë. Oborri i thjeshtë i agroturizmit është bërë qendër takimi e fotografëve të shoqatave të ndryshme të fotografëve të huaj dhe vendës.

Zhou Haijun tregon se falë sipërmarrjes së tij ai ka miq nga e gjithë Kina me të cilët komunikon shpesh. Rreth 70% e klientëve të agroturizmit tim janë të pasionuar pas fotografisë", thotë Zhou.

Turizmit rural dhe sfidat e tij

Në fshatin Hualougou tashmë numërohen 20 agroturizma, por me ecurinë më të mire është ai i zonjës Ma, që ndodhet në një rrugicë pa krye në Chaoxing. Aty shërbehen gatime karakteristike të zonës, por dhe kushtet e qëndrimit janë mjaft të mira dhe të vlerësuara nga turistët.

Zonja Ma para se të niste biznesin me agroturizmin shiste pije freskuese për turistët.Ajo kujton se një ditë një organizatore e grupeve turistike e këshilloi të hapte një agroturizëm, gjë për të cilën nuk kishte dëgjuar të flitej më parë. Zonja Ma kujton se kur arriti autobusi me turistë dhe parkoi pranë shtëpisë së saj ajo u emocionua shumë.

"Ndërsa mendoja se turistët po vinin nga Pekini nisa të gatuaja.Vura në zgarë të piqeshin perime dhe mish të marinuar. Ata u afruan dhe nisa të shisja ato që kisha përgatitur për 20 RMB", kujton zonja Ma. Më pas nisa të mendoja se kjo ishte një mënyrë më e mire fitimi se sa shitja e ujit dhe pijeve freskuese".

Zonja Ma ishte e para në fshat që rindërtoi shtëpinë, një parking, banjo dhe dhoma dyshe me standarte hotelerie.

"Pas një viti ndjeva se oborri im ishte i pamjaftueshëm për biznesin dhe shqetësohesha se si nuk mund të prisja një numër më të madh turistësh, kujton zonja Ma. Ajo tregon se investoi gradualisht mbi 100 mijë yuan për zgjerimin e agroturizmit.

Djali i madh i saj pas diplomimit punonte në një agjenci turistike në Pekin, ku nisi të promovonte peisazhin e zonës Jinshanling.

Në sajë të agroturizmit, aktualisht zonja Ma realizon një xhiro vjetore prej 300 mijë RMB, një nga më të lartat në zonë. Fqinjët e saj duan të fitojnë si ajo ndaj dhe zonja Ma ka organizuar një kurs informimi për ta. Përse kjo zonjë u meson sekretet e suksesit të saj të tjerëve?

"Një zonë e tërë me agroturizma tërheq shumë klientë. Nëse do të ketë pak prej tyre turistët do të kërkojnë strehim në zona të tjera. Ndaj jemi bashkuar, për të forcuar turizmin rural në mbarë zonën tone. Ky vend tashmë është bërë i njohur për agjencitë dhe grupet turistike", tregon zonja Ma.

Konkurrenca negative është ulur ndjeshëm dhe janë shtuar idetë për forcimin e biznesit. 60 vjeçarja Ma i bindi bashkëfshatarët të mësonin gjuhë të huaja dhe të krijonin biznesin e tyre, që tashmë i shërben dhe zonës.

Një fshat i lashtë, dikur i mbyllur ndaj botës, sot ka hapur një faqe të re të historisë së tij. Banorët e fshatit Hualougou sigurojnë jetesën me agroturizmin, por kontribuojnë në zhvillimin e turizmit rural në vend. Shumë të rinj të fshatit nuk janë larguar për të kërkuar punë në qytet, pasi në agroturizme ka mjaft punë në çdo periudhë të vitit. Të jetosh pranë Murit të Madh është jo vetëm një ndjenjë e madhe krenarie, por dhe një mundësi zhvillimi ekonomik.

"Këtë vit autoritetet lokale të Jinshanling kanë miratuar lejet për ndërtimin e dhjetra agroturizmave të reja. Turistët e huaj e adhurojnë Kinën. Fëmijët e mi tashmë po merren më shumë me biznesin familjar. Jam e bindur se ata do ta përparojnë, thotë me besim dhe krenari zonja Ma."

Fotografi i Murit të Madh

Një nga personat e njohur të këtyre anëve është dhe fshatari Zhou Wanping, i lindur në Jingshanling, të cilin e thërrasin shpesh "Roja i Murit të madh ". Ai ka treguar se gjatë restaurimit të murit në fillim të vitit 1983,së bashku me bashkëfshatarë të tij ka transportuar gurë nga mali për një periudhë 6 vjeçare. Pikërisht kjo lidhje e përditëshme me murin e ka bërë atë një nga personat që adhuron këtë mrekulli të Kinës dhe mbarë botës.

"Restaurimi i Jinshanling u krye nga 1983 deri në 1988, dhe pjesa e hapur për publikun është resturuar pikërisht në atë kohë, tregon Zhou". Për një periudhë 20 vjeçare Zhou Wanping ka shkrepur me mijëra foto me aparatin e tij fotografik. Fotot e tij u përmirësuan ndjeshëm cilësisht dhe në vitin 2001, Zhou fitoi një çmim të rëndësishëm në artin fotografik në Kinë,"Çmimi për fotografinë" iu dha për foton e tij me titull "Muri madh". Në foto paraqitej një pamje e Murit të përshkuar nga vetëtimat, në Jinshaling. Fotografia ishte realizuar nga një kënd i vetëm dhe nga një fshatar i cili nuk kishte studjuar aspak artin e fotografisë. Fotot e realizuara prej tij u bënë të njohura dhe bukuria e Jinshanling, ka tërhequr shumë turistë gjatë dy dekadave të fundit. (Eda Merepeza)

Mrekulli
Komenti im
Forum

Sondazh me dëgjuesit për dy sesionet e vitit 2015 në Kinë

Voto tani, shijo falas më vonë
Artikuj top
Rubrika top
China Radio International.CRI. All Rights Reserved.
16A Shijingshan Road, Beijing, China