PËR NE  VEND PUNE
      
cri albanian.cri.cn
Faqja e parë | Lajme | Kina Sot | Fokus ekonomik | Kultura | Kozmopolit | Shëndeti | Fjala në Lajm | Koment për RJK Muzikë | Revista "Ejani"
Emri anglez, respekt për të tjerët apo mungesë respekti për veten?
2012-03-27 20:01:43 CRI komenti juaj Printoni

Një nga pyetjet e para që njerëzit i bëjnë një çifti që po pret fëmijë, është "Si do t'ia vini emrin?", e natyrisht nga kjo nuk bëjnë përjashtim as kinezët. Emrat përbëjnë një element interesant në kulturën e çdo vendi, por kinezët kanë një raport të veçantë me ta.

Kinezët besojnë se emri ndikon mjaft në jetëgjatësinë e të sapolindurit. Ka po ashtu prindër që parapëlqejnë emra që tregojnë shpresat të tyre për shëndetin, zgjuarsinë, pasurinë, pozitën etj. e fëmijës. Kështu, ata mund t'u ngjisin fëmijëve të tyre emra si Lai Fu (që përkthehet "vjen lumturia "), ose Wang Cai ("begati dhe pasuri").

Emra kinezë të vajzave janë pasqyruese të bukurisë, ose janë emra lulesh e zogjsh. Kështu, Ting do të thotë "nur", Mei "e bukur", Lan "orkidë", Yan "dallëndyshe" etj. Kurse emrat e djemve kinezë lidhen me forcën, nderimin ndaj paraardhësve etj. Shembujt të tyre janë Gang "çelik", Shaozhu "nderoj të parët", Zhijian "vullnet i fortë" etj.

Por ka të tjerë që mbështeten në ngjarje historike për të gjetur emra për fëmijët e tyre. Kështu, Guo Qing do të thotë "Ditë Kombëtare", prandaj, po qe se hasni dikë emri i të cilit është Guo Qing, mund të arrini pa frikë në përfundimin se ditëlindja e tij është më 1 tetor (Dita Kombëtare e Kinës).

Ka edhe emra të tjerë më të veçantë. Për shembull, Zhao Di duhet të jetë patjetër emri i një femre. "Zhao di" do të thotë "kërkoj vëlla" dhe mbartësja e këtij emri mund të ketë qenë fëmija i parë i familjes ose prindërit e saj mund të kishin lindur vetëm vajza dhe donin një djalë pas lindjes së saj.

Për ata që besojnë në astrologji, emri i fëmijës mund të jetë në përputhje me orën dhe datën e lindjes. Stina e viti i lindjes gjithashtu mund të merren parasysh. Përveç kësaj, disa prindër kinezë mund t'i quajnë fëmijët e tyre në bazë të 12 kafshëve të zodiakut kinez.

Me gjithë këtë kulturë të pasur në vënien e emrave dhe larminë e tyre, tani gjithnjë e më shumë kinezë po marrin edhe emra anglezë, që në fakt nuk janë emrat e tyre zyrtarë, por nofka. Ato shërbejnë më shumë për të kapërcyer hendekun gjuhësor dhe kulturor me të huajt. Tani, teksa numri i të huajve që jetojnë në Kinë po shtohet dhe shkëmbimet e Kinës me botën e jashtme po zgjerohen gjithë e më shumë, marrja e një emri anglez është kthyer në një rit për një pjesë të madhe të të rinjve në qytetet kineze.

Në shekullin e 19-të e në gjysmën e parë të shekullit të 20-të në Kinë zotërimi i një emri anglez përbënte privilegj për vetëm një grusht njerëzish të elitës dhe ishte një simbol statusi, i cili tregonte se një person kishte qenë në kolegj. Ndërsa pas krijimit të Kinës së Re, deri në fillimin e reformës e të hapjes së vendit, kinezët nuk kishin ndonjë emër të huaj, madje asokohe nuk kishte shumë njerëz që dinin gjuhë të tjera.

Por me zhvillimin ekonomik dhe shtimin e kontakteve në fusha të ndryshme, gjithnjë e më shumë kompani të huaja investojnë në Kinë, duke krijuar degë a zyra në vend dhe duke punësuar gjithnjë e më shumë kinezë. Po ashtu, mësimi i gjuhëve të huaja, veçanërisht i gjuhës angleze, është përhapur gjerësisht në Kinë. Kështu që është mjaft e zakonshme për të rinjtë kinezë që të kenë një emër anglez.

Ndonjëherë ky emër është një përkthim i drejtpërdrejtë i emrit të tyre kinez. Kështu, 25-vjeçari Chao Zhang thotë se zgjodhi si emër të tij anglez Super, sepse është një përkthim fjalë për fjalë i emrit të tij kinez:

"Më pëlqen ta shoh veten si një njeri të madh dhe të jashtëzakonshëm. Njerëzit vrasin mendjen rreth emrit tim gjatë gjithë kohës dhe më kërkojnë gjithmonë t'ua shpjegoj ç'do të thotë. Por mua prapëseprapë më pëlqen" thotë Superi, si duket pa e ditur se poeti i njohur Uistën Hju Odën ka thënë që emrat e përveçëm janë poezi dhe, ashtu si poezia, janë të papërkthyeshëm.

Ndonjëherë shfrytëzohet ngjashmëria në shqiptim e emrit kinez me ndonjë emër anglez. Kështu, një vajzë që e ka emrin Lili mund të marrë si emër anglez Lily (i cili gjithashtu shqiptohet Lili), e kështu duket sikur poezia e emrit ruhet. Por në shumicën e rasteve të rinjtë zgjedhin një emër që u pëlqen atyre, pa ndonjë lidhje me emrin e tyre kinez.

Sigurisht, jo çdo kinez ka emër anglez. Në qytetet e vogla e në fshat kjo dukuri thuajse nuk njihet. Dhe ndonjëherë vetëm emri nuk mjafton për të kapërcyer hendekun kulturor që ekziston mes kinezëve e të huajve.

Disa janë kritikë, duke thënë se atyre që vënë emra anglezë, u mungon vetëbesimi dhe përpiqen të marrin një identitet të ri, ose më saktë një identitet të dytë gjatë komunikimit me të huajt, duke krijuar një imazh të rremë, ndërsa kur janë me njerëzit e tyre të familjes, me të afërmit, shokët etj., përdorin emrat e tyre kinezë, duke e hequr kështu maskën dhe duke u bërë vetvetja. Këta kritikë thonë se të huajt do të kenë më shumë respekt në qoftë se ata përdorin vetëm emrat që u kanë vënë prindërit e tyre në vend të atyre emrave të pakuptimtë anglezë.

Por të rinjtë që marrin emra anglezë përgjigjen se në të vërtetë një gjë e tillë nuk është aspak humbje dinjiteti ose kulture, por thjesht diçka utilitare, që lehtëson komunikimin me të huajt dhe tregon respekt për këta të fundit. Emrat kinezë zakonisht janë shumë të vështirë për t'u shqiptuar, për shkak të pesë toneve që ka gjuha kineze, të cilat mezi zotërohen nga të huajt.

Dhe në të vërtetë, fakti që mjaft kinezë i ndryshojnë shumë shpesh emrat e tyre anglezë, tregon se në të vërtetë emri anglez është thjesht diçka e përkohshme dhe nuk ka ndonjë domethënie të rëndësishme për ta.

Edhe vetë të huajt në Kinë janë të ndarë kur vjen fjala për këtë dukuri. Teksa ka nga ata që tregojnë se kur kolegu a kolegia e tyre kineze u thotë se quhet Tim ose Vivien, ata i pyesin se si i kanë emrat e vërtetë, të tjerë e shohin këtë si një mënyrë për të treguar respekt dhe, për të respektuar edhe ata kulturën dhe popullin kinez, marrin emra kinezë. Ndaj sot mjaft të huaj që punojnë e jetojnë në Kinë janë "dyemërsh".

Megjithatë, tek e fundit emri mbetet vetëm një etiketë që nuk përfaqëson thelbin e njeriut. Siç thonë edhe fjalët që vë Shekspiri në gojën e Zhuljetës, një trëndafil do të ishte po aq i mermë edhe po të mos quhej "trëndafil".

Mrekulli
Komenti im
Forum

Sondazh me dëgjuesit për dy sesionet e vitit 2015 në Kinë

Voto tani, shijo falas më vonë
Artikuj top
Rubrika top
China Radio International.CRI. All Rights Reserved.
16A Shijingshan Road, Beijing, China